Nora Malaj: Pesha e gruas shqiptare dhe viti ekonomik i vështirë 2020 !

Nga Nora Malaj

Pesha e gruas shqiptare dhe viti ekonomik i vështirë 2020 !
Hyri një vit i vështirë për ekonominë shqiptare! Kështu thonë , për fatin tonë të trishtë ,të ekonomisë shqiptare , të gjithë analistet e ekonomisë!
“Me mbarimin e projekteve të mëdha, pasojave të tërmetit, sidomos në turizëm, emigrimin që po godet fuqinë punëtore e produktivitetin e kompanive, krizën e tej zgjatur politike, ambientin e rënduar për të bërë biznes, që po pengon investimet e huaja, eficiencën e ulët përballë konkurrencës së lartë europiane e rajonale, 2020-a pritet të jetë i vështirë për ekonominë shqiptare. Pjesa më e madhe e sektorëve, me përjashtim të industrisë automotive, janë pesimistë. Institucionet ndërkombëtare e vënë theksin te qeverisja e mirë dhe kryerja e reformave si një parakusht për përshpejtimin e rritjes në afatin e mesëm e të gjatë”. Kjo është prognoza e analizave ekonomike e ndërkohe zonjat e shtëpisë duhet të përgatiten se pesha e barrës së tyre në punët e shtëpisë do të jetë tejet më e madhe. E thënë ndryshe , kriza ekonomike ka trokitur ne familjet tona!
Duket si tringëllimë, po në fakt është kembana e alarmit , që do të ndihet në tryezat tuaja , te dashura zonjat e shtëpisë. E teksa punët e shtëpisë do të shtohen, çmimi për çdo produkt, duke filluar nga shporta e ushqimeve bazë është rritur me masën 30 për qind .Produktet e detergjenteve për të mbajtur pastër shtëpinë ( ndonëse këto punë për të gjitha gratë amvisa ose jo , janë punë të papaguara) rritet në masën 40 për qind ( fut këtu edhe ujin e korrentin , çmimet e të cilave janë dyfishuar ) dhe rroga që dikur ishte e mjaftueshme për të përballuar deri diku koston e jetesës , rreth 90 për qind do të shkojë vetëm për konsumin ushqimor , pa llogaritur shpenzimet e tjera, kur ke fëmijë të vegjël , në shkollë apo të moshuar të sëmurë , që duan shërbime të dedikuara dhe medikamente të kushtueshme dhe të shtrira në kohë. E gjithë kjo barrë dhe krizë financiare do të bjerë mbi gruan , e cila duhet të menaxhojë ketë situatë që quhet “Krizë ekonomike”.
“Ekonomia europiane pritet të rimëkëmbet shumë ngadalë në 2020-n, sipas parashikimeve të Komisionit Europian, me 1.2%, nga 1.1% vitin e mëparshëm.” Të dhënat e Monitorit tregojnë se situata ekonomike është shumë e rëndë dhe të parët do ta ndjejnë familjet shqiptare, të cilët do të punojnë për mbijetesë. Ato që sot kanë mbetur pa shtëpi nga goditjet e tërmeti, ato që kanë një nivel nën mesatare dhe që janë familje të varfra, ku shteti nuk i garanton statusin e ndihmës ekonomike. Po krizën me të madhe do ta ndjejë gruaja, nëna dhe sidomos ajo shtëpiakja që përtej peshës së punëve në familje ( që janë të papaguara) dhe pamundësisë për të gjetur punë, do të vuaj dhe krizën e depresionit social , që ka mbytur tërë shoqërinë tonë. Ajo , gruaja , nga njëra anë duhet të përgatitet që mëmësia dhe të qenit amvisë këtë vit do ta ketë shumë të vështirë, pasi do përballet me krizën ekonomike , e cila do të ndjehet në tryezën e familjes dhe nga ana tjetër , vështirësitë për të ruajtur dhe menaxhuar situata e vështira , të cilat rrjedhin nga kriza ekonomike. Borxhi publik është 2.600 euro për çdo shqiptar. Kjo e bënë edhe më të vështirë jetesën, pasi do kthehet në mbijetesë dhe ajo që do ta ndjej më shumë ketë peshë është gruaja, sidomos ajo kryefamiljare dhe ato që jetojnë në sfidën e të përditshmes për të mbijetuar, duke dashur t’ua bëjnë jetën më të lehtë fëmijëve të tyre apo të moshuarve , për të cilat ato kujdesen me devocion dhe mirësi. Ky vit do të jetë i vështirë për ty nënë apo grua , se shpenzimet për argëtim dhe kulturë nuk kanë vend për familjet që shpërndajnë burimet e tyre të pakta financiare në sigurimin e gjerave bazike, sikurse është ushqimi dhe çatia mbi kokë. Ky vit do të jetë viti i trishtë ekonomik për familjet shqiptare e në veçanti për gruan dhe shpatullat e saj të brishta