Naço: Kryeministri asnjë premtim të mbajtur, por vetëm mashtrime për Skraparin

Fjala e deputetit të LSI-së, Nasip Naço në takimin me strukturat e LSI Skrapar

Përshëndetje të gjithëve. Për mua është kënaqësi, por edhe emocion që të jem në këtë takim bashkë me Kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi. Dhe do të doja një duartrokitje të fortë që të dëgjohet në të gjithë Shqipërinë. Sepse ne skraparllinjtë dimë t’i respektojmë miqtë, por ajo nuk është mikeshë këtu, ajo është në shtëpinë e vet sepse e dini vetë të gjithë që është nga Skrapari. Sigurisht që për mua ka emocione kur jam midis jush. Si në çdo vend tjetër por këtu emocionet janë më të mëdha sepse duhet të jem i vëmendshëm që t’i takoj të gjithë. Dhe kur bisedoj me njërin duhet ta kem mendjen edhe tek tjetri, se ne skraparllinjtë e meritojmë respektin dhe duhet t’i respektojmë njerëzit që na mbështetin, që na votojnë, por edhe qytetarët e tjerë që kanë mendim ndryshe nga ne.

Në Çorovodë është vetëm një urë. Qoftë me LSI-në, PS-në apo partitë e tjera, dhe në atë urë ne kalojmë të gjithë. Dhe duhet të jemi të gjithë të vëmendshëm dhe të respektojmë njëri tjetrin sepse jemi shumë pak. Dhe unë nuk dua të kem një gjuhë inati, urrejtjeje apo të shaj dikë. Është zgjidhja e vet. Por kur e kalon cakun e vet, kur e kalon atë cak që nuk u shërben njerëzve, sigurisht që më duhet të mbaj qëndrim dhe të reagoj. Dhe unë nuk merrem me kandidatët e tjerë sepse dhe ata janë të votuar. Por kam reaguar në një rast bashkë me Kryetarin e Bashkisë sepse shërbeu për të prerë ndihmën ekonomike mbi 600 familjeve. Unë besoj se deputeti në këtë rast duhet të zgjidhë problemet dhe jo të jetë ai problemi që t’iu hapë të tjerëve. Sepse nuk ka më kuptim të merresh me politikë. Ky vërtetë është një vend malor, është një vend që meriton të kenë edhe më shumë punë, të kenë taksa të ulëta. Por kërkon dhe respekt. Dhe nuk duhet të jemi ne deputetët që zihemi me njëri tjetrin, por të jemi bashkë dhe të merremi për të zgjidhur hallet dhe problemet që ka jo pak ky vend.

 

Bashkë me Kryetarin e Bashkisë u jemi drejtuar zyrtarisht kryeministrit të vendit. I kemi vajtur edhe në zyrë dhe këtu nuk ka asnjë sekret. Të bindur që do të na gënjente dhe do të na mashtronte, sepse është mashtrues. Dhe nuk i mbajti premtimet që ka bërë. Jo për ne, sepse nuk do ta bënte edhe për 100 vjet të ishte në pushtet, sepse urrejtja e tij është e madhe ndaj LSI-së, ndaj gjithë skraparllinjve. Ne do donim që ta bënte për ata skraparllinj që janë dhe votojnë për Partinë Socialiste, që janë njerëz të nderuar dhe të respektuar. Por dhe për ata nuk e ka bërë, sepse mjafton që të mos japë edhe asnjë fond për Skraparin votat e tyre do t’i marrë se janë të ndarë dhe nuk janë me LSI-në. Unë besoj që kjo është e gabuar për atë, por do thosha që është në favor për ne. Që të jemi ballëlartë me ju te ulemi, të flasim, të bisedojmë, për ato ça kemi mbajtur premtime apo për premtime të tjera të  pambajtura. Jo se nuk kemi dashur ne, sepse i kemi dhënë provat në këto vite. Gjithë investimet që janë bërë në Skrapar dhe është bërë një kantier ndërtimi. Është bërë si pasojë e meritës dhe  mbështetjes që LSI i ka dhënë këtij vendi.

 

Por një meritë të veçantë ka dhe Kryetari i Bashkisë që do të doja të gjithë bashkë ta duartrokasim, ta mbështesim, ta inkurajojmë, për të vazhduar ato projekte të tjera. Sepse të gjithë e keni parë, nuk ka qenë kështu Çorovoda, nuk ka qenë kështu Skrapari. Nuk dua ti përmend investimet sepse ato flasin vetë. Dhe është puna  dhe merita e tij duke I qëndruar në kokë këtyre investimeve. Por krahas tyre e rëndësishme është që ne duhet të jemi me njerëzit. Te respekti që duam të tregojmë.

 Sigurisht që në politikë na japin dhe leksione të ndryshme dhe unë dua ta ndaj këtë leksion që na kanë dhënë me ju. Pasi një senator në Amerikë kishte fituar dy herë e para dhe herën e tretë humbi në zgjedhje. Dhe i drejtohet komshies së vetë të cilën e kishte pasur shoqe në shkollë, për  të ditur se pse humbi në zgjedhje. Ajo në punën e vetë ishte shkencëtare, nuk merrej me politikë, thotë nuk e di. Dhe kur ky e pyet se për kë ke votuar ajo natyrshëm ia kthen, dy herët e para ke ardhur më ke kërkuar votën ta kam dhënë. Këtë herë ti nuk denjove të më kërkojë votë. Erdhi kandidati tjetër ia dhashë votën atij. Ky është një mësim për të gjithë ne që merremi me politikë, por dhe të gjithë ata që mbështesin LSI. Ne jemi 2000 vota para në zgjedhjet e pushtetit local, por kjo nuk na bën që të flemë gjumë. Përkundrazi,ky leksion është për të gjithë. Ta fillojmë ne, nga vëllai, nga motra, nga komshiu. Dhe pa bërë për vetë vëllain, komshiun, ne nuk kemi të drejtën morale të kërkojmë te të tjerët. Këshilla ime për veten dhe për të gjithë ju. Ta fillojmë nga vëllai, motra, komshiu që të kemi një rezultat dhe ky rezultat sigurisht që në Skrapar do jetë pozitiv. Skraparllinjtë, nuk tremben. Nuk bien lisat në Skrapar se fryn era në Myzeqe.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Naço: Kryeministri asnjë premtim të mbajtur, por vetëm mashtrime për Skraparin