Petrit Vasili: Pushteti i Rilindjes e ka lënë Shqipërinë pa shtet.

Intervista/ Flet kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim

Si e sheh opozita taktikën e saj deri në këtë periudhë?

Besoj që nuk jemi në një moment që ne duhet të bëjmë bilancet, pasi aksioni opozitar është në zhvillim e sipër. Pra, bërja e bilanceve ndodh në ditën kur opozita ka kryer përfundimisht aksionin e saj dhe ka larguar një qeverisje dhe një Kryeministër i cili dëmton vendin çdo ditë që qëndron atje. Dhe vetëm atë ditë bëhen bilancet. Sot jemi në një aksion që zhvillohet me intensitet.

Duhet të shohim dhe si do vazhdojë apo jo?

Dhe sigurisht do vazhdojë me po të njëjtin intensitet. Reagimi publik, ai që jeni mësuar tradicionalisht të shikoni në atë që është reagimi masiv, i cili është një instrument, por dhe në denoncimin e përditshëm i cili ka qenë dhe mbetet shumë i fortë, shumë i artikuluar, i mbështetur në kauza të forta politike por edhe morale. Pasi rrënimi i kësaj mazhorance është njëherazi politik dhe moral. Dhe më keq se çdo gjë tjetër, është moral. Dhe kjo besoj që e komprometon çdo ditë të mëtejshme të qëndrimit të saj. Dhe këtu, në këtë hulli, denoncimit të skandaleve pafund dhe të mos-qeverisjes së vendit, sigurisht ky është aksioni yt. Gjithë opinioni publik ka shumë kërkesa ndaj opozitës, ka të drejtë sepse Shqipëria është pa pushtet. Ka një opozitë shumë të mirë, shumë të fortë por nuk ka pushtet. Edhe sot patëm mundësi të shikonim që nuk ka pushtet, pushteti është i ndërtuar vetëm në një portal, pra nuk ka një mekanizëm pushtetor, mekanizëm kapilar, nëpunësi publik i cili është në detyrë, qytetari në raport me strukturën e shtetit. Pra, nuk ka asgjë të tillë. Ka një çmenduri të një Kryeministri që thotë, unë dua të di çdo gjë prandaj thomëni mua, shteti ka rënë. Ai e pranon në këtë pikë, është e vetmja gjë për të cilën mund të përshëndetet Edi Rama, që nuk ka më pushtet në Shqipëri. Dhe çdolloj pretendimi që opozita të vazhdojë me intensitet të lartë nga kushdo edhe nga opinioni publik, edhe nga gazetarët, edhe nga analistët është një pretendim legjitim. Por me një korrektim të vogël, ka një këmbëngulje për kualitetin e opozitës, por harrojnë të thonë kryesoren që nuk kemi pushtet. Sepse një pushtet i cili qeveris, ka dhe të metat e tij, por opozita është aty për t’i vënë në dukje dhe që ato të ndryshojnë, këtu për fat të keq nuk kemi pushtet fare. Ju e keni parë që, gjithë pushteti është përfundimisht i ndërtuar në një portal, në një estradë shëtitëse që bëjnë sikur njerëzit dëgjohen, me manipulimin e disa të mjerëve që i nxjerrin atje për të tallur hallin e mijëra të tjerëve. Në një media lexova një lajm shumë të rëndësishëm për të cilin jam shprehur dhe në një statusin tim në Facebook ku 80% e shqiptarëve kishin probleme me ushqyerjen e tyre, 70% e tyre nuk mund të visheshin, një pjesë e mirë e tyre nuk realizonin dot nevojat bazike. Sipas një sondazhi të BE, pushimet ishin një ëndërr e ndaluar. Kundrejt një pushteti që prodhon të tilla tregues shkatërrimtar, dhe përballë ERTV dhe u thotë që ka tre katër të lumtur, ju kuptoni që kemi pikërisht momentin e rënies së pushtetit. Ne kemi për detyrë ta kritikojmë fort qeverisjen. Për fat të keq kjo është dhe e kriminalizuar si qeverisje deri në themel. Ky nuk është konstatim i opozitës. Arsyeja përse ka një skepticizëm që pengon rrugën tonë të negociatave është se krimi i organizuar dhe trafiqet, prijnë në Shqipëri. Dhe për gjithë këto arsye të mëdha duhet të bëjmë thirrje qeverisjes që shtetit t’i kthehet pushteti. Kurse ky pushtet i ka ikur qeverisjes. Përfundimisht të gjithë nëpunësit e shtetit janë në varësi të portalit. Nëse fjala do shkojë i keq te portali, ose dikush do ankohet atje, nëpunësi nuk ka asnjë rrugë të llogaridhënies së tij e as të ngritjes në detyrë, por thjesht dhe vetëm e shkarkon Kryeministri nga një takim, ose një nga deputetët thotë se e kemi shkarkuar drejtorin. Pra, këtu kemi të bëjmë me një `alabakllëk shtetëror`, i cili ka rrëzuar pushtetin përfundimisht. Jemi pa pushtet.

Ju keni vendosur që deri më 28 qershor të mos keni protesta, deri në marrjen e vendimit për negociatat. Pse?

Kemi vendosur të mos thërrasim një tjetër protestë masive, jo të mos protestojmë. Ka mjaft protesta nga të rinjtë jo vetëm pranë Ministrisë së Brendshme, por edhe në mjaft rrethe të Shqipërisë, protestojnë dhe refuzojnë mijëra njerëz të dëgjojnë Kryeministrin, i cili shkon dhe bën këtë cirkun mashtrues shëtitës, që është një cirk tragjik në rastin konkret. Kjo, sepse e them edhe njëherë tjetër që 80% të tyre në këto kohë kanë pamundësi për tu ushqyer si duhet, ku thashë se ushqimet janë si një `ëndërr e ndaluar`, kanë probleme të mëdha për tu veshur. Pra, ka probleme të një varfërie të frikshme. Në këtë mënyrë, kjo është një protestë masive, të cilën ne i japim zë në mënyrë të përditshme, në parlament, komisione, në takimet me ju, ku unë me këto që po them, po protestoj, ndoshta edhe më shumë se sa një miting proteste me disa dhjetëra apo mijëra njerëz, falë jush unë mund të komunikoj me shumë njerëz. Po shpreh protestën time të akumuluar politike dhe qytetare. Ky dimension i shtrirë qoftë në komunikimin e përditshëm dhe me qytetarët është protestë kapilare ajo, e cila evidenton pse Shqipëria sot ka një hall kaq të madh që është pikërisht pa pushtet. Sot, jemi si në ditët më të këqija të një vendi të zhbërë, i cili ka humbur pushtetin. Ju keni parë që nuk gjeni më ministra në `banakët` tuaja, nuk ka njerëz të ekzekutivit që të flasin sepse flet vetëm një, Kryeministri i vendit. Duke mos pasur aftësinë intelektuale, padije të plotë në drejtim të punëve të shtetit dhe maninë e mashtrimit, shqiptarët përballen përditë me një dramë të mos-qeverisjes së tyre. nuk besoj që shqiptarët kanë votuar në 2017-ën për qeverisjen nga një portal. Kanë votuar për një pushtet.

Gjithë kjo situatë a ndryshon gjë te publiku? Duket një publik që nuk influencohet nga e gjithë kjo panoramë që përshkruani ju. Sondazhet dalin po njësoj, gjithashtu edhe pjesëmarrja…

Nuk jam dakord me ju. Nuk është kështu siç thoni ju.

Prisni ndonjë revolucion në rezultatet e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, pra te zgjedhjet vendore?

Përpara se të shkojmë te zgjedhjet vendore, kemi shumë punë përpara me këtë Kryeministër, sepse nuk besoj që ka ndonjë të marrë në Shqipëri që t`ia besoj zgjedhjet e ardhshme që t`i administroj po ky Kryeministër. Ju e kuptoni fare mirë që nuk mund të përsërisim hajdutërinë e 25 qershorit, një hajdutëri tashmë të konfirmuar dhe e certifikuar nga OSBE, DASH. Fakti që 20% e votave janë shitur e janë blerë, sigurisht që hap një betejë shumë të madhe, e cila do jetë pa kthim, e sigurisht nuk mund t`i varim `mëlçitë` në qafë dhe të themi që këtij hajduti votash t`i japim prapë votën të administrojë vendin. Reagimi është shumë masiv. Ju keni parë që ka një përkujdesje shumë të madhe për të gjithë këta njerëz që protestojnë në mënyrë të vazhdueshme këtë qeveri të egër. Ju e dini që po procedohen të rinj, nga 17 apo 18 vjeç, të cilët dalin e protestojnë kundër Kryeministrit apo ministrit të Brendshëm. Ka mjaft protesta, e cila bën të pamundurën për t’u mos ndalur. Ishin minatorët sot, ju keni pasur dhe naftëtarët ditë më përpara. Kemi çdo ditë protestë dhe besoj që kjo do jetë diskutuar. Në rast se dikush mendon se opozita duhet të organizojë 21 janar të dytë për të ardhur në pushtet, nuk do e organizojmë. Nuk do vijë një pushtet i ardhshëm mbi kufoma. Absolutisht. Mbi kufoma vijnë ata që e urrejnë këtë vend.

Askush nuk erdhi në pushtet prej 21 janarit z. Vasili.

Protesta e 21 janarit dhe protesta të tjera bën që disa njerëz të medias ta identifikonin sikur ajo opozitë ishte e fortë dhe rezultative, ndërkohë që po ju them se, nëse do të bëni një analizë të ftohtë, do dalloni që përmbajtja dhe fuqia e kësaj opozite është fare e qartë dhe evidente. Nuk mendoj kurrë që fillon dhe mbyllet çështja me 1 apo 2 mitingje. Ata që janë pyetur, 75% e tyre nuk plotësojnë nevojat e tyre ushqimore, mos pandehni që janë të lumtur nga qeveria?

Por, a do të përkthehet kjo në rezultat elektoral?

Po sigurisht që po. Duhet të dini një gjë, që është një fakt që i shket analizës mediatike dhe politike. BE ka konfirmuar që 20 për qind e votave u shitën dhe u blenë nga kjo shumicë. Pa këto 20 për qind të votave të shitura dhe të blera, do të kishim këtë Kryeministër në detyrë? Kjo është një pyetje, të cilës nuk i shkasim dot. Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Jo, nuk do ta kishim. Dhe ne, një hajdutëri të re elektorale nuk do ta lejojmë. Skenari ogurzi i këtij Kryeministri, për të cilin unë jam një dëshmitar okular, nuk dua të bëj këtu të ditura bisedat me Kryeministrin në atë kohë, por Kryeministri kishte vetëm një ide: të bëjë zgjedhje pa opozitën. Dhe ne si LSI në atë kohë kemi thënë që, çdo sakrificë, por jo zgjedhje pa opozitën sepse do të ishte shkatërrimi i vendit. Dhe marrëveshja me gjithë dritëhijet e saj në fund të fundit bëri të mundur që të gjithë forcat politike të merrnin pjesë në procesin zgjedhor. Nuk besoj se ju të gjithë do të ishit të lumtur po të kishim sot një diktator afrikan këtu si puna e Edi Ramës dhe do të kishim një opozitë, e cila nuk do të ishte e përfaqësuar gjëkundi. Ky do të ishte fundi i këtij vendi. Ajo marrëveshje nuk ishte një marrëveshje për të ndarë pushtetin, sepse besoj që për dy muaj për ndarje pushteti. Besoj se ishte një kalkulim jo i saktë i opozitës në atë kjo, por në fund të fundit kishte një rezultat pozitiv që të gjithë u futën dhe morën pjesë në zgjedhje, pavarësisht pastaj se në ato zgjedhje, ashtu sikurse ishte parathënë, u shkatërruan nga vjedhja e votës.

A po bëhet gati LSI për zgjedhjet lokale?

Edhe për zgjedhjet e përgjithshme nëse do të jetë e nevojshme, edhe përpara tyre.

Si shkohet në zgjedhje të përgjithshme më herët se në ato lokale?

Po të ishte për numrat në Kuvendin e Shqipërisë dhe vetëm, dhe ditën që ka një mazhorancë dhe një opozitë, s’duhet të kishim asnjë aksion politik. Duhet të kishim një situatë të ngrirë njëherë e përgjithmonë. Por, këto numra, meqë ishin numra të vjedhur prodhuan këtë krizë të tmerrshme. Prodhuan koncesione pa fund, të cilët i varfëruan shqiptarët, i lanë pa bukë. Por, këtë shqiptarët e kanë kuptuar tashmë. Dikush tha se përse ka qenë ai reagim i fortë ditën e 26 majit ndaj Ministrisë së Brendshme. Ishin mijëra të varfër, të cilët plaçkiteshin nga trafikantët e Ministrisë së Brendshme dhe i linin pa bukë.

Ju mendoni që një dalje e njerëzve në rrugë do të detyrojë shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme?

Presioni publik është gjithfarësh. Skandalet e reja që do të përvijojnë njëherazi dhe pakënaqësia në rritje e cila është evidente, ju thashë edhe njëherë tjetër, në qoftë se 70 për qind e shqiptarëve diskutojnë në vitin 2018 problemin e bukës së gojës, atëherë nuk ka nevojë të bëjmë analiza shumë të gjata, shumë të holla, shumë të imëta. Janë mijëra të pakënaqur që duan t’i kthejnë përgjigje, duan të prishin kontratën me një qeverisje e cila u premtoi që së paku do t’u mbushte barkun me bukë.

A ka një qëndrim të ndryshëm mes jush dhe Partisë Demokratike për çështjen ‘Xhafaj’?

E kam dëgjuar shumë këtë histori. Ka disa arkitektë të palodhur të qeverisë që duan t’i bëjnë shërbim çështjeve fiktive. Kemi qenë së bashku bashkorganizatorë, bashkëprotestues dhe bashkëpjesëmarrës LSI dhe PD në një protestë të madhe që u mbajt më 26 maj, që kishte në fokus në radhë të parë qeverisjen dhe kryeministrin. Dhe në radhë të dytë edhe një skandal i cili përvijoi dhe që lidhet drejtpërsëdrejti me ministrin e Brendshëm. Kështu që nuk i kishte ndarja as qëndrimesh dhe as pozicionesh. Po të kishte ne nuk do të ishim bashkë në protestë atë ditë. Nuk do të ishim as në protestat para Ministrisë së Brendshme, ku janë të pranishëm me qindra mbështetës të LSI, të indinjuar me një ministri që nuk çlirohet dot nga kapja.

Po në lidhje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, ka ndryshime në qëndrime? Edhe kjo është komentuar shumë.

Nuk ka asnjë lloj ndryshimi. Unë kam qenë konstant dhe besoj se strategjia sistematike e zhbërjes së kryeqytetit në emër të një protagonizmi artificial dhe fiktiv ka prodhuar vetëm një fikshion mediatik. Natyrisht që kjo nuk e gëzon as mbështetjen dhe as vlerësimin tonë. Është një marrëdhënie që ka marrë fund që prej zgjedhjeve të 2017-s. Dua t’ju kujtoj që për shumëçka ka ndodhur në Bashkinë e Tiranës, duke filluar me tarifat e çmimit të ujit por mbi të gjitha për mashtrimin e paskrupullt publik që Erion Veliaj dhe Bashkia Tiranë ka bërë për ndërtimet në Tiranë. Premtoi publikisht që “Më votoni mua dhe nuk do të ketë më kulla në Tiranë”. Sot janë ngulur kulla nga të gjitha anët dhe e kanë bërë këtë qytet një qytet të pajetueshëm. Një qytet që digjet në vapë më shumë se të tjerët, ka pamundësi që të furnizohet me ujë, të ketë drenazhim të mirë të ujërave të zeza etj. Sigurisht që ky nuk është kryetari i Bashkisë që ne donim dhe që votuan qytetarët. Edhe ne e mbështetëm në vitin 2015 sepse mendonim se nuk do ta mbushte qytetin me tulla. Kemi parë që bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kryevepra e arkitekturës italiane, është kthyer në një shteg dhish për shkak të disa fiksioneve të pabesueshme të arkitektëve që unë nuk e di nga dalin. Një Tiranë, e cila rezistoi 75 vite falë kësaj zgjidhjeje urbanistike dhe arkitekturore të italianëve. Sot e kemi parë që ajo Tiranë nuk ekziston më dhe që s’merr frymë. Kjo është Tiranë që nuk do të donim kurrë të jetonim dhe e kemi peshqesh nga ky kryetar bashkie dhe nga kjo mazhorancë.