Monika Kryemadhi: Kufoma e drejtësisë, që Rama dhe një grusht ndërkombëtarësh na bënë peshqesh

Deklaratë për shtyp e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

E gjithë propaganda qeveritare për suksesin imagjinar të Reformës në Drejtësi nuk është gjë tjetër veçse këmbana e alarmit për kufomën e drejtësisë shqiptare, që Edi Rama dhe një grusht ndërkombëtarësh na bënë peshqesh në vend të një reforme që do të përmirësonte sistemin

Ajo që nisi si një gjueti shtrigash për orët dhe çantat e prokuroreve dhe gjykatësve, që dukej se kishin më shumë rëndësi se bandat dhe kriminelët që ende qarkullojnë të lirë me bekimin dhe sponsorizimim personal të Edi Ramës. Ajo që duhej të ishte një betejë parimore për sistemin e drejtësisë u shndërrua në betejë personale me emra të përveçëm, që as më pak e as më shumë kishin prishur pazaret e qeveritarëve dhe jo vetëm.

Pjesa dërrmuese e politikës, përfshirë dhe mua personalisht besuam dhe votuam se kjo reformë do të funksiononte. Por kë besuam realisht? Besuam Edi Ramën dhe një grusht ndërkombëtarësh që “i paguhen prurësit më të parë”, që sot në ikje e sipër na lanë veç standardeve të dyfishta në përzgjedhjen e atyre që mbeten apo ikin nga sistemi, një Shqipëri aspak më të mirë se ajo që gjetën kur erdhën këtu.

As dhimbja fallco që ata ndiejnë për kolapsin ku është futur drejtësia, as dashuria po aq e shtirur për Shqipërinë nuk e mbulojnë dot me përfitimin e drejtëpërdrejtë apo të ndërsjellë nga ky vend që sot lëngon nën një regjim qe ka në duart e tij çdo pushtet. Plaçka e luftës që të huajt përfitojnë sa herë ky vend futet në krize është dhe mallkimi i tyre më i madh përpara fatkeqësisë që i shkaktojnë këtij populli.

E vetmja ndjesi që më jep ky proces është neveria e thellë për të gjithë ata që për vite me rradhë i nëpërkëmbën dhe i përçmuan shqiptarët. Dhe këtë herë për fatkeqësinë tonë, e bënë në bashkëpunim me Edi Ramën, projektuesin dhe zbatuesin e Reformës kufomë të Drejtësisë , që sot me bekimin e disa ndërkombëtarëve mendon se mund të ketë çdo pushtet në dorë. Kulaçin me helm që gatuan për shqiptarët më kot pretendojnë se do na i servirin në tavolinë si vakt të gatshëm. Shqipëria është vend sovran dhe si e tillë fatet e vendit i kanë në dorë vetë shqiptarët. Në rastin më të mirë të huajt i mirëpresim të na ndihmojnë, por jo te bëhen patericë e qeverisë së krimit e drogës. Që është pjesë e çdo raporti ndërkombëtar për zullumet e veta, por që çuditërisht vetëm disa të huaj që janë këtu nuk i lexojnë këto raporte.

Asnjë reformë e blerë dhe e shitur me paratë e drogës, asnjë kullë e re apo e vjetër e ndërtuar me këto para nuk do mund të blejë kurrë besimin e shqiptarëve, se ky vend meriton më shumë se një reformë që gatuhet me helmin e krimit dhe që na shitet si betejë parimore e atyre që moralin e vetëm e kanë tek lidhjet e ngushta me kryeministrin dhe banditët e tij.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Monika Kryemadhi: Kufoma e drejtësisë, që Rama dhe një grusht ndërkombëtarësh na bënë peshqesh