Nora Malaj: Problematikat e skemës ekonomike, ndihmë grupeve në nevojë

 

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nora Malaj, ka qenë e pranishme ditën e djeshme në bashkëbisedimin e realizuar me studentët e Shkencave Sociale në lidhje me problematikat e ndihmës ekonomike. Malaj i kushtoi një rëndësi të madhe varfërisë, njerëzve në nevojë, kategorive vulnerabël, por gjithashtu edhe problematikave që hasen te të rinjtë sot. ‶Qëllimi i skemës është për ato kategori që janë të diskriminuar, në nevojat bazike që kanë. Dhe nevoja bazike është nevoja e të ushqyerit, nevoja e shtëpisë, e punësimit, e arsimimit. Të realizojë arsimimin e tyre, dhe nëse arsimimi i tyre do kohë, t’u japë shansin një arsimimi profesional dhe paralelisht të realizojnë dhe arsimimin në mënyrë që të jenë në dy sektorë të mundshëm″, thotë deputetja e LSI-së. Sipas saj, Shqipëria po vazhdon në 2018-ën tranzicionin e tejzgjatur dhe problemi më i madh radikal dhe kryesor lidhet me atë që quhet ekonomi e paqëndrueshme. 

Fjala e plotë e deputetes Malaj 

Është një nga takimet më të mira që po organizojmë sot dhe po e fillojmë javën pikërisht me një nga krye problemet që ka sot në Shqipëri, që lidhet me nevojën e ndihmës ekonomike dhe që lidhet me pikëpyetjen më të madhe: Varfëria është shkak, apo pasojë? Sigurisht paneli i sotëm, grupi i interesit të sotëm, për ne si përfaqësues dhe deputetë të Parlamentit, është grupi më interesant, pasi lidhet me nivelin e studentëve tanë, të cilët këtë kauzë nuk e shohin vetëm në aspektin për të bërë një analizë të thellë dhe shkencore të situatës aktuale dhe për ta parë si dukuri të shoqërisë, por edhe për faktin se si mund të bëhen zgjidhje, duke kuptuar që sot studentët duhet të jenë pjesa reale e zgjidhjes së problemit. Në mënyrë që problemi të mos ngelet pa zgjidhje. Ne kemi dy muaj e ca që po diskutojmë pa fund edhe në grupet parlamentare, në dëgjesa të ndryshme, në debate televizive për këtë problem shumë madhor, që tashmë qeveria e ka marrë si prioritet, por që ka mbrapa shumë problematika, që lidhen së pari me transparencën; së dyti, me mënyrën se si po aplikohet. Së treti, lidhet me mënyrën se si me një të rënë të lapsit po ikin grupet, të cilat janë në nevojë të domosdoshme për të realizuar standardin e jetesës së tyre si një masë shpëtuese për nivelin më të ulët të varfërisë.  

Së katërti, për t’i dhënë shansin kategorive në nevojë, kategorive vulnerabël, njerëzit me aftësi të kufizuar për t’u krijuar mundësinë për të realizuar sfidën e jetës, për t’u mirarsimuar dhe më pas për t’u punësuar. Së pesti, për ta bërë skemën sa më të plotë. Cilat kanë qenë problemet dhe përse ne sot jemi bashkë këtu? Sepse qeveria e filloi në 2014 si një ide, si një projekt pilot dhe pas tre viteve u bë projekti dhe ne nuk dimë asgjë se çfarë solli projekti? A solli ndryshim skeme? A solli mekanizëm pozitiv? A krijoi mundësitë që bashkitë që duhet ta realizojnë këtë si instrumenti bazë dhe mekanizmat që duhet ta realizojnë këtë realisht në 6% e GDP së tyre, të buxhetit të tyre e realizojnë këtë gjë? Qëllimi i skemës është për ato kategori që janë të diskriminuar, në nevojat bazike që kanë. Dhe nevoja bazike është nevoja e të ushqyerit, nevoja e shtëpisë, e punësimit, e arsimimit. Të realizojë arsimimin e tyre, dhe nëse arsimimi i tyre do kohë, tu japë shansin një arsimimi profesional dhe paralelisht të realizojnë dhe arsimimin në mënyrë që të jenë në dy sektorë të mundshëm. Dhe ata që janë të aftë për punë të ikin nga skema e ndihmës ekonomike dhe t’u japë shansin një familje tjetër të hyjë në skenën e ndihmës. Të krijojë mënyrën që mekanizmi që do ta realizojë këtë të jetë shumë profesionist, që do të thotë të kemi një data-base shumë të saktë dhe informacion shumë të saktë, të ketë mundësi që njerëzit të mos i heqim nga skema, ku në mënyrë arbitrare dhe jo të drejtë, meqenëse nuk funksiononte skema, apo me një të rënë të lapsit i heqin nga skema. Ky është një mekanizëm që po prek shumë qasjen sociale. Përse them që është shumë e rëndësishme dhe pse duhet në kohën e duhur, në momentin e duhur? BERZH jo më larg se sa sot, nxjerr një nga informacionet më të rëndësishme ku thotë: Shqipëria është ulur në stokun më të madh të investimeve nga kapitali i huaj për vende pune, apo oferta. Dhe sot investimi që bëhet në Shqipëri është 1000 euro për frymë dhe është vendi më i fundit në raport me vendet e rajonit.  

Tregon që tashmë varfëria ulet këmbëkryq dhe qeveria nuk po bën gjë. Për fatin tonë të keq, po bën një make-up, po rregullon me aksione dhe me nisma të pastudiuara situate, duke lënë familje, të cilat realisht janë shumë nevojë për t’u realizuar dhe me të vërtetë quhen drejt varfërisë dhe drejt urisë. Një problem tjetër që shfaqet sot dhe që ne ende nuk e dimë, dhe qeveria ende nuk ka marrë përsipër të bëjë raportimin dhe të japë se cili është niveli i standardit të minimumit jetik, që duhet të ketë një familje shqiptare? Jemi larg standardit dhe nevojës për të analizuar situatën dhe për të thënë se çfarë duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të bërë ndryshimin. Nga ana tjetër, shohim një propagandë të jashtëzakonshme që personazhe apo politikëbërës bëjnë sikur janë pranë familjeve dhe po mundohen që shitjen e varfërisë ta quajnë si kauzë të tyre. Pse është i rëndësishëm ky debat? Pse janë të rëndësishme reformat? Shqipëria po vazhdon në 2018-ën tranzicionin e tejzgjatur dhe problemi më i madh radikal dhe kryesor lidhet me atë që quhet ekonomi e paqëndrueshme. Nuk kemi ende një pakt kombëtar për realizimin  e ekonomisë së vendit tonë. Mundohen që njerëzve t’u imponojnë pozicione të tilla, që kur nesër të vijnë zgjedhjet lokale, t`i bëjnë presione për bukën e gojës dhe vendosjen në skemat ekonomike. E drejta e punësimit, e arsimimit dhe e strehimit janë të drejta kushtetuese edhe si të tilla, të gjithë taksapaguesit shqiptar që janë pjesë e buxhetit të shtetit, duhet të jenë pjesë reale e zgjidhjes së problemit. Shteti ka detyrime ligjore që t’u garantojë qytetarëve sigurimin e jetesës dhe një standard jetese më të mirë.  

E parë në këtë prizëm dalin probleme sociale shumë të mëdha. Këto lidhen me problemet e dhunës, por edhe me familje me problematika të ndryshme. Ju e dini kur një familje nuk ka të ardhura është i detyruar të punojë dhe të kryejë punë të rënda. Shqipëria po kalon situata shumë të vështira sot, më gjithë problematikat e mbartura dhe për fatin tonë të keq, sot me gjithë pozicionin që ajo është kthyer, nga një vend që duhet të ishte e përfolur për turizmin e saj, apo për zhvillimin e traditës, është kthyer në qendrën e luftërave  dhe pjesën më të rëndë që lidhet me drogën dhe krimin. Për të vazhduar më tej, të gjitha moshat e reja nga 18 vjeç e lart duhet të kenë shansin e barabartë për tu futur në tregun e punës. Situata bëhet akoma edhe më e rëndë sot, aktualisht kur flasim për bizneset, ku janë mbyllur mbi 1000 dhe mos harroni se deri në prill do kemi një situatë aq të trishtë, saqë ne nuk do donim kurrsesi të ishte kështu. Ju e shikoni që realiteti është shumë i dhimbshëm dhe i trishtë, por ka ardhur një moment që ne të ndërgjegjësohemi të gjithë bashkë. Ne në radhë të parë që jemi pjesë e politikës, sepse në fund të ditës të bësh politika të mira sot, të zbatohen siç duhen dhe që janë pjesë e interesave të qytetarëve, nuk lidhet me siglën partiake, por me detyrimet që ne kemi përpara gjithë taksapaguesve. E dyta, lidhet edhe me atë që quhet pakt kombëtar dhe patriotik. Të jesh patriot nuk do të thotë të jesh i tillë vetëm në ditët e shënuara, por do të thotë që secili prej nesh në punën e tij të bëjë më të mirën e mundshme për vendin tonë. E treta, për të ndihmuar cilindo dhe për t`i dhënë shansin e munguar atyre që ndihen të përbuzur. Gjithashtu, për të kuptuar që Shqipëria nuk është e pushtetarëve, por është e shqiptarëve dhe si e tillë duhen mbështetur ata. Së pesti, për nevojat që kemi e sidomos për të rinjtë. Të mos harrojmë që këtë vit pjesa më e madhe që janë larguar janë rreth 70% të rinj nga mosha 17 deri 34 vjeç, që është mosha më aktive në punë dhe të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm dhe duhet të sensibilizojmë shoqërinë çdo orë dhe çdo ditë. Kjo, për të treguar që jeta duhet jetuar me dinjitet. 

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Nora Malaj: Problematikat e skemës ekonomike, ndihmë grupeve në nevojë