Nis muaji i Ramazanit, Kryemadhi mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë

Ditën e sotme besimtarët myslimanë kanë startuar muajin e madhërishëm të Ramazanit, i cili është edhe muaji i agjërimit.

Për këtë ka reaguar edhe Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi me një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë përmes rrjetit social Facebook.

“Muaji i Bekuar i Ramazanit ka nisur sot dhe unë dëshiroj nga zemra të uroj të gjithë besimtarët mysliman, por dhe mbarë shqiptarët për një agjërim të lehtë, të pranuar dhe sa më shumë vepra të mira!” – shkruan Kryemadhi.

Më poshtë postimi i plotë i Kryemadhit:

Muaji i Bekuar i Ramazanit ka nisur sot dhe unë dëshiroj nga zemra të uroj të gjithë besimtarët mysliman, por dhe mbarë shqiptarët për një agjërim të lehtë, të pranuar dhe sa më shumë vepra të mira!

Ramazani është muaji i sakrificës, i tolerancës dhe mëshirës, vlerat e të cilit qëndrojnë sa tek hyjnorja aq dhe tek njerëzorja, sa tek afrimi me Krijuesin aq dhe tek rigjetja e vlerave më të mira në shoqëri e kohën ku jetojmë.

Ramazani përçon tek ne nëpërmjet agjërimit mesazhin e madh të ndalimit nga e keqja, përmirësimit dhe vëllazërimit.

Agjërimi është mundësia e madhe për t’u përmirësuar në misionin tonë në jetë, penduar për gabimet dhe për të bërë atë që Krijuesi na ka udhëzuar të bëjmë, përçimin e vlerave më të mira me anë të veprave të mira për njerëzimin.

Ky muaj lartëson shpirtin dhe pastron zemrën por dhe na nxit të jemi më pranë atyre që janë të pamundur.

Toleranca fetare është për kombin shqiptar një referencë krenarie dhe një pasuri e paçmueshme.

Le të jetë ky muaj i shenjtë një shans i artë për të bashkuar forcat e rizgjuar shpresën për një të nesërme më të mirë për kombin tonë.

Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

 

/ In News / By Admin / Comments Off on Nis muaji i Ramazanit, Kryemadhi mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë