Pojana: Qytetarët të vendosur për tu shkëputur nga zgjedha kriminale e cila e drejton sot vendin

Intervista e Anëtarit të Kryesisë së LSI-së, Klevi Pojana për televizionin Shijak Tv

 Pojana: Në Shqipëri pa pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë asnjë zhvillim tjetër nga kjo qeveri.

Fillimisht komplimente për idetë origjinale që manifestuat dje gjatë protestës duke filluar që nga piramida e gjithçka tjetër kishit menduar.

Faktikisht protesta e ditës së djeshme ju fokusua pak më tepër rinisë, problemeve të të rinjve dhe veçanërisht studentëve. Tematikat e gjetura faktikisht përfaqësonin disa nga ato simbole të cilat mund ti atashohen kësaj qeverie por problematikat e studentëve janë shumë herë më thellë sesa kaq dhe shumë më shqetësuese sesa kaq, duke filluar që nga pakti për universitetin. Për herë të parë në Shqipëri ndoshta në 30 vite demokraci ndodhi protesta e studentëve e cila riktheu përsëri shpresën se të rinjtë realisht nuk e durojnë më këtë shtypje dhe realisht duan që gjërat të ndryshojnë në këtë vend në mënyrë që ata të kenë një arsim më cilësor, të kenë mundësi për vende pune dhe të kenë mundësi këtu për të ndërtuar këtu të ardhmen e tyre. Ju premtua shumë faktikisht nga qeveria, ju premtua shumë nga ky kryeministër por faktikisht në realitet janë bërë asgjë, është bërë zero me xhufkë, faktikisht si çdo gjë tjetër që është premtuar në këtë vend në këto vitet e fundit dhe studentët sot ndihen edhe më të pashpresë seç ndiheshin para se të fillonin protestat e dhjetorit të vitit të kaluar.

Besoj shumë që një vend i cili nuk i suporton të rinjtë, një vend i cili nuk ka dëshirën minimale për ti dhënë te rinjve atë çka meritojnë për ti dhënë hapësirën që i takon si në të tashmen dhe në të ardhmen nuk është një vend i cili do të ketë atë zhvillimin që do dëshironte çdo kush të kishte për vendin e tij, kështu që jemi në kushte që flasim për një rini e cila është e shtypur flasim për një rini te cilës i është vrarë shpresa flasim për një rini e cila gjatë gjithë kohës ka vetëm një pikëpyetje të madhe në kokë, si mund të largohet nga vendi. Ky është realiteti i hidhur që ne jetojmë sot.

Përtej propagandës pakti për universitetin çfarë premtoi kryeministri, unë sinqerisht personalisht e kam të paqartë përpos monologjeve që ka zhvilluar herë pas here me studentët apo dhe replikave të personalizuara, me to nuk kam kuptuar çfarë është pakti për universitetin përpos përgjysmimin të tarifave për bachelorin që është vetëm për këtë vit në mos gaboj ?

Ideja ishte e tillë, studentët u ngritën dhe në morinë e problematikave që ka arsimi i lartë sot në Shqipëri, për të mos folur pastaj për arsimin para-universitar dhe atë të ulët, është e frikshme sesi u ngritën me mijëra dhe qindra probleme por studentët i koncentruan shqetësimet e tyre ne 8 kërkesa kryesore, kërkesa të cilat kishin të bënin përkatësisht në radhë të parë me koston që i shkonte studimi i tyre dhe për mënyrën sesi do të administrohet ky buxhet.

Abrogimi i ligjit të arsimit të lartë  dhe zgjidheshin të gjitha?

Abrogimi i ligjit te arsimit të lartë nuk bëhej dot nga Edi Rama sepse ishte një projekt politik i kësaj mazhorance i rilindjes, për të vënë në shërbim faktikisht universitetin, pedagogët, stafet akademike në shërbim të partisë edhe të qeverisë të tij. Është e frikshme të thuhet sot se nuk e kanë harruar shqiptarët, nuk e kemi harruar as ne si vetëm pak kohë më parë diskutohej në mediat televizive sesi kërcënohej kandidati për rektor i cili më pas zgjodhi në mënyrë të turpshme të bashkangjitej në ato bashkëbisedime që Edi Rama bënte me studentët, thjesht duke i ofenduar domethënë nuk e harrojnë shqiptarët sesi Edi Rama i quante studentët shqiptarë ngelës dhe katranjosë, pse, sepse kërkonin të kishin një arsim më cilësor dhe me tarifa më të përballueshme.

Përsëri e ka me rektorin, Rama e bën përgjegjës për moszgjidhjen e disa problemeve…

Gjithsecili duhet të bëjë përgjegjës vetveten për përgjegjësinë e tij. Edi Rama nëse nuk e di dhe sigurisht kam një bindje që është aq i papërgjegjshëm sa edhe mund ta harrojë për pak kohë, nuk është rektor, nuk është pedagog, nuk është prokuror, nuk është gjyqtar, nuk është gazetar, është kryeministri i shqiptarëve, me vota te vjedhura me vota të blera me vota të trafikuara por sot ai gjendet në zyrën e kryeministrit të shqiptarëve dhe duhet të marrë përgjegjësit e tij,përgjegjësitë e një kryeministri janë  ti ofrojë maksimumin e maksimumit të mundshëm studentëve të rinjve për tu mirë arsimuar dhe mirë edukuar në Shqipëri. Në këto kushte që  ne flasim sot në Shqipëri të shkollohesh në bachelor dhe në master kushton shumë herë më shumë se sa të shkollohesh në Gjermani.

Domethënë, të krahasojmë dy standardet ekonomikë në Gjermani dhe Shqipëri por edhe standardin e nivelit të arsimit në Gjermani dhe Shqipëri bëhet fare qartë dallimi se ku është kleçka, ku është problemi dhe ku qëndron shqetësimi. Unë faktikisht dua të flas gjerë e gjatë për arsimin sepse faktikisht ne përqendrohemi tek arsimi i lartë, unë e mendoj që përqendrohemi aty sepse, aty është si të thuash vitrina finale ku ekspozohet dija e marrë nga studentët gjatë gjithë ciklit. Por, në atë vitrinë faktikisht përmblidhen probleme që vijnë që nga cikli i ulët në gjimnaz edhe më tutje. Sot në shkollat shqiptare mungojnë elementet kryesorë. Gjimnazet shqiptare sot, në gjimnazet më të mira të Tiranës, të sapo përfunduara nga rikonstruksionet miliona lekëshe nuk bëhet dot kurrë mësim në një laborator. Mësuesit thonë që kaq elementë kemi ne për të përdorur, nuk mund të përdorim dot më shumë. Domethënë, studentët, gjimnazistët dërgohen në laboratorë thjeshtë për të parë laboratorin dhe për të bërë një foto kur duhet reklamuar në Facebook nga kryetari i bashkisë, kryeministri apo ministri. Domethënë këto janë të turpshme, nëse ne mendojmë se fasada do të jetë gjatë gjithë kohës shoqëruese e jetës së shqiptarëve, është e frikshme.

Në tjetër shqetësim shumë i madh për arsimin parauniversitar referuar edhe bisedave që kemi bërë me specialistë është mungesa e regjistrit themeltar në shkolla. Kanë hequr regjistrin dhe mësuesit tani mbajnë shënime nëpër fletore. Kjo hap dritën jeshile për abuzime edhe sistemi i notave ka ndryshuar, pra tani mësuesi nuk vendos më nota me numra por, më komunikonte një mësues vetë, me pika, me tre pika, me dy pika, me pikëpyetje, me pikëçuditëse, çfarë janë këto nota që…

Shiko, është e turpshme faktikisht të thuhet se në çdo fakultet të universitetit të Tiranës por edhe në universitete të tjera të Shqipërisë ka metodologji të ndryshme mbi mënyrën se si bëhet pasqyrimi i notave, për shembull unë marr rastin e fakultetit të drejtësisë i cili pasqyrimin e notave e bënte në një sistem online ku studenti check-ohej me të dhënat e tij personale dhe i kishte aty… Sistemi ra, ra down disa kohë më parë dhe askush nuk mund të check-onte më aty, nuk mund të merrje më notat, të duhej të kaloje nga sekretaria.

Paguaje 10 mijë lekëshin…

Përveç pagesës, procedura zgjaste nga 1 në 2 javë, disa burokraci të frikshme që e komplikojnë jetën e një studenti në një mënyrë të tmerrshme por përveç kësaj, problemi kryesor është që nuk ka një unifikim që të gjithë filialet të paktën të Universitetit të Tiranës të cilit, është një universitet, një familje, nuk kanë një metodologji të njëjtë. Pastaj, për të folur tek mënyra se si zgjidhet të bëhet vlerësimi i studentit apo konsumimi i orës së mësimit si në leksione, si në seminare.

Regjistri themeltar nuk mund të hiqet sepse është i vetmi dokument që vërteton dhe është i shenjtë…

Faktikisht në morinë e dokumenteve që janë bërë publik kohet e fundit ku ministra të qeverisë kanë mesatare 5.8 edhe ku shumica prej tyre janë të interesuar të zhbëjnë edhe atë që kanë në të shkuarën e tyre patjetër që bën sens të bëjnë këtë kakofoni të gjërave. Por, nëse marrim këtë shqetësim ka me dhjetëra e dhjetëra shqetësime të tjera. Shqetësim kryesor për mua sot mendoj se për studentët është se nuk kanë realisht mundësi të përballojnë studimet e tyre. Nuk kanë mundësi familjet shqiptare sot të shkollojnë fëmijët e tyre. Pra, po kthehemi në kohën e prindërve tanë shumë vite më parë kur sistemi i asaj kohe i detyronte familjet të dërgonin vetëm një fëmijë për të studiuar pavarësisht se mund të ishin 2-3 fëmijë të tjerë në familje që ishin ekselentë dhe meritonin realisht të shkolloheshin. Apo në atë sistem ku vetëm ai fëmijë i cili kishte prindërit të lidhur me sistemin, me kohën dhe me pushtetin mund të shkollohej. Sot vetëm fëmijët e atyre prindërve të cilët realisht kanë mundësi të paguajnë mund të shkollohen. Po fëmijët e tjerë të cilët mund të jenë ekselentë, mund të jenë fëmijë jashtëzakonisht të përgatitur, të shkolluar dhe të edukuar, pse mund të mos kenë mundësinë të shkollohen, të edukohen, ti shërbejnë vetes së tyre, familjes së tyre por edhe vendit.

Ju e shikoni zgjidhen e këtij problemi si, duke abroguar ligjin?

Pa diskutim që në këtë fazë që kemi arritur ne, në këtë problematike e cila për mendimin tim ka arritur kulmin e saj, duhet të ulen të gjithë ekspertët e arsimit të lartë, të gjithë ekspertët e arsimit dhe të diskutohet realisht. Për mua edhe abrogimi i ligjit të arsimit të lartë është një kërkesë me vend sepse ky ligji, pavarësisht që në vetvete, po ta studiosh nga ana teorike mund të praktikojë një sistem të mirë, është bastarduar në mënyrën sesi është implementuar tek studentët, tek jeta akademike dhe studentore. Kjo sepse gjatë gjithë kohës nuk u plotësua me aktet nënligjore, nuk u plotësua me nevojshmërinë që ka një ligj për të marrë fuqi vepruese. Dhe kjo gjë e bëri këtë ligj që të jetë i urryer, sepse nuk prodhoi asnjë risi. Përkundrazi, prodhoi vetëm regres. Kështu që mendoj se ka ardhur koha që pa diskutim me Edi Ramën kjo gjë nuk bëhet më. Edi Rama e ka treguar vullnetin e tij që nuk ka dëshirë për ta bërë këtë gjë. Por mendoj që me ndryshimet që do të ndodhin së shpejti, një nga gjërat kryesore që duhet të ndodhë në këtë vend, është që të vendoset në elitë të elitës arsimi. Nëse duam realisht që Shqipëria në 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme të ketë ndryshime esenciale dhe të ketë një vend të zhvilluar me standardet më të mira ekonomike dhe evropiane, patjetër që arsimi duhet të jetë A-ja e çdo diskutimi dhe reforme që duhet të bëhet në vend.

A është ky një sinjal që studentët po ringrihen? Do të ringrihen fuqishëm siç i pamë në dhjetorin e vitit të kaluar apo do t’i bashkëngjiten protestave tuaja?

Unë jam gjatë gjithë kohës në kontakt me studentët. Jam vetë student i Universitetit të Tiranës dhe di të them që jo vetëm që ka një mllef të akumuluar që nga protesta e dhjetorit të vitit të shkuar, por ka një mllef të shtuar për atë çka u premtua dhe nuk u bë, ndaj kësaj qeverie dhe ndaj të gjithë atyre premtimeve dhe retorikës boshe. Por nuk duhet harruar se studentët të ngritur për shqetësimet e tyre kanë qenë gjatë gjithë kohës, në protesta e opozitës dhe kanë qenë madje edhe të përfaqësuar me zërin e tyre në diskursin dhe në përdorimin e fjalës që opozita ka bërë në protesta të ndryshme.

Pa diskutim që studentët do të ngrihen. Pa diskutim që e gjithë Shqipëria sot vlon nga protestat. Sepse kjo qeveri ka dështuar në thuajse çdo gjë që ka premtuar për jetën e qytetarëve shqiptarë. Shqiptarët sot dergjen në varfëri. Është e frikshme, është e tmerrshme. Mjafton që të ndjekësh emisionin tuaj të mëngjesit për të kuptuar se çfarë bëhet me jetën e shqiptarëve. Nëse disa vite më parë shqiptarët kishin shqetësime kryesore si zhvillimin e vendit, zhvillimin e ekonomisë, lëvizjen e lirë, të shkuarit në Europë, flas për 7-8 vite më parë, sot shqetësimi kryesor i shqiptarëve është që të kenë një vend pune që të mbajnë familjet e tyre, të kenë mundësi dhe bukë në tryezën e tyre dhe fëmijëve të tyre. Është e tmerrshme të thuhet që Shqipëria është katandisur në këtë pikë. Dhe mbi të gjitha, është më e frikshme akoma të shikohet që vullneti i qytetarëve shqiptarë, në një masë 70% është për t’u larguar nga vendi sepse e shikojnë të pamundur që të zhvillohet ky vend. Këtu faktikisht ka të bëjë edhe një retorikë e gabuar e të gjithë klasës politike, nuk përjashtoj askënd. Sepse shqiptarët si të thuash kanë një zhgënjim nga e gjithë politika, sepse në 30 vite realisht është prodhuar një duzinë me premtime. Ama pak është realizuar dhe pak është vënë vërtetë në shërbim të qytetarëve.

Kështu që mendoj se ne si të rinj,opozita shqiptare sot ka një shans të jashtëzakonshëm për të krijuar frymë, për të krijuar një standard tjetër, për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij tranzicioni të tejskajshëm politik që ka zgjatur për tre dekada dhe realisht për të prodhuar një sistem ku liderët nuk do të kthehen më në autokratë, në xhelatët e popullit të tyre dhe ku do të jetë sistemi i cili do të menaxhojë ata të cilët do të merren me politikë dhe të mos jetë më politika zhuli i zhulit në këtë vend. Sepse kushdo i ri apo e re, dikush që do të merret me politikë, paragjykohet si i cili thjesht ka hyrë në politikë për interesat e tij personale apo thjesht për t’u pasuruar. Ta bëjmë njëherë politikën një vend i cili realisht përfshin njerëz intelektual, të rinj, të reja, njerëz të cilët kanë dëshirë për të kontribuar për vendin dhe munden të sjellin një ndryshim pozitiv. Është koha mendoj unë që na takon ne sot të bëjmë ndryshimin dhe për të thënë që duhet ndryshuar kjo sjellje dhe qasje me qytetarët.

Pa paragjykuar qëllimin tuaj të mirë dhe të opozitës, pse duhet t’iu besojnë juve? Sepse siç e thatë edhe ju në 30 vite çdo opozitë kështu ka folur kur ka kërkuar…

Fatkeqësisht historia është kokëfortë në përsëritjen e saj. Shqiptarët kanë të gjithë të drejtën e Zotit të mos besojnë lehtë sepse në 30 vite ka ndodhur e njëjta gjë. Është thënë kjo gjë, është bërë tjetër gjë në realitet. Është premtuar kjo rruga, në fakt lekët i kanë shkuar X njeriu, i cili ka qenë në pushtet.

Epo edhe rrugë 20 milionë kilometri nuk kishim pasur kurrë në fakt…

Por shqiptarët sot realisht mendoj un se i ka ardhur koha për një qeveri e cila do të jetë e njerëzve dhe për njerëzit. Nuk duhet më në këtë vend të vijnë lider autokratë, të cilët mendojnë vetëm për veten e tyre, me një fuqi absolute që duan të kapin çdo lloj sistemi. Duan të kapin median, duan të kapin gjyqësorin, duan të kapin Prokurorinë, duan të kapin çdo lloj pushteti. Pra është diçka që do ta dëmtonte të ardhmen e vendit në atë pikë që ndoshta do të bëheshin gjërat edhe të pakthyeshme më.

Për atë çfarë thatë ju, sigurisht që kjo qeveri është ndoshta kampioni i kamponit të korrupsionit, të shkeljes me të dyja këmbët të ligjit. Domethënë edhe me flori ta shtrojnë atë rrugën që po përpiqen të bëjnë tek Unaza e Re, do t’i binte më lirë sesa ta bënin me asfalt dhe me zift, sepse shkon 20 milionë euro kilometri, në mos më tepër. Dhe mbi të gjitha fshihet dhe një projekt tjetër ogurzi, sepse shtëpitë e atyre banorëve prishen sepse thjesht duan t’i hapin vend disa oligarkëve të tjerë që të vijnë dhe të ndërtojnë kullat e tyre në Tiranë. Domethënë një Tiranë e cila faktikisht sot është bërë e pa jetueshme, ku njerëz të caktuar, madje po lexoja dje shkrimin e një shkrimtari i cili thoshte që e mendoj realisht të largohem nga vendi, kjo Tiranë nuk më përfaqëson më. Domethënë ky vend realisht po shkon poshtë e më poshtë, sepse kjo qeveri në asnjë moment nuk ulet të reflektojë, se koha e asaj realisht ka mbaruar. Edi Rama nuk mund të vazhdojë dot më.

Ishte Rudi Erebara, që deklaronte kështu që nëse përsëri Veliaj vjen në krye të Bashkisë Tiranë, unë largohem përfundimisht nga Shqipëria…

Pikërisht pra. Ishte  ky citim që po përpiqesha të thoja. Edhe pse nuk doja ta citoja pa pasur autorizimin e tij, por thjesht e citova për t’i treguar cilitdo që na ndjek sot se faktikisht në Shqipëri  të jetohet keq, edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, do të thotë që problemi është më i madh seç e mendoni.

Në diskutimet që ju keni me të rinjtë, dhe e di që jeni shumë pranë tyre, a kanë sensibilitet për të reaguar edhe për çështje të tjera? Referuar piramidës që kishit bërë dje, krim-pushtet-oligarkë. Pra rinia sot është e fokusuar vetëm tek arsimi i lartë, apo shfaq interes edhe për probleme të tjera? Dhe a ka kuptuar që është më mirë të rinë, sesa të bëjnë valixhen gati dhe të ikin?

Faktikisht këtë diskutim e kam në mënyrë permanente më të gjitha ta atë rinj të cilët ulem. Më pyesin edhe mua, edhe me thënë të drejtën gjithsecili prej nesh e mendon, se në fund të ditës sot kam vetëm një jetë për të jetuar, kështu që do të jetoj këtu dhe do të përpiqem të ndryshoj diçka, kur e di fare mirë që ky ndryshim do të jetë shumë i vështirë dhe realisht kështu është nëse nuk bëhemi të gjithë bashkë. Apo të shikoj një mundësi për t’u larguar, për të ndërtuar jetën time diku tjetër pavarësisht se e di që kudo  të shkoj vendi i huaj nuk bëhet kurrë vendi jot. Është diskutim i vështirë. Është diskutim të cilin përpiqem ta fitoj kur diskutoj me të rinjtë. Sepse mendoj shumë se edhe ne i kemi borxh këtij vendi.

Para pak ditësh isha në varrezat e fshatit tim. Dhe po shikoja që aty kisha disa nga familjarët e mi kanë dhënë jetën për Shqipërinë. Kur mendoj që ata u vranë duke luftuar për Shqipërinë, mendoj që dhe mua apo brezit tim na takon të bëjmë diçka për vendin. Na takon të bëjmë diçka për Shqipërinë. Na takon të bëjmë diçka për të ndryshuar këtë realitet. Pavarësisht se e dimë që është e vështirë. Pavarësisht që e dimë që ka shuam sfida. Mendoj që po të bëhemi bashkë, të rinjtë mund të sjellin ndryshimin. Sigurisht që ajo piramida e djeshme përfaqëson problematikën kryesore që ka sot Shqipëria. Krimi i organizuar, krimi i cili ka hyrë deri në detajet e kësaj qeverie, realisht sot ka dëmtuar të ardhmen e vendit. Kemi koshientë, ju jeni në kontakt të përditshëm me qytetarë nga e gjithë Shqipëria, sesi në qytete si Durrësi, Shkodra, Vlora, Elbasani, krimi është në drejtimin e gjithçkaje. Po marr këto qytete që janë më të vogla, ku krimi çdo ditë na lë nga një viktimë, si për të na kujtuar se ky vend është i pasigurt në masë të frikshme.

Ka patur shoqërime dje në polici nga të rinjtë protestues? Sepse jemi mësuar që çdo herë, madje i pamë duke shkuar në vendngjarje, duke mbledhur provat, a thua se ishte një skenë krimi aty…

Ditën e djeshme, faktikisht duke qenë se u bë e disata protestë radhazi, faktikisht Policia e Shteti nuk kuptoi se dhe ne do t’i evidentonim ata të cilët sillnin si të infiltruar në protestë.

Pra ishin realisht të infiltruar?

Pa diskutim. Do ju tregoj nj shembull. Një nga ato vajzat efektive të Policisë së Shtetit  , nuk e paragjykoji fare për profesionin e punës sepse e di fare mirë që ka qenë e urdhëruar, u zu me disa protestues të cilët e akuzuar faktikisht se ajo ishte pjesë e Policisë së Shtetit. Kundërshtonte në mënyrë të llahtarshme, 10 metra më tutje duke ikur,mori në telefon dhe tha “ Alo shef më zbuluan mua”.

Çdo polic duhet të ketë mjet identifikues, pra të dallohet nga qytetarët…

Pa diskutim sepse nuk ka të drejtë  askush, i paautorizuar, i pa identifikuar dhe pa te treguar se për çfarë  po e bën ndalimin, të të marrë zvarrë siç kanë marrë me dhjetëra e dhjetëra të rinj protestues. Totalisht civil, njerëz që fare mirë mund të ngatërrohen me një rrëmbyer ordiner. Sepse nuk ke të drejtë pa i paraqitur edhe ligjërisht arsyen pse po e shoqëron një qytetar dhe një dokument identifikues që tregon se ti je punonjës i policisë dhe po e kryen këtë për një veprim procedural të kërkuar.  Edhe kur e merr duhet ta marrësh duke respektuar vlerat dhe parimet për të cilat ti je punonjës i policisë së shtetit. Po nuk mund të cenosh të drejtat e njeriut duke tërhequr zvarrë, duke treguar  një arrogancë dhe një ndjenjë e cila thjesht agravon situatën dhe në protestë të nxit për të pasur nga ato veprime që kurrsesi nuk duam të shikojmë. Ne jemi një vend i cili e ka të indoktrinuar rrugën e tij, një vend shumë proeuropian, shumë proamerikan që do të thotë se rinia e këtij vendi, e do më shumë se askush tjetër integrimin e vendit në BE por realisht e  duan sipas standardeve më të mira. Por nëse ne na thonë, rrini ju urtë, pushoni, mos e hapni gojën se në këtë vend demokracia po merret peng, se demokracia në këtë vend po rritet çdo ditë e më pak. Dhe thjesht për stabilokracinë ne të heshtim, atëherë kjo nuk është stabilokraci por është me shprehjen e të madhit Dritëro Agollit perifrazoj “ shkërdhatokraci” . Sepse nuk mundesh ti thuash një populli hesht pusho, se kështu duhet të qëndrosh ti, ndërkohë që vritet demokracia, shtypet liria ndërkohë që merren peng të drejtat kryesore të një vendi për tu zhvilluar. Dhe në këtë logjikë t’i thuash hesht dhe duro diktatorin e radhës që po fuqizohet dhe po ngrihet çdo ditë e më shumë. Shqiptarët e kanë sot në dorë fatin e tyre, të rinjtë shqiptarë e kanë sot në dorë fatin e tyre. Nëse duan të bëhen yzmetqar se faktikisht ashtu do bëhen rrugëve të Europës, pavarësisht se disa dhe kanë shkëlqyer falë talentitn dhe punës së tyre, shumica prej tyre përsëri do të shkojë atje dhe do të ndihet inferior përpara rinisë së atij vendi sepse askush nuk ta fal vendin e tij dhe askush nuk ta fal atë vendin e punës kudo që ai të shkojë. Hajde të bëhemi të gjithë bashkë, të ndërtojmë një të ardhme, të mos lejojmë kurrë më një lider te kthehet në autokrat dhe këtë e ka në dorë një popull i cili reagon dhe është vigjilent.

Do të vijoni në këtë  mënyrë protestat, a e ndjeni lodhjen e qytetarëve dhe të rinjve?

Çdo ditë na shtohen njerëz të rinj, forca të reja nga qytetarët  të cilët duan ta rrëzojnë këtë qeveri. Ju betohem se ditën e djeshme kam qenë në kordonin e parë të policisë, ku kishte dhe disa shtyrje midis protestuesve dhe policisë. Ata policë na shikonin në dritë të syrit me një dashamirësi për të thënë që ne jemi këtu, sepse duhet të mbajmë fëmijët me bukë. Por kurrsesi nuk kemi asgjë kundër veprimtarisë së opozitës dhe protestave. Kjo do të thotë që ky vend e ka marrë drejtimin e tij. E ka marrë vendimin për tu shkëputur nga zgjedha kriminale e cila e drejton sot. Duhet të jemi të kujdesshëm që të përgatitemi për zgjedhje të parakohshme, të jenë të lira dhe të ndershme sipas standardeve më të mira. Me Edi Ramën  këto nuk janë të mundura. Por të jemi të qartë se në Shqipëri pa pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë asnjë zhvillim tjetër nga kjo qeveri.

Do t’i çojmë për skrap tha Kryeministri siglat e partive tuaja për zgjedhje të parakohshme vendos vetëm PS…

Edi Rama nuk ka kuptuar ose bën sikur nuk ka kuptuar asgjë nga situata që po kalon.  Ai e di shumë mirë dhe faktikisht unë i jap gjithë të drejtën që të reagojë në këtë mënyrë. Sepse Edi Ramën e pret burgu nëse ai do të flasë ndryshe apo do të veprojë ndryshe. Sepse realisht për atë çka ia ka bërë në këtë vend, meriton të paguajë para drejtësisë. Edi Rama ka 6 vite në drejtimin e vendit. Ka mbi 20 drejtues si kurrë askush më parë dhe flet gjatë gjithë kohë duke akuzuar të tjerët, duke e lënë topin te fusha e të tjerëve dhe duke shantazhuar, presionuar dhe sharë me një gjuhë vulgare të gjithë kundërshtarët e tij dhe të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai. Edi Rama e ka humbur shansin e tij, ai ka një psikozë të sëmurë në vetvete që kërkon të hyjë në librat e historisë së Shqipërisë se për këtë e bën të gjithë këtë amullinë e veprimeve. Por faktikisht ai ka hyrë, ka hyrë në anën e errët të këtij libri. Dhe mbi të gjitha Edi Rama sot më shumë se çdo gjëje i trembet drejtësisë së lirë sepse e di fare mirë që drejtësia do të vepronte ashtu siç duhet, jo me prokurorë me 69 vota dhe të kapur dhe të shantazhuar. Edi Rama dhe gjysma e qeverisë së tij mos të them më tepër, sot do të ishin në burgje, madje duke i kthyer shqiptarëve gjithë ato lekë që ia kanë vjedhur nëpërmjet abuzimeve të tyre.

A keni besim që socialistët e vjetër do të bëjnë ndryshimin e madh ?

Sot Partia Socialiste e Shqipërisë është e marrë peng nga grupi Rilindja dhe nga Edi Rama. Unë e them këtë i rritur në një familje të majtë, e cila parimet e së majtës, parimet e socialdemokracisë, i kishte parime të vetat, të papresionuara nga interesa të çfarëdoshme. Dhe e them me bindje të plotë, se socialistët e vërtetë, ata të cilët realisht besojnë të platformat e socialdemokracisë dhe te kjo mënyrë qeverise, janë sot më të zhgënjyerit nga Edi Rama dhe nga Rilindja e cila e mori peng Partinë Socialiste. Nëse e keni vënë re dhe në emisione televizive ata kanë filluar ta harrojnë termin Rilindje. Po përpiqen përsëri të kthehen te Partia Socialiste. Sepse duan që të mbulojnë atë që bënë në 4 vite. Unë kam një bindje që socialistët e vërtetë të cilët realisht e duan vendin dhe e duan të ardhmen e vendit jo nga ata që thonin dikur në televizione që ne duam më shumë partinë se vendin, por nga ata që duan më shumë vendin sesa partinë, cilado qoftë ajo, realisht sot duhet të veprojnë. Dhe ata kanë filluar të veprojnë sepse pikë së pari ata më mirë se askush tjetër e kuptojnë që nëse kjo gjë do të vazhdojë dhe pak kohë do të shkatërrojë dhe vetë PS në një farë mase që do të jetë e parikuperueshme dhe për ata vetë. Sepse dëmi që Edi Rama, dëmi që sekti Rilindja bashkë me axhendat e tyre të kanalizimit të  vendit, të varfërimit të vendit, të vjedhjes dhe të lidhjes së një grupi oligarkësh, do të shkatërrojë dhe vetë PS e cila po dëmton deri në palcë kurrizore vendin. Kështu që për këtë jam i sigurt se shqiptarët e kanë harruar tashmë të qenit i majtë, socialist, demokrat, me LSI apo me parti të tjera sepse sot shqiptarët ndihen më shumë se kurrë shqiptarë dhe duhet patjetër të veprojnë në idealin e vendit dhe të flamurit. Pavarësisht bindjeve të tyre politike të cilat shumë herë duhen lënë mënjanë për ti parë në momente të caktuara. Por për të folur për të ardhmen e vendit, për të folur për  të ardhmen në BE, shqiptarët duhet të flasin në gjuhën kuqezi, në gjuhën e flamurit, jo më në sigla partish. Dhe prandaj sot i lind detyra partisë socialistë të vërtetë, njerëzve të cilët e besojnë dhe e votojnë në mënyrë permanente atë, të reagojnë për ti thënë fund këtij regjimi i cili e ka uzurpuar dhe vetë atë.

 

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Pojana: Qytetarët të vendosur për tu shkëputur nga zgjedha kriminale e cila e drejton sot vendin