Petrit Vasili: Komiteti i Helsinkit dhe Fondacioni Sorros flasin hapur, 63 % e shqiptarëve nuk besojnë te reforma në drejtësi

Deklarata për media, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë,

Jemi në këtë komunikim së bashku për një çështje shumë delikate dhe që ka lidhje me një nga reformat më të rëndësishme që shqiptarët prisnin me kohë. Është fjala për Reformën në Drejtësi. Opozita shqiptare ka ngritur pa u lodhur dhe në mënyrë të vazhdueshme se Reforma në Drejtësi ka dalë tërësisht nga shinat. Dhe gjithë fryma e konsensusit të madh të 21-22 korrikut që prodhoi atë reformë është rrënuar, është shkatërruar për shkak të etjes së pashterrshme të Edi Ramës për të kapur çdo gjë. Në mënyrë të drejtpërdrejt Komiteti Shqiptar i Helsinkit i mbështetur nga Fondacioni Soros në Tiranë kanë kryer një sondazh, i cili ka nxjerrë disa rezultate që janë me të vërtetë tronditëse. Pyetjes, A keni besim se Vettingu është proces i drejtë nga rezultatet që ka pasur deri tani, pra a është I drejtë Vettingu në mënyrën si e kanë zhvilluar këta, qytetarët janë përgjigjur se 63% e qytetarëve përgjigjen se nuk kanë besim te mënyra sesi po bëhet ky Vetting. I cili me shumë të drejtë nga Komiteti i Helsinkit është kritikuar fort më parë për standarde të dyfishta, mungesë objektiviteti, klientelizëm dhe kapje.

Së dyti, pyetjes së madhe drejtuar qytetarëve që Vettingu a do ta pastrojë vërtetë sistemin e drejtësisë dhe a do ta bëjë këtë sistem më të mirë dhe më të besueshëm, 62.5% e qytetarëve përgjigjen JO. Pra afër 63% e qytetarëve nuk besojnë se ky Vetting do ta pastrojë drejtësinë. Dhe kjo është e tmerrshme, është tronditëse. Qytetarët mbi 90 e ca % e tyre mezi e prisnin Reformën në Drejtësi. Dëgjuan dhe lumenj pafund demagogjie deri në kufijtë e poshtërsisë politike që Vettingu do të ishte shpëtimi. Reforma në Drejtësi, të cilës do ti nënshtroheshin të gjithë armiqtë popullit në thonjëza e do vihej drejtësi për qytetarët, e kapën dhe e krijuan këtë gjë për të cilën drejtori i Zërit të Amerikës për EuroAzinë, z.Elez Biberaj thotë duke cituar pikërisht raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vë në dukje se Reformat e Drejtësisë janë dëmtuar nga korrupsioni i përhapur”.

Dhe më tutje zoti Biberaj thekson: “Edi Rama është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura dhe duke mbushur gjyqësorin me besnikë nën maskën e reformave.” Zoti Biberaj thekson, pra Edi Rama ka mbushur gjyqësorin me besnikë nën maskën e reformave. Pra Reformën e Drejtësisë e ktheu në maskë, e kapi me paratë e krimit dhe të drogës dhe bëri pra që 63% e qytetarëve nuk besojnë te Vetting-u. Dhe afro 63% e qytetarëve nuk besojnë se ky Vetting dhe kjo mënyrë si po bëhet reforma, do ta pastrojë sistemin dhe do bëjë një sistem drejtësie më të mirë dhe më të besueshëm për qytetarët. Do të thotë që reformën në të cilën u investuan aq shumë politika, por edhe ndërkombëtarët, dha këto rezultate.

Ndaj nga kjo foltore kam një thirrje për të gjithë ata entuziastë në thonjëza, që këmbëngulin për të folur për një sukses dhe për një ecuri shumë pozitive dhe shpresëdhënëse të Reformës në Drejtësi. Nuk mund të fshihemi pas gishtit. Reforma në Drejtësi ka hyrë në një rrugë të gabuar. Dhe shkaku 1, shkaku 2, shkaku 3, shkaku 10, shkaku 20, është vetëm kapja e drejtësisë nga Edi Rama. Të sakrifikosh sot pra Reformën në Drejtësi, vetëm e vetëm për të mbajtur Edi Ramën, i cili e do këtë reformë si mburojë për t’u mbrojtur nga pandëshkueshmëria e korrupsionit të frikshëm, korrupsionit që godet te Unaza e Re, korrupsionit që është duke goditur tashmë pikërisht tani tek Bregu i Lumit qytetarët e tjerë. Korrupsion që nuk ndëshkohet, ku ata që vjedhin dhe plaçkitin shëtisin e buzëqeshin, ndërsa qytetarët që duan të mbrojnë shtëpitë e tyre burgosen. Kjo është drejtësia të cilën shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e besojnë më dhe pësojnë pra zhgënjimin më të madh të tyre, ku kujtoj se mbi 60 e ca përqind e tyre nuk e besojnë më këtë Reformë në Drejtësi. Refuzojnë ta besojnë dhe bashkë me të refuzojnë dhe të gjithë sugjerimet nga ato që vijnë, në shqip edhe në anglisht, për t’ua shitur këtë si sukses, për një sukses të paqenë. Një sukses që në të kundërt ka lënë vendin pa drejtësi, pa gjykata, por ka garantuar pandëshkueshmëri absolute për të gjithë qeveritarët, të cilët janë bërë njësh me krimin dhe për të gjithë qeveritarët që bëjnë korrupsion në mes të ditës.

Koha për ndryshim është sot. Shqiptarët, në mënyrë që Shqipëria të kthehet në shtëpinë e tyre, duhet të mos ndalen absolutisht për të çuar drejtësinë në vend dhe për të çuar përpara drejtësisë këta që po shkatërrojnë drejtësinë duke filluar nga Edi Rama. Faleminderit të gjithëve.

/ In News / By Admin / Comments Off on Petrit Vasili: Komiteti i Helsinkit dhe Fondacioni Sorros flasin hapur, 63 % e shqiptarëve nuk besojnë te reforma në drejtësi