NASIP NAÇO: DEPUTETËT E PS I KISHIN TË DYJA KËMBËT NË NJË KËPUCË, NË KËPUCËN E KRYEMINISTRIT DHE NDAJ VOTUAN ME KOKËN ULUR LIGJIN PËR TEATRIN

Intervista e Deputetit të LSI-së Nasip Naço për Fax News

Z.Naço çfarë ka ndodhur në seancën e Kuvendit?

Kryetari i Kuvendit, apo sekretariati teknik i ka të gjitha mundësitë për të parë qoftë dhe me pamje filmike, sepse ai që vuri dorën dhe votoi në emër të z. Tavo ka qenë dikush tjetër. Nuk ka qenë pjesë e LSI. Mjafton ky fakt për t’iu treguar gjithkujt seriozitetin që në Kuvend ka një rregullore dhe një kod të etikës të miratuar fatmirësisht të miratuar vetëm nga votat e mazhorancës. Mjafton një veprim i tillë për ta penalizuar në rrugë administrative deputetin në fjalë, që ka votuar në emër të një deputeti tjetër. Besoj se kaq mjafton. Për sa kohë nuk është marrë një masë, nuk besoj që janë për t’u marrë seriozisht deklaruesit që flasin në emër të mazhorancës dhe këtu kjo pjesë e falsifikimit, mbyllet për mendimin tim, për sa i përket qëndrimit që mban mazhoranca. Për pjesën tjetër, sigurisht që opozita i ka të gjitha mjetet demokratike për të reaguar, qoftë në seancë, qoftë jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.

Ju përmendët pamjet filmike. E njëjta gjë është përmendur dhe nga ana e mazhorancës për sa i përket akuzës që erdhën për z. Panariti dhe z. Braimllari.

Në momentin që është votuar, personi gati i fundit nga Grupi parlamentar i LSI kam qenë unë. Pjesa tjetër, z. Panariti, z. Braimllari kanë qenë para meje, në drejtim të foltores së Kuvendit, ku ishte dhe pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës me kartonin e kuq, si një shenjë për t’i deklaruar Kryeministrit që kemi marrë një karton të kuq dhe vota jonë është kundër miratimit të ligjit të Teatrit. Një ligj antikushtetues, një ligj antiligjor, që bëhet për një shoqëri të caktuar pa transparencë. Dhe kur nuk ka transparencë sigurisht që ka korrupsion. Dhe ku ka korrupsion, nuk ka paraqitje të ndërkombëtarëve, dhe kur nuk ka paraqitje të ndërkombëtarëve, sigurisht vendi është në diktaturë dhe të gjithë duhet të reagojnë, deputetët, shoqëria civile dhe opinioni publik.

Ka pasur një reagim nga ana e z. Taulant Balla, i cili ka thënë që do të ketë një publikim të pamjeve filmike. Përse mendoni se ai po e bën këtë?

Besoj që nuk ka asnjë lloj video përgjimi, video manipulimi që të tjetërsojë dorën dhe gishtat e z. Panariti apo të z. Braimllari në vend të një deputeti tjetër që është pjesë e mazhorancës.

A quhet i parregullt votimi edhe nëse është i shkaktuar me qëllim nga deputetët e opozitës?

Unë besoj që me të drejtë dy kryetarët e grupeve parlamentare, qoftë ai i PD, por dhe z. Vasili në emër të LSI, i kanë renditur arsyet përse duhet të përsëritet votimi për ligjin për Teatrin. Fakti që nuk përsëritet, fakti që mazhoranca e kalon diçka shumë të lehtë, duke aluduar gjithmonë në emër të deputetëve të LSI, tregon qartë panikun dhe frikën që ka kapur mazhorancën në lidhje me miratimin e këtij ligji. Ne pamë qëndrimin në seancë të deputetëve të tjerë, të cilët në bazë të disa pyetjeve që unë kam drejtuar ministrave kundërfirmues, znj. Kumbaro, apo z. Ahmetaj në lidhje me pr/ligjin dhe shikonim që ishte një reagim ndryshe i tyre në seancë dhe ata nuk e kishin transparencën e nevojshme për atë çka do votonin. Kam deklaruar në seancë që z. Rama iu ka futur të dyja këmbët në një këpucë, pasi një pjesë e juaja pretendon për t’u bërë ministër në shtator dhe të vesh kostumin që sot, një pjesë pretendon të bëhet kryetar bashkie, të lërë mandatin dhe të kalojë në kryetar bashkie, por pa firmën e Ramës as të parët dhe as të dytë nuk bëhen. Dhe pjesa tjetër, prapë është në firmën e Ramës, është në prag të zgjedhjeve të parakohshme, sigurisht që do jetë Kryeministri ai që do caktojë listën e deputetëve. Dhe nisur nga këto që parashtrova më sipër, të gjithë deputetët e PS i kishin të dyja këmbët në një këpucë, në këpucën e kryeministrit dhe ndaj votuan me kokën ulur ligjin për teatrin.

Çfarë duhet të bëjë opozita në këto kushte?

Unë besoj që votimi i ditës së enjte, seanca e sotme, janë përballë opinionit publik, shoqërisë civile, përpara partnerëve tanë ndërkombëtarë, përpara trupit diplomatik që është i akredituar në Tiranë, dhe besoj që e kanë marrë një notë dhe nota është katër, nuk është notë kaluese për qëndrimin që mban mazhoranca, për arrogancën që tregon mazhoranca në miratimin e këtij ligji, i cili është antikushtetues.

Vota kundër e LSI për sa i përket ligjit për emërimin e studentëve të Magjistraturës është arsyeja përse mazhoranca ka shtyrë diskutimin dhe votimin për në seancën e ardhshme?

Nisur dhe nga propozimi që është bërë nga dy deputetë të mazhorancës, një propozim rrufe, i padiskutuar me asnjë grup parlamentar, qoftë të PD apo të LSI, një propozim i sjellë në seancë pa asnjë lloj diskutimi për të marrë flamurin e reformës në drejtësi, sepse këta janë flamurtarët dhe vetëm këta mund ta bëjnë reformën në drejtësi. Unë besoj që reforma e nisur me shumë dëshirë e nisur nga mazhoranca në 2013, unë kam qenë ministër i Drejtësisë dhe kam një pjesë të konsiderueshme, pjesë të reformës në drejtësi. Mos të harrojmë që ka qenë Ministria e Drejtësisë e drejtuar prej meje, me një grup ekspertësh dhe këshilltarësh nga më të mirët në atë kohë i kemi drejtuar një material Kuvendit të Shqipërisë prej rreth 180 faqe ku bënim një analizë të gjithë sistemit të drejtësisë. Pra, kishim analizuar që sistemi jonë i drejtësisë nuk mund të funksionojë më, duhet një reformë e thellë, një reformë e gjithanshme. Kemi një votim me 140 deputetë, kemi 7 ligje të votuara të miratuara me konsensus dhe të LSI dhe shohim që ky konsensus u shpërdorua, dhe reforma në drejtësi është deformuar, me qëllimin e vetëm që PS, mazhoranca të menaxhojë reformën në drejtësi, të emërojë të gjithë njerëzit që mendon se janë të përshtatshëm për të ruajtur interesat e saj. Paraqitja e këtij ligji në thelb çfarë bën? Jep mundësi në mungesë të krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të KLP edhe njëherë Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të bëjë emërimet e këtyre 13 magjistratëve gjyqtarë për ti emëruar. Pra, kam qenë unë si Ministër, ka qenë kryeministri, ka qenë mazhoranca që ka anatemuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë për mendimin tim me të drejtë, me fakte dhe prova, mënyrën se si e bllokoi Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjithë pjesën dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë qoftë nga emërimet nepotike apo nga bllokimi që i bëheshin propozimeve që dërgonte ministri i Drejtësisë, dhe jo pak. Dhe si ministër i Drejtësisë kam propozuar rreth 44 procedime disiplinore. Nga këto 24 kanë qenë vetëm për shkarkimin e këtyre gjyqtarëve dhe KLD ka pranuar me `gishtat e njërës dorë` për t`i shkarkuar dhe këto, gjendur përballë opinionit publik, përballë medias, sepse një pjesë e këtyre rasteve kanë qenë të denoncuar nga mediat për raste korrupsioni. Në rastet e tjera, në asnjë mënyrë KLD nuk ka mbështetur propozimet e ministrit të Drejtësisë, në emër të qeverisë, për ta reformuar sistemin, për tu bërë amendime të ndryshme apo për të funksionuar më mirë KLD. Unë personalisht e kam bërë prezent para Grupit parlamentar të LSI, por edhe nëpër komisione ligjore, që nuk mundem asnjëherë që me votën time të kthehem prapa 180 gradë dhe t’u japë mundësinë një pjesë të këtyre anëtarëve të KLD-së, sepse disa të tjerë kanë pasur qëndrim pozitiv ndaj reformës, por një pjesë e tyre të emërojnë këta studentë të magjistraturës. Imagjinoni studentë në magjistratë, të cilët sa kanë dalë nga bankat e shkollës, për të marrë një vend të mirë sipas meritës dhe kualifikimit që ata kanë marrë në shkollë, do t`i duhet që të kapë të 15 anëtarët e KLD-së, me ligjin e vjetër, për ta emëruar atje ku realisht ata e meritojnë. Pa bërë një lobim me këta anëtarë të KLD-së, asnjëherë nuk mund të emërohen. Unë kam pasur raste si ministër i Drejtësisë, për të funksionuar më mirë Gjykata e Tiranës, e cila është më e madhja. Kam kërkuar në 13 vende vakante të emëroheshin 13 studentë magjistratë për ta përmirësuar qoftë në imazh, por edhe në përbërje Gjykatën e Tiranës. Çfarë ndodhi? Dhe pse ishte traditë, që studenti më i mirë i shkollës së magjistraturës të paktën emërohej në Tiranë, as këtë nuk e sollën dhe fakti është shumë i thjeshtë. Këta anëtarë të KLD-së preferuan më mirë të sillnin gjyqtarë nga rrethet, sepse kuptohet që ata ishin më të shëndetshëm nga ana ekonomike sesa këta studentë, që sapo kishin mbaruar shkollën dhe ishin nevojtarë. Pra, një pjesë e tyre e meritonin të vinin gjyqtarë në Gjykatën e Tiranës, por pjesa tjetër erdhi me mbështetje të fuqishme ekonomike. Pikërisht, këtë e bëri KLD dhe unë nuk mund të pranoj prapë sot që me ligj tu jepet një mundësi KLD-së që të kthehet dhe njëherë e t’u kërkojë ndere dhe votën. Pas disa javësh, do mblidhet konferenca gjyqësore për të përzgjedhur 6 anëtarët të KLGJ dhe nëse këta gjyqtarë emërohen sot me këtë KLD, që të votojnë për interesat e këtyre anëtarëve për të pasur njeriun e tyre, sipas interesave të tyre, kjo nuk mund të bëhet për këtë arsye. Nuk mundet që me ligjin që propozohet, që përkon më ligjin `Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve`, Prokurori i Përgjithshëm i përkohshëm të bëjë të mundur që edhe ajo të emërojë 10 apo 12 studentë magjistratë, pra prokurorë, ku me ligjin e vjetër ishte propozim i Prokurorit të Përgjithshëm, ku i miratonte Presidenti i Republikës, ndërsa sot Prokurori i Përgjithshëm i emëron sipas interesave dhe bindjeve të saj. Këtë nuk mund ta bëjë. E para njëherë, është zgjedhur në kundërshti me ligjin. E dyta, do emërojë të gjithë këta studentë magjistratë atje ku ajo e mendon që këta studentë t`i kthejnë nderin pas disa kohësh kur të mblidhet konferenca e përgjithshme e Prokurores. Aty do zgjidhen 6 prokurorë, që do jenë anëtarë të KLD, por do i kërkohet edhe nderi për të votuar për X apo Y. Ne nuk mund ta bëjmë këtë, për aq kohë sa kam qenë pro Reformës, e kemi mbështetur atë dhe të kthehemi 180 gradë në këto 2 institucione, është e pamundur dhe e palogjikshme për t’u kthyer te këta që kanë dështuar me Reformën në Drejtësi. E para, këta duhet të kthejnë të gjitha dekoratat që kanë marrë. Janë paguar nga taksapaguesit shqiptarë, por edhe nga ata të huaj.

Pra, do e quani si një rikthim pas?

Shiko, kjo ka të bëjë me nenin 1 që përkon me ndryshimin e nenit 160. Në nenin 2 ku flitet vetëm për studentët e magjistraturës që do vijnë në vitin akademik 2019-2020, duhet të përgatiten të gjitha procedurat deri në muajin tetor. Në nenin 2 ishte parashikuar nga ata që bënë propozimin, që të ishin 25 studentë magjistratë, përkatësisht prokuror dhe gjyqtarë. Në mungesë të krijimit të KLP dhe KLGJ, këto duhen bërë me ligj nga Kuvendi. Unë kam shprehur mendimin tim pozitiv për nenin 2 dhe kam thënë se edhe nëse do jetë në kundërshtim me vullnetin e grupit parlamentar të LSI-së, unë do e votoj sepse sistemi i Drejtësisë ka nevojë për studentë magjistrate. Mund të kemi parasysh nga viti 2000, ku janë 180 studentë magjistratë që janë sot pjesë e sistemit të Drejtësisë, ku rreth 170 janë prokurorë që kanë dalë nga Shkolla e Magjistraturës, ku për mendimin tim edhe në kohën kur kam qenë ministër, do shpreh gjithnjë konsideratën dhe fjalët e mira për këtë shkollë dhe do jetë ajo që do plotësojë vendet vakante që do jenë për ata që dalin në pension, që japin dorëheqjen, që ikin si pasojë e vetingut dhe detyrimisht të kemi studentë nga kjo shkollë. Të jenë një hap para dhe t`i përgatisim për të plotësuar këto vende. Por çfarë ndodhi? Edhe pse kishim rënë dakord dhe ka pasur ndërhyrje nga organizma ndërkombëtarë për të mbështetur nenin 2, nisur nga deklaratat e mia, në seancën e komisionit të ligjeve, pa e diskutuar me askënd, mazhoranca propozoi që numri 25 të bëhej 50. Për mua le të bëhet dhe 75 apo 80, nuk do kishte asnjë lloj problemi nëse shkolla do ketë mundësi për t`i përgatitur këta studentë në kohë, por u hoq viti akademik 2018-2019 dhe 2019-2020. Pra mazhoranca e ka kuptuar që ka dështuar me Reformën në Drejtësi, do ta lërë pafundësisht të hapur këtë problemin e vitit akademik, pra nuk mendon se do bëhet për 2, 6 muaj apo 1 vit. Fakti që ka hequr këtë nen të rëndësishëm që përcakton edhe vitin akademik për të krijuar bindjen që për 1,2 apo 6 muaj do krijohet KLP dhe ai gjyqësor, sigurisht që votova kundër dhe i kam kërkuar dhe grupit parlamentar pasi deputetët e mazhorancës, pra të PS nuk janë të sinqertë me reformë dhe janë hileqar. Po të merrni draftin në mënyrë integrale dhe ta shikoni kur është propozuar fillimisht nga drafti, i cili u amendua dhe votua në komisionin e ligjeve, shikoni ndryshimin që po ju them. Pra, është hequr viti akademik që të lë të kuptosh që këta s`kanë për ta krijuar asnjëherë KLP apo atë Gjyqësor. Nuk duan të krijohet SPAK-u, Byroja Kombëtarë e Hetimit sepse në fund të fundit problemet e mëdha i ka mazhoranca në lidhje me korrupsionin, shkeljen e ligjit dhe antikushtetueshmërinë e saj. Nuk i ka opozita. E thashë edhe pak më përpara që Edi Rama nuk ia ka futur dy këmbët me një këpucë opozitës, por mazhorancës së vet që i detyron të votojnë çdo lloj ligji që sjell në parlament pa asnjë lloj diskutimi. Madje, e ka thënë edhe vetë në mënyrë inovative, kanë ecur tejet përpara vetë siç ishte edhe ligji për teatrin, në kundërshti me të gjithë praktikën ligjore dhe atë kushtetuese.

A mendoni se mund të ketë një akord mes LSI-së dhe mazhorancës për ta votuar, pasi mund të ketë qenë edhe kjo arsye se përse u shty votimi?

Personalisht jam jashtë këtij pazari, do ta quaja, nëse është i vërtetë, qoftë edhe me deputetë të LSI-së. Jam jashtë këtij pazari për argumentet që dhashë dhe që i kam parashtruar edhe më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LSI-së. Ky nuk është një pazar që duhet bërë mes meje dhe dy-tre deputetëve të tjerë për të plotësuar numrin 84, pasi kjo do të ishte shumë e rëndë. Në qoftë se mazhoranca do të mendonte që do të blejë 1 apo 2 deputetë për të plotësuar këtë numër dhe do t’ia hedhë hallit. Besoj që reforma në drejtësi ka nevojë për mbështetjen e gjithë klasës politike, edhe të opozitës. Ky do të ishte suksesi i kësaj reforme. Në qoftë se ata mendojnë që i kanë 69 vota dhe mund ta zgjedhin Prokurorin e Përgjithshëm për 1 muaj dhe po kalon viti dhe ata nuk kanë menduar që të krijojnë KLP-në, pa krijimin e së cilës nuk mund të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm, as Byroja Kombëtare e Hetimit dhe as SPAK-u. Pra, janë disa institucione rresht. Por, ngjarja më e rëndë që po ndodh sot në Kuvend është mos emërimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pra një organ kushtetues që do t’u bëjë vetingun 24 orë të gjithë këtyre që kalojnë vetingun sot. Për sa i përket pyetjes suaj, unë nuk besoj se ka një Pazar mes LSI-së dhe mazhorancës. Ne jemi pjesë e një fronti opozitar. Ne do donim që në qoftë se kjo reformë do të kalonte, kjo të realizohej me miratimin e 140 deputetëve në seancë. Nuk besoj që për të kaluar radhën, Partia Socialiste ka nevojë për votat e 3 apo 4 deputetëve për të dalë nga kriza e saj e identitetit.

A mendoni se do të ketë rrjedhje votash ashtu sikurse ndodhi edhe me Robert Bitrin?

E thashë edhe më sipër që jam tërësisht jashtë këtij pazari të mundshëm, që ju përmendni. Unë besoj që Grupi Parlamentar i LSI-së është një grup kompakt, ku vendimet merren me një konsensus të gjerë, të gjithë dëgjohen për qëndrimet e tyre pro apo kundër. Ata që nuk flasin asnjëherë, asnjë mendim dhe pastaj votojnë, kjo është çështje e tyre, nuk është as e Grupit Parlamentar të LSI-së dhe as e vetë LSI-së.

Si e vlerësoni qëndrimin e z. Bitri?

Unë jam deputet në Qarkun e Beratit dhe në Berat ka një shprehje që thotë: “Nuk ngelet Berati pa dhallë se ngordh një dhi në Velabisht”.

Ndërkohë ka pasur reagime edhe nga vetë deputetët Panariti dhe Braimllari, të cilët e kanë mohuar këtë gjë. A mendoni se pamjet filmike do të arrijnë të vërtetojnë atë që ka ndodhur vërtet?

Në mënyrë absolute nuk kanë për të vërtetuar asgjë, pasi kam qenë vetë i pranishëm në seancë dhe nga deputetët e LSI-së, i fundit që ka qenë afër vendit të z. Bitri kam qenë vetëm unë. Në qoftë se kam votuar unë dhe në pamje del Panariti dhe Braimllari, atëherë kjo është tjetër gjë.

Cila është zgjidhja alternative për emërimin e Laureatëve të Magjistraturës, sipas jush?

Unë besoj që Grupi Parlamentar i PS-së së bashku me atë të LSI-së dhe të PD-së, pra Kuvendi, i ka të gjitha mundësitë që të gjejë një konsensus për miratimin e këtij ligji. Të dalë nga kjo krizë ku e ka futur Partia Socialiste me mazhorancën e saj dhe sigurisht në politikë të gjitha janë të mundshme. Fakti që Partia Socialiste përmes deputetëve të saj luajnë me faktin e kryer për ta marrë ata flamurin e Reformës në Drejtësi dhe pastaj vijnë e kërkojnë votat në mënyrë individuale, nuk besoj se kjo është zgjidhje. Mendoj që Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e ka humbur qetësinë.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on NASIP NAÇO: DEPUTETËT E PS I KISHIN TË DYJA KËMBËT NË NJË KËPUCË, NË KËPUCËN E KRYEMINISTRIT DHE NDAJ VOTUAN ME KOKËN ULUR LIGJIN PËR TEATRIN