PRONONCIMI PËR MEDIAN I NËNKRYETARIT TË LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM, Z. LUAN RAMA

Ditën e sotme Z.Luan Rama ka bërë një deklaratë për mediat lidhur me situatën aktuale politike. Mëposhtë keni prononcimin e plotë të Z.Luan Rama.

Komisioni i ligjeve nisi sot implementimin e marrëveshjes politike, keni një koment për këtë?

Natyrisht është një gjë e mirë që më në fund. Jo vetëm Komisioni i Ligjeve, por edhe Kuvendi i Shqipërisë po investohet për të formalizuar edhe në dimension ligjor marrëveshjen politike të arritur në përputhje me atë çfarë ka mbajtur qëndrim Lëvizja Socialiste për Integrim prej kohësh.

Sepse gati mbi një muaj më parë, kur ne insistuam për nevojën e dialogut midis përfaqësuesve të qeverisë dhe të çadrës, kur ne thamë që për LSI-në është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje, sepse zgjedhjet pa opozitën do të jenë një farsë dhe madje kur thamë që jemi të gatshëm të ofrojmë edhe të gjitha funksionet e përfaqësimit politik në qeverisje që ka Lëvizja Socialiste për Integrim nëse kjo e zgjidh situatën dhe e fundit – më lejoni t’ju kujtoj edhe deklarimin që bëri z. Ilir Meta në cilësinë e kryetarit të LSI-së kur tha pas mbledhjes së kryesisë së LSI-së që ne jemi të gatshëm të mbështesim edhe një qeveri besimi me kryeministër z. Rama nëse këtë gjë e pranon dhe kjo gjë kënaq opozitën – mbetemi shumë korrekt dhe serioz në angazhimin tonë për të ritheksuar mbështetjen tonë të vazhdueshme për implementimin e kësaj marrëveshjeje, sepse në fund të fundit u bë ajo që u arrit falë presionit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe presionit të partnerëve ndërkombëtarë.

Rama, ju thatë që zgjedhjet pa opozitën do të ishin një farsë, por në fakt LSI u regjistrua në procesin zgjedhor të 18 qershorit të dekretuar më parë?

Me gjithë seriozitetin dhe angazhimin tonë kemi përmbushur detyrimet ligjore pa hequr dorë për asnjë çast nga presioni politik mbi të gjitha palët për të mbërritur këtu ku jemi sot dhe nuk besoj që ka ndonjë shqiptar që ka dëgjuar dhe ka lexuar çfarë është thënë përmes medias së shkruar apo elektronike, që nuk e di që Lëvizja Socialiste për Integrim, duke qenë pjesë e qeverisjes, ka ushtruar gjithë presionin e nevojshëm mbi mazhorancën për t’u ulur dhe për të arritur marrëveshjen me opozitën, për të realizuar zgjedhje me pjesëmarrjen e opozitës sepse do të ishte një hap mbrapa dhe padyshim absurd të bëheshin zgjedhje pa opozitën.

Ashtu sikundër kemi thënë dhe vazhdojmë të jemi serioz në vlerësimin tonë për tryezën e kompromisit si zgjidhje institucionale në demokraci, kundrejt çfarëdolloj qëndrimi tjetër të shtyrë apo të stimuluar nga pozicione “in extremis” të partive.

Pra, në konkluzion dua të ritheksoj edhe një herë: qeveri besimi me z. Rama kryeministër dhe zgjedhje me praninë e opozitës, janë padyshim ajo çfarë ka kërkuar Lëvizja Socialiste për Integrim dhe pikërisht për shkak të saj, ne besojmë që kjo marrëveshje do të jetë funksionale dhe besojmë që do të ecë më tej në funksion të realizimit të zgjedhjeve në përputhje me standardet.

Sipas jush kjo është një qeveri besimi?

Padyshim, për sa kohë kënaq interesat dhe ambiciet e opozitës është qeveri besimi sepse në fund të fundit ne kërkonim që qeveria të kishte besimin e opozitës për të realizuar zgjedhje në përputhje me standardet.

Sot në komision thatë që nisja e implementimit të kësaj marrëveshjeje është ekstra ligjore…

Mos e ngatërroni. Në komision kërkova respektimin formal të procedurave ligjore, që të jemi seriozë dhe për ta bërë realisht funksionale marrëveshjen duhet që hapat e Kuvendit dhe të komisioneve të Kuvendit të jenë në përputhje me ligjin.

Luan Rama, ju dukeni shumë optimist lidhur me çfarë po ndodh. Çfarë ju kënaq më shumë? Marrëveshja Rama-Basha? Fakti që do të dilni vetëm në zgjedhje dhe jo në koalicion apo fakti që Ilir Meta është President?

E para, ne na vjen mirë që më në fund zgjedhjet nuk do të ktheheshin në aventurë, duke u bërë pa opozitën. Pra, jemi realisht të kënaqur me faktin që opozita pranoi të vijë në zgjedhje, ndjehemi mirë që opozita ka besim te qeveria me Kryeministër Edi Ramën dhe nga ana tjetër është një sfidë krejt e hapur, luajale. Sot nuk ka më mazhorancë dhe opozitë, sot jemi të gjithë njësoj dhe kjo na bën ne të ndjehemi optimistë dhe besimplotë që Lëvizja Socialiste për Integrim do ta shfrytëzojë maksimalisht vlerësimin dhe mbështetjen e qytetarëve për të dalë forcë e parë. Të tjerët do të vijnë pas nesh

/ In News / By Hajdi Lamce / Comments Off on PRONONCIMI PËR MEDIAN I NËNKRYETARIT TË LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM, Z. LUAN RAMA