Pojana: Opozita asnjë hap pas. Protestat i kanë dhënë shpresë Shqipërisë, të largojmë Ramën dhe ti hapim rrugën proceseve integruese

Intervista e anëtarit të Kryesisë së LSI-së, Klevi Pojana për Scan TV

Duhet thënë këtu dhe kudo që situata ekonomike në vend është përkeqësuar ndjeshëm sidomos vitet e fundit. Duhet thënë me të madhe që të rinjtë shqiptar sidomos mosha që ka qenë më vitale që mund të ndërtonte një Shqipëri më të mirë është largua në drejtim të Europës sepse kjo qeverisje ka vrarë vendin.

Ju jeni dhe përfaqësues i forumit rinor…

Unë jam në mënyrë të përditshme në kontakt të drejtpërdrejtë me të rinjtë dhe sinqerisht është e dhimbshme, është e frikshme dëshira në masë e 99% e të rinjve për tu larguar nga vendi. Nëse dikur mund të thonim që ata njerëz, të cilët kishin dëshirë për t’u larguar nga vendi ishin ata njerëz që kishin një përballje më të madhe më plagë sociale dhe me varfërinë, sot ata që duan të largohen nuk kanë më asnjë dallim. Sot duan të largohen të gjithë, ata që hasen me varfërinë, por dhe ata, të cilët kërkojnë një standard më të mirë për jetesën e tyre. Kërkojnë një edukim më të mirë, kërkojnë një sistem më të mirë shëndetësie, rendi e publik e të tjera.

Në këtë vend është vrarë shpresa për të gjithë dhe ajo çka ne duhet të bëjmë, ajo çka është detyra e opozitës shqiptare dhe ajo çka është në fakt detyra e çdo njeriu, i cili ka një zë qytetar dhe do të jetë pjesëmarrës aktiv në shoqëri është të ngrejë zërin, është të reagojë ,është të protestojë dhe të kërkojë ndryshimet e nevojshme që ky vend të mos humb rrugën për në integrimin europian, por jo thjesht në integrimin europian si një hap që duhet hedhur për t’u integruar në një familje, por në arritjen e standardeve më të mira të BE-së në vendin tonë.

Ne kemi ndjekur deklaratat dhe të mazhorancës edhe të opozitës pas protestave, dje kemi ndjekur dhe deklaratën e Presidentit Meta, si e komentoni?

Unë e kam ndjekur deklaratën e Presidentit Meta siç kam ndjekur me kureshtje të gjitha deklaratat që janë bërë mbi situatën.

Duhen të bëhen hapa pas, Presidenti e cilëson të tillë.

Unë faktikisht e vlerësoj qëndrimin e Presidentit në vijimësinë mbi situatat dhe mbi ndodhitë që kanë ndodhur në politikën shqiptare, por dhe në vend dhe në këtë rast dua të them që opozita shqiptare nuk ka dhe nuk mund të ketë më hapa pas sepse do të ishte një tradhti ndaj interesave të qytetarëve, ndaj interesave të vendit, ndaj zhvillimit të vendit.

Ajo çka duhet thënë është se mazhoranca, kjo qeverisje, e cila e ka humbur funksionin e saj dhe mbi të gjitha është faktuar e fakte, me zë dhe figurë se është një qeverisje e dalë me vota të blera të trafikuara. Mund të përmendim këtu rastin e transmetimit të pamjeve të televizionit italian RAI2, por më flagrante ishin ato të publikuara nga Zëri i Amerikës, por dhe po kështu reportazhe të zhvilluara dhe të transmetuara nga televizione të ndryshme në të gjithë Europën, të cilat kanë treguar se kjo qeverisje faktikisht nuk është zgjedhja e sovranit shqiptar, por faktikisht është qeveri e dalë nga vota të manipuluara, të blera dhe mbi të gjitha me një ndikim shumë të madh nga grupet kriminale e paratë e drogës. Kështu që në këtë pikë, çdo hap pas i opozitës shqiptare, do të ishte thjeshtë një tradhti ndaj interesave të qytetarëve, interesave të vendit dhe mbi të gjitha një tradhti ndaj objektivit tonë madhor, qëllimit tonë të përbashkët, integrimit të vendit në familjen e BE-së sipas standardeve më të mira.

Padiskutim që thirrjet dhe deklaratat për më tepër përgjegjshmëri, për më tepër dialog mes palëve janë gjithmonë të mirëpranuara, por në këtë rast ajo që duhet të tregojë më shumë seriozitet, përgjegjshmëri dhe reflektim, është mazhoranca, është roli i qeverisjes që duhet të ndryshojë dhe duhet tregojë realisht që me këtë arrogancë nuk mund ti përgjigjet dëshirave dhe qëllimeve të qytetarëve shqiptarë.

Anëtarët e LSI-së që pranuan të marrin mandatin e deputetit, shprehën të njëjtën gjë. Ylli Shehu tha që nuk mund të tradhtojë interesat e elektoratit. Edhe ju keni qenë vetë në listë pritje për të marrë mandatin. Si e komentoni veprimin e tyre?

Unë nuk dua të bëj komente mbi komentet e të tjerëve, por di të them vetëm kaq. Unë jam një djalë i ri, i cili fatmirësisht në politikë pata fatin të hyj në një moshë që nuk e kuptoja negativitetin që mbante politika në vetvete dhe dua që këtë qëllim të pastër për veten time, për atë aspiratë që kam në politikë, ta ruaj deri në fund. Nuk mund të pranoj që nderi im as të shitet dhe as të blihet.

Ju thoni që ata janë shitur?

Kjo është thënë në media ditët e fundit, për mua nuk ka aspak rëndësi nëse janë shitur, janë blerë, kanë zgjedhur të ikin me dëshirën e tyre të lirë. Për mua ka rëndësi që ata kanë bërë zgjedhjen e gabuar, në raport me atë ç’ka sot ka nevojë vendi, në raport me atë ç’ka kanë kërkuar qytetarët shqiptarë publikisht në protesta. Kështu që ata kanë humbur nga misioni i tyre, kanë humbur nga qëllimi që dikush duhet të ketë në politikë për të përfaqësuar realisht qytetarët, për të përfaqësuar realisht zgjedhësit e tij.

Në fakt flasim në një moment historik për vendin, një moment që ndan se cili do të pozicionohet në kahun e atyre që kanë të drejtë dhe atyre që nuk kanë.

Pra ata do të gjykohen nga historia?

Padiskutim që kanë bërë një zgjedhje tejet të gabuar për përfaqësimin e qytetarëve dhe për pjesën e të qenit përfaqësues të sovranit në Parlament, por përveç kësaj në aspektin politi, ata e kanë bërë vetë zgjedhjen e tyre për t’u distancuar nga ajo që e gjithë struktura e LSI-së në mënyrë unanime, ka zgjedhur për t’ju përgjigjur kërkesës së qytetarëve shqiptarë kështu që është shumë e qartë se cili është gabim dhe se cili mirë.

Si mendoni ju e gjithë kjo situatë politike e krijuar, pengon investimet e huaja, bizneset e huaja për të ardhur në vendin tonë?

Fatkeqësisht mendoj që situata e krijuar thënë më parë i ka penguar xha bizneset e huaja, investimet e huaja dhe biznesin vendas për tu rritur dhe për të qenë i suksesshëm ne vend. Mund të kujtoj këtu thjeshtë raportin e para pak kohëve të KLSH-së që tregonte që dëmi në buxhetin e shtetit ishte mbi 1 miliardë euro, ç’ka është një shifër e frikshme, e tmerrshme për këdo i cili zgjedh të investojë dhe për këdo i cili kupton se në këtë vend faktikisht biznesi por jo vetëm biznesi, çdo veprimtari tjetër lidhet me korrupsionin, lidhet me një veprimtari e cila është në shkelje me ligjin.

Për sa i përket klimës që po flitet që ndoshta protestat dëmtojnë imazhin e vendit, një gomë e djegur kërkon 200 mijë koncerte nga një artist, për mendimin tim të tilla shfaqje, të tilla demostrime ndodhin në çdo vend të botës. Kemi fatin e mirë që vetëm pak kohë më parë ka ndodhur në mes të një nga civilizimeve më të ndritura Europiane siç është Franca dhe nuk mundet kurrsesi të thuhet që kjo gjë dëmton imazhin e vendit sepse për mendimin tim demokracia, një nga mjetet më efiçente për të qenë e shëndetshme në vijimësi ka protestën.

Padiskutim që nuk është as dëshira jonë e nuk ka qenë kurrë as qëllimi ynë që protestat të kishin dhunë dhe të kishin shfaqje të cilat mund të dëmtonin sa do pak imazhin e vendit por përballë një reagimi arrogant , përballë një reagimi të dhunshëm, përballë nxitjes dhe provokimit të qytetarëve të cilët faktikisht janë qytetarë të cilët vijnë nga probleme të shumta sociale, vijnë nga halle të mëdha.

Në atë protestë ka njerëz që jo vetëm që dalin, sepse e kuptojnë fare mirë sa të korruptuar janë sot këta që janë në qeveri por ka edhe qytetarë që vijnë faktikisht sepse vetëm para pak muajsh ishin në burgje, në dyert e komisariateve vetëm, sepse nuk kishin mundësi të paguanin dritat. Ka nga ata qytetarët që vijnë aty për të protestuar, sepse kjo qeverisje në saj të projekteve me firma offshore dhe firma të falsifikuara kërkojnë tu prishin shtëpitë dhe tu rrëmbejë pronën. Kjo është arsyeja e masivizimit të protestave por kjo mund të jetë një arsye pse ndoshta ne kemi parë disa shfaqje që nuk ka qenë dëshira dhe qëllimi i askujt nga ne, por prapë e them që protestat i kanë dhënë Shqipërisë shpresë.

Unë kam parë shumë njerëz, të cilët kanë qenë shumë më optimistë kur kanë ardhur në protestë se ç’kanë qenë më parë, sepse shikonin që realisht vullneti i këtij populli për të reaguar kur gjërat po shkojnë keq është pozitiv në raport me atë ç’ka ata presin për të ndryshuar në të ardhmen dhe pa dyshim që këtij vullneti opozita shqiptare duhet ti përgjigjet me thirrjen e protestave dhe mbi të gjitha për ti qëndruar kauzave që këto qytetarë kanë.

Si do të vazhdoni më tej? Si do të jenë hapat?

Këtu ka vetëm një zgjidhje, që është thënë dhe është bërë publike jo vetëm nga opozita, por edhe nga çdo qytetar shqiptar që e pranon këtë gjë. Është krijimi i një qeverie transitore që do të përgatisë zgjedhje të lira, të ndershme, të pandikuara dhe të pa cenuara nga askush.

Largimi i Edi Ramës, largimi i kësaj klike që i ka marrë frymën zhvillimit të vendit dhe padiskutim ti hapim rrugën proceseve integruese, sipas standardeve më të mira të demokracisë.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Pojana: Opozita asnjë hap pas. Protestat i kanë dhënë shpresë Shqipërisë, të largojmë Ramën dhe ti hapim rrugën proceseve integruese