Meta takon disa familje të jetimëve në Tiranë

Meta takon disa familje të jetimëve në Tiranë që jetojnë në kushte tepër të rënduara. Meta premton se në qeverisjen që do vijë pas 28 Qershorit do të garantohet punësim dhe strehim për jetimët Meta: Në themel të gjithë angazhimit tonë të ardhshëm dhe qeverisës do të jetë punësimi dhe punësimi për jetimët do të jetë një prioritet i jashtëzakonshëm

Lideri i LSI z.Ilir Meta bëri një takim sot me disa familje në një prej qendrave të jetimëve të cilët jetojnë në kushte tepër të rënduara pranë Shkollës së Hoteleri-Turizëm në Tiranë. I shoqëruar edhe nga Nënkryetarja e LSI znj.Filloreta Kodra dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës z.Sokol Dervishaj Meta bisedoi me Kryetarin e Shoqatës së Jetimëve z.Kadri Aliaj. Kryetari i Shoqatës së jetimëve por edhe jetimët që jetonin në kushte tepër të vështira në konviktin e shkollës së Hoteleri-Turizmit ku në një dhomë të vetme jetonte një familje me dy fëmijë të vegjël falënderuan z.Meta pasi ai është i vetmi politikan që po ju kushton vëmendje. Vetë jetimët shprehën shqetësimin që nuk kishin punë dhe se nuk arrinin të siguronin as të ardhura minimale për të jetuar. Njëkohësisht ata u shprehën se kishin 4 ditë që nuk kishin drita fare sikurse edhe uji mungonte herë pas here.
Duke dëgjuar gjithë këto shqetësime Meta i garantoi ata se pas 28 Qershorit do të ketë një tjetër qeverisje e cila do të mendojë për t’ju zgjidhur hallet kësaj shtrese shoqërore në nevojë duke gjetur mundësitë për punësimin dhe strehimin e tyre.

Deklarata e Metës pas takimit me jetimët:

Ne jemi sot këtu në këtë qendër të jetimëve të kryeqytetit në kuadër të dialogut dhe bashkëpunimit që ne kemi me përfaqësuesit e Shoqatës së Jetimëve. Natyrisht që jemi shumë të prekur nga kjo gjendje shumë e rëndë që dhe ju vetë si gazetarë e keni konstatuar që tregon në fakt një braktisje të kësaj shtrese që ka nevojë më shumë se kushdo tjetër për solidaritet dhe ngrohtësi nga shoqëria nga Qeveria nga shteti. Natyrisht që jemi këtu për t’u angazhuar për të realizuar një integrim sa më dinjitoz të gjithë jetimëve të Shqipërisë në gjithë proceset e zhvillimit të vendit dhe integrimit të shqiptarëve dhe njëkohësisht edhe të vendit në Europë. Në themel të gjithë angazhimit tonë të ardhshëm dhe qeverisës do të jetë punësimi dhe punësimi për jetimët do të jetë një prioritet i jashtëzakonshëm pasi është e tmerrshme të shikosh që njerëz që kanë qenë jetim që të vegjël të cilët edhe pasi kanë mbaruar shkollën e mesme ndihen jo vetëm jetimë por edhe të papunë të paintegruar të braktisur. Madje shpesh ka nga ata që përfundojnë në azile pa punuar pa u integruar në shoqëri. Mendoj se nuk duhet të ketë më në një Shqipëri të tillë. Një Shqipëri në NATO dhe një Shqipëri në Evropë duhet t’i japë mundësi të gjithëve dhe theksoj edhe një herë tjetër se duhet të japë mundësi jetimëve që të ndihen pjesë e gjithë kësaj familje të madhe që duhet të jetë Shqipëria jonë e përbashkët. Besoj se përmes gjithë programeve që ne kemi tashmë si prioritet që nga shkollimi në funksion të punësimit e sidomos lidhur me programet e punësimit ku punësimi jetik do të jetë një shtyllë për të luftuar varfërinë akute që ka prekur një pjesë të mirë të shoqërisë sonë ashtu si dhe vetë jetimët. Dhe programi ynë për punësimin e vazhdueshëm dhe afatgjatë do të ofrojë zgjidhje shumë të kënaqshme edhe për këtë shtresë shumë të rëndësishme dhe shumë të ndjeshme të shoqërisë sonë. Po kështu do të angazhohemi për zbatimin e ligjit për jetimët që nga problemi i strehimit që nuk zbatohet dhe nuk tregohet kujdes as nga Qeveria as nga organet e pushtetit vendor dhe pastaj tek çështja e punësimit që është çështje themelore. Këta jetimë duhet të krijojnë familjet e tyre duhet të ecin para në jetë dhe duhet të ndihen krejtësisht të barabartë me të gjithë shqiptarët e tjerë.
Jam këtu dhe me Kryetarin e Këshillit të Bashkisë së Tiranës dhe duke qenë se jemi në një qendër që ka të bëjë me Kryeqytetin shpresoj që dhe Këshilli i Bashkisë dhe Bashkia të tregojë më shumë vëmendje për t’i ndihmuar dhe për t’i mbështetur këto qendra dhe vetë banorët e këtyre qendrave që nuk duhet të ndihen të përjashtuar nga të gjitha vendimet e rëndësishme të shoqërisë sonë dhe kryeqytetit tonë.
0x323030392d30332d3234 Meta me jetimet 1.jpg