Petrit Vasili: Edi Rama dhe rilindja kane dalë jashtë sistemit politik shqiptar

Intervista e Petrit Vasilit për Report Tv

Te komisioni i sigurisë ditën e sotme rikthehet në vëmendje Vettingu në Polici, mënyra sesi ka ndryshuar dhe një lloj përplasje frontale me Presidentit të Republikës dhe Ministrit. Ju si e keni parë atë se çfarë ndodhi sot?

Sipas gjykimit tim, nuk ka një përplasje mes Presidentit dhe Ministrit të Brendshëm. Ka thjesht dhe vetëm një zhbërje të çdo elementi edhe potencialisht pozitiv që kjo mund të ndërtonte. Pra thënë më thjesht, një ligj i cili u miratua në kohën kur Ministri i Brendshëm ka qenë Fatmir Xhafa dhe për të cilin ligj në mënyrë të veçantë LSI, imponoi disa ndryshime të rëndësishme. Propozime të saj por dhe të partnerëve tanë amerikanë. Të gjitha këto u zhbënë dhe thelbi pozitiv në dukje, i ligjit për Vettingun në Polici ra. Për ta kuptuar qytetarët është shumë e thjeshtë do jap vetëm dy elemente. Ishte përcaktuar që do të kishte një komision që do të bënte Vettingun, pra të tregonte pastërtinë e policisë, që ishte një Komision i ndërtuar me personalitete, njerëz jashtë sistemit. Pikërisht për të ruajtur paanshmërinë dhe për të rritur besueshmërinë. Dhe kjo u anullua dhe u mbajt përsëri brenda.

Brenda për shkak të kostos u tha të paktën…

Nuk dua ta s’fokusoj bisedën, kostot ishin llogaritur dhe po mazhoranca dha argumente pafund që nuk ishin asnjë lloj problemi kostot. Nuk i thamë ne. Ne insistuam në atë kohë madje patëm një qëndrim shumë konstruktiv me idenë që çdo gjë që do të ndihmonte në pastrimin e një policie të inkriminuar në themel, do ndryshonte. Vettingu sikurse keni parë dhe Vettingun e Prokurorëve dhe gjyqtarëve është një proces emergjent që shtrihet në një kohë të  caktuar pra brenda një afati kohor të caktuar një apo dy vjet, ndodh ky pastrim i policisë apo i çdo institucioni ku Vettingu kryhet dhe më tutje kthehemi në mekanizmat normal ligjor. Është hequr afati i kohës së Vettingut, pyetja është Vettingu është i përjetshëm? Çdo të thotë Vetting i përjetshëm? Do të thotë presion i vazhdueshëm i punonjësve të policisë që ata të jenë nën presionin, shiko se ka një Vetting, do ti largoj nga puna.

Ata po ikin, janë larguar …

Vettingu kishte një shtrirje të qartë në kohë, tani u hoq limiti. Ça do të thotë ta kuptojnë qytetarët? Është një proces emergjent, i cili kryhet për një nevojë shumë të madhe dhe shtrihet  në një kohë të caktuar. Si të thuash ta banalizoj fare, një shtëpi të bërë pis,e lajmë e lyejmë e rregullojmë dhe i kthehet amvisës që të vazhdojë administrimin. Nuk mund të ketë një shtëpi që lyhet dhe lahet përjetësisht. Kështu që ky proces ashtu siç ndodhi në Vettingun e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve që ka afatin e tij që lëviz nga dy deri në tre vjet, pra që ka një limit të përcaktuar, pra përjetësisht të jenë nën ankthin e tij. Pse nën ankth? Që ti detyrojë të përmbushin urdhra të paligjshme, të mbyllin sytë përpara krimit dhe korrupsionit pra të jetë një instrument i verbër në duart e politikës. Pra nuk ka konflikt mes Presidentit dhe Ministrit por një mision të zymtë të ministrit për të zhbërë çdo gjë qoftë dhe minimalisht pozitive që kjo mazhorancë  mund të kishte tentuar të bënte. Pra është një larje hesapesh brënda mazhorancës, nuk na duhet një polici që respekton ligjin dhe rregullat por na duhet një polici kamikaze e cila është e gatshme të kthehet në një armike të qytetarëve.

Pra, juve nuk besoni absolutisht tek vetting-u në rradhët e policisë aktualisht…

Më falni, këto propozime ç’bëjnë pikërisht nismën e vetë socialistëve. Nuk ka ardhur kjo…

 Por për çfarë qëllimesh në gjykimin tuaj?

E thash edhe një herë tjetër që policia të kthehet në një instrument të verbër, të jetë nën kërcënim, nën presion dhe njëherazi edhe me dy standarde. Pra meqenëse do të jetë pikërisht nga një instrument i brendshëm që e bën, juve që ju pëlqejmë t’iu mbajnë, mua që nuk më pëlqejnë të më largojnë, nëse nuk u bindem urdhrave, qofshin edhe të paligjshëm, u them shkoni dhe përleshuni, vrituni me qytetarët. Kush nuk i bindet, del vetting-u dhe e nxjerr përjashta.

Aty është transparente, duhet të kalojnë të gjithë.

Instrumenti është transparent kur është i paanshëm, pra një instrument me një organizëm mbi palët. Komisioni i Vetting-ut, zonjë e keni parë kush është ngritur? U konkurrua dhe u ngrit një komision vetting-u, nuk u ngrit gjykata të ngrinte një komision që kontrollonte veten apo jo? Kështu ishte edhe në polici, u ngrit një mekanizëm mbi palët, pra mbi të gjithë, që ishte ai që kishte të drejtë të kontrollonte, jo nga brenda, por ata nga brenda kishin bashkëjetuar dhe policia u qelb. Si mund të kontrollojnë veten ata që mbyllën sytë? Pikërisht mbi këtë baze dhe partnerët amerikanë por edhe europianë mbështetën nismën e vetting-ut, për këtë arsye ne dhamë konsensusin si LSI. Jo thjeshtë një konsensus pasi u propozuan mbi 20 ndryshime të cilat u pranuan nga ministri Xhafa në atë kohë dhe i dhanë një pamje ligjit të pranueshme në pikëpamjen time. Unë kam qenë në vijë të parë si kryetar i grupit parlamentar por edhe si mbështetës i kësaj nisme. Por sot e gjitha kjo u ç’bë sepse nevojat e një mazhorance në krizë janë që të kenë një polici të marrosur e që i bindet rregullave dhe është gati të vritet me qytetarët e ti konsiderojë ata armiq, kaq.

Mirë, z. Vasili ndalemi pak edhe tek situata në të cilën ndodhet vendi. Duket sikur është një fjalë e përgjithshme por çdo ditë pritshmëria, të paktën nga gazetarët apo nga një pjesë e atyre që ndjekin lajmet është, “A do të prodhojë këtë herë politika një konsensus në kuadër të zgjidhjes së krizës?”. Çfarë po lexojmë deri tani duket si jo, me gjithë atë asgjë nuk është taksative sepse ka patur marrëveshje të cilat na kanë treguar një panoramë tjetër apo zhvillime ndryshe. Pra, i referohem këtu zgjedhjeve të 2017-ës. Në dijeninë tuaj, a ka hapësira për një marrëveshje ose kush janë negociatorët, a do të ketë negociatorë sepse nuk po shohim?

Pikë së pari, çdo palë politike vendos në tavolinë, përpara se të vendosi çdo propozim, vendos integritetin e saj. Pra integritet politik dhe moral, në rregull? Jashtë kësaj, unë dhe ju nuk mund të bisedojmë, pra në bazë të integritetit reciprok të asaj që është korrektesa ndaj impenjimeve që marrim, mbi atë vazhdojmë përpara sepse çdo marrëveshje politike nuk është një marrëveshje noteriale, që është një marrëveshje “shkëmbim prone” të cilin ti ke një pronë dhe e mora unë dhe se ke më ti. Politika është një art i marrëveshjeve të cilat, njerëzit me integritet, liderët me integritet u qëndrojnë. Tani vijmë tek kë kemi përballë, kë ka përballë opozita.

Opozita ka përballë, ju me shumë inteligjencë e filluat bisedën tuaj nga një ngjarje e freskët siç ishte vetting-u, mazhoranca dhe opozita bënë një ushtrim politik të suksesshëm do të thoja unë, duke pasur një mirëkuptim nga LSI për ligjin për vetting-un në polici, apo nuk është kështu? E vërteta, që të jem fare korrekt me opinionin publik, kolegët në opozitë të Partisë Demokratike insistuan fortë dhe unë jam këtu për t’u thënë që kishin të drejtë, nuk jam nga ata kokëfortët që nuk japin të drejtë. Dhe më thanë, ke një iluzion, këta do ta ç’bëjnë ligjin, kot e jepni këtë mirëkuptim dhe qëndruan shumë të prerë në pozicionin e tyre, koha u dha të drejtë.

Unë bashkë më të gjithë kolegët e mi të grupit parlamentar, sigurisht gabuam me mirëbesim, pse vetëbesuam do kenë kaq integritet një ligj ku gjen mirëkuptim duhet ta mbajmë, ky ishte një ushtrim i parë,i dështuar plotësisht, që përballë kemi njerëz të cilët integritetin politik edhe moral e kanë zero. Së dyti ju e dini që ka pasur një marrëveshje të shumë diskutuar e të debatuar e ku di unë se çfarë , në 17 maj ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, unë e njoh mirë edhe momentin se si u arrit deri në ulen e tyre, jo se çfarë u diskutua dhe çfarë prodhoi, sepse ju e dini që një nga pikat kyç që të uleshin partitë politikë ka qenë prezenca e LSI-së në atë takim të darkës së 17 majit, në atë kohë unë kam qenë kryetari i Lëvizjes Socialiste Për Integrim dhe morëm pjesë në atë tavolinë me bindjen që pluralizmi zhvillohet ku të gjitha forcat politike janë në fushën e betejës dhe Partia Demokratike s’mund të mungonte në këtë betejë si partia më e madhe e opozitës. Të vijmë tek marrëveshja kjo marrëveshje që u lidh, kishte kontrollin reciprok për procesin zgjedhor dhe ne bazë të kësaj u ndërtuan dhe ministrat teknikë apo jo. Dhe në fund të kësaj rezervat që do të kishte pala pra opozita që do të ishte në proces do ti reflektonte. Ju e dini më së miri që u prodhua një raport i detajuar prej 400 faqesh nga ministrat teknik të Partisë Demokratike në atë kohë, këto 400 faqe përpara sesa të nxirreshin nuk pranuan dhe formalisht as te firmosen e as të pranohen nga Edi Rama, ndërkohë kishte bërë një marrëveshje që zgjedhjet do të kishin edhe nje monitorim qeveritar do të ishin nga ministrat, ky është një fakt publik, këtu s’më kundërshton dot as ju por dhe as kërkush se raporti është atje i pafirmosur, së treti teza do të thosha shume spekulative, teza shumë e ligë kundër shqiptarëve e njohjes së zgjedhjeve është një tezë e pavërtetë. Unë kam qenë kryetar i Lëvizjes Socialiste Për Integrim në ato zgjedhje dhe e kam deklaruar në 27 qershor live por edhe në Report tv kur kam qenë kam thënë këto janë zgjedhjet më te shëmtuara, të cilat janë mbajtur ndonjëherë në pluralizmin shqiptar, po të doni mund ti vini sinkronet e mia janë aty unë nuk i ndryshoj dot në kohë, njëherazi denoncuam pafund fakte të cilat sigurisht ishin të shumta por nuk kishin fuqi e fakteve të cilat prodhohen nga organet e hetimit shqiptar, ne nuk ishim organe hetimi, së treti raporti i OSBE-ODHIR tha qartë që partia LSI dhe Partia Demokratike denoncuan shumë, vazhduan dhe mbas zgjedhjeve të insistonin për këtë gjë dhe ta mbyll këtu,dhe më tutje gjithçka tha dosja 339 e provoi.

Teoria që ka ndonjë idot që e urren Shqipërinë, këtu dhe jashtë Shqipërisë i cili thotë, krimineli i kapur pas pak kohesh nuk është me kriminel, ky është më kriminel se ai që e thotë, për çfarë arsye. Krimi zgjedhor i denoncuar nga ne u provua nga dosja 339, denoncimin nuk e bëri opozita, denoncimin e bëri një media me një autoritet botëror por jo vetëm botëror pasi është media zyrtare e departamentit amerikan të shtetit, tani çfarë ndodh krimi zgjedhor është provuar, teoria dhe ideja e njohjes së zgjedhjeve, unë nuk i kam njohur zgjedhjet kam thënë kanë qenë zgjedhjet më të shëmtuara, Partia Demokratike ministrat teknik të vetë kanë pohuar një material voluminoz qindra e qindra shkelje, janë denoncuar në komisionin qendror të zgjedhjeve, pra i gjithë procesi i de-ligjitimimit u krye totalisht, faktet që erdhën më pas krimit zgjedhor i vunë vulën, prandaj teza kush e përmend më tezën që opozita njohu zgjedhjet është një idiot që nuk do Shqipërinë  është shumë i ligë.

 Ka gjasa që të shkohet drejt një marrëveshje,koha po duket sikur po ecën mbrapsht, muajt ditën po numërohen deri në 30 qershor ku Rama thotë se do të ketë zgjedhje dhe nuk tërhiqet?

Tani besoj nuk jemi këtu për të interpretuar marrëzitë e Ramës. Shumë nga qëndrimet politike të Ramës nuk janë më domain i politikës. Shumë prononcime të Edi Ramës, janë domain i psikiatrisë, i një destabiliteti psikik shumë të thellë dhe shumë të rëndë. Ai nuk flet më politikisht, por është peng i psikikës dhe paranojave të veta dhe asgjë më shumë se kaq. Është shumë e qartë që ne kemi sot zgjedhje ilegjitime, kemi qeveri ilegjitime dhe k lindur edhe një kryeministër ilegjitim.

Sot kërkesa e opozitës është një dhe vetëm një: Jo pushteti në tavolinë të kërrkujt. Të rikthehet legjitimiteti i institucioneve. Institucionet u provuan që janë prodhuar nga krimi që ka blerë zgjedhjet.

Si do t’ua mbushni mendjen shqiptarëve që mos ta votojnë?

Ne të gjitha partitë, jemi jashtë Parlamentit. Parlamenti është monist, qeveria është moniste, drejtësia është moniste. Sot ka rënë sistemi dhe e vetmja forcë politike jashtë sistemit politik, ka dalë PS-ja që kërkon të vendosë monizmin.

Si do të ndaloni zgjedhjet lokale, në çfarë lloj forme?

Llogarinë ky Kryeministër e ka me dhjetëra, qindra e mijëra njerëz, sepse përveçse është jashtë sistemit kjo parti, Rilindja ka edhe një gjë që është shumë e rrezikshme, ka konceptuar idenë që ne që kemi qeverinë jemi dhe pronarë të saj. Zgjedhjet e fundit rreth 700 mijë vota mori PS-ja dhe është e detyruar të qeverisë 2 milionë e 800 mijë, pra nuk është pronar i tyre dhe mos harroni që qindra e mijëra njerëz që dalin dhe protestojnë kundra kësaj qeverie, janë taksapaguesit. Janë kontribuuesit e kësaj qeverie që nuk mund të jetë kurrë pronari i tyre. Dhe kur e ka humbur besimin e tyre në mënyrë të dukshme, sigurisht largimi është minimumi që mund të bëjë. Momenti i dytë më i rëndësishëm është që duhet të përgjigjet për të gjitha fajet e saj.

Si do të përgjigjet,sepse ju nuk po shkoni në zgjedhje?

Ju e dini shumë mirë që zgjedhjet u vodhën, këtë e thotë Prokuroria shqiptare jo LSI-ja. Policia që prisje të ishin të pastër, bënë një ligj të atillë që policia të mos pastrohej kurrë dhe ajo polici që lejoji që Shqipëria të bëhej jeshil me drogë

E treta, ju e dini që të gjitha bizneset pa fund masakrohen. E katërta ju e dini që krimi u vë gjoba bizneseve. E pesta dini edhe një gjë shumë të rëndësishme, që nuk e përmendni kurrë, dhe këtë duhet të përmendni të parën ju, dini që Shqipëria është vendi i parë absolut për papunësinë e të rinjve dhe me një emigracion deri në 500 mijë. Nga dhjetëra fakte unë mora 5 fakte. Tani ju, jo si gazetare por më pyetët si votuese, këto argumente ju bindin në radhë të parë që keni qeverinë më të keqe që mund të ekzistojë, pastaj se cila është zgjedhja në sferën e opozitës preferoni më shumë atë që thotë LSI-ja, PD-ja apo partitë e tjera kjo është zgjedhja juaj. Por ama kemi një gjë shumë të  qartë, që kemi një qeveri që ka vdekur, ka mbaruar. Ka idenë që të jetë një qeveri pronare, do të jetë edhe moniste, si e tillë ka vdekur. Këto janë të vërtetat e mëdha.

A mund t’i frikemi ne një marrëveshjeje që mund të bëhet në moment të fundit, pra Basha me zotin Rama? Dhe çfarë ndodh me këtë elektoratin e Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Mos u shqetëso fare. Shiko si është puna, nga këto kasandrat dhe nga këto që bëjnë vajtocat dhe shtojzovallet kam parë shumë në këto 15 vjet që ditën që  LSI është themeluar. Dhe e dini që ka qenë burim i dështimeve të mëdha, qoftë edhe parashikimet që bëhen në sondazhe. Parashikime që për fat të keq kanë dështuar edhe në televizionin tuaj në mënyrë katastrofike, por në fund të fundit në treg jemi, secili do mbijetojë në mënyrën e tij. Ka mënyra më të mira, ka mënyra edhe më pak të ndershme. Por faktet kanë qenë të vërteta. Edhe këtu kanë parë edhe në të shkuarën. Kanë parë edhe LSI-në që merrte vetëm 3 deputetë, kur merrte 16, mund të merrte 1%.

Por sondazhet kanë edhe gabime, mund të ketë target grupe ku mund t’i referohesh, pse duhet të ketë gjithmonë një prapavijë?

Çuditërisht, meqë unë kam një eksperiencë më të gjatë sesa ata që bëjnë sondazhet, këtu edhe në studiot e tjera, kur gabimi është gjithmonë i njëanshëm sondazhet kanë rrënuar. Ndaj nga pikëpamja profesionale është një turp profesional, nuk është më vetëm turp politik.

Por mund të jetë edhe një tregues…

Jo jo e njoh mirë këtë procedurë sepse kam filluar të merrem me sondazhe që 30 vjet përpara dhe kjo konsiderohet një disastër profesionale.

Çfarë do të ndodhë me protestën e radhës që organizon opozita e bashkuar? Çfarë do të prodhojë? Jo vetëm protesta e radhës, edhe protestat e tjera, sepse po shkojmë drejt datës së zgjedhjeve…

Ky është një proces shumë intensiv, do të jetë shumë i rreptë, shumë masiv edhe pa kthim. Mbi këto katër premisa çdo shqiptar duhet të mendohet se po paguan një haraç të tmerrshëm nga ana ekonomike, të tmerrshëm nga ana shoqërore dhe të tmerrshëm nga ana e të gjithë ekuilibrave të cilët mbajnë një vend në këmbë. Sepse çdo ditë që shkon po kontribuon në zhbërjen e shtetit në mënyrë të plotë dhe qytetari nuk ka më shtetin e tij. Ka mbetur vetëm në vrimën e vogël të një portali atje në kryeministri dhe të një psiqike të shkatërruar të kryeministrit, e cila shpartallohet natën, fillon e vjedh gjithë ditën dhe pastaj presim natën tjetër për të dëgjuar gomarllëqet e ditës së nesërme.

Përshkallëzim i protestave do të thotë dhunë?

E keni parë me sytë tuaj, nuk është as e para as e fundit protestë e opozitës. Çështjen e dhunës kërkojani këtyre që ndryshuan vettingun e policisë.

Ju po dilni në shesh por nuk ka impakt, nuk shikoj ndonjë reflektim…

Sipas jush. Mbase nuk jeni e predispozuar t’i shikoni ndryshimet. Të të bëj një pyetje, ju keni eksperiencë të gjatë në këtë zanat, nuk besoj të mos thuhet një gjë që protestat më të mëdha në Shqipërinë më të vogël po organizohen nga opozita. Në rast se nuk e kuptoni këtë gjë. Ose nuk doni të futeni në thellësinë e procesit.

Protesta quhet e suksesshme kur realizon qëllimin…

Qëllimi është në rregull, po ecën tamam.

Rama është aty…

Ju mendoni se duke qenë atje do përmirësojë rënien. Do e përkeqësojë, do ketë një rënie më dramatike dhe më të keqe. Është një proces pa kthim. Është populli kundër tij. Çdo lider përballë popullit e ka betejën të humbur. Ka vetëm një gjë, e di çfarë i dallon politikanët  që kanë një minimum atdhetarizmi, ikin një ditë përpara, nuk ikin një ditë pas. Kur ikin një ditë pas, ikin pa kthim. Por për fat të keq në të gjitha raste, dhimbja më ë madhe është që paguan një faturë të madhe vendi. Edi Rama është i predisponuar, është pa kthim.

/ In News / By Admin / Comments Off on Petrit Vasili: Edi Rama dhe rilindja kane dalë jashtë sistemit politik shqiptar