Reforma Zgjedhore / Silva Caka: Përpjekje maksimale e opozitës së bashkuar për të përmbushur një nga kushtet kryesore të Bundestagut

Ish deputetja e LSI-së, Silva Caka e ftuar në Fax News u ndal në çështjen e tryezës për formimin e Këshillit Politik dhe reformës zgjedhore. Caka theksoi faktin e pjesëmarrja e opozitës në tryezë është përpjekja maksimale që po bën opozita e bashkuar për të përmbushur një nga kushtet kryesore të Bundestagut gjerman, i cili e ka përcaktuar në një nga kushtet e para, që është pikërisht miratimi dhe implementimi i reformës zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Pjesë nga intervista:
Tryeza për formimin e Këshillit Politik, sa i përket punës për reformën zgjedhore, ju personalisht si e shihni këtë zhvillim?
Është një zhvillim, i cili në një farë mënyre kapi të papërgatitur shumë njerëz që janë të interesuar praktikisht për zhvillimet e fundit të reformës zgjedhore. Por për mua personalisht është një gjë që duhet vlerësuar në një sens. Është përpjekja maksimale që po bën opozita e bashkuar për të përmbushur një nga kushtet kryesore të Bundestagut gjerman, i cili e ka përcaktuar në një nga kushtet e para, që është pikërisht miratimi dhe implementimi i reformës zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne kemi parë herë pas here tendenca dhe nga ana e mazhorancës për ta lënë opozitën jashtë njëkohësisht dhe për ta përçarë duke ftuar vetëm një parti dhe duke lënë jashtë partitë e tjera etj. dhe këto sigurisht janë skema që nuk funksionojnë. Dhe duke mos funksionuar më e bëjnë opozitën më të fortë dhe më të qëndrueshme në këtë proces. Dhe sigurisht përgjegjësia jonë ka qenë e qartë që në momentin që u ngrit grupi i punës pranë opozitës së bashkuar, që punoi në mënyrë paralele për një draft të reformës zgjedhore. Mund të them me bindje të plotë që kemi ecur në hapa shumë më të shpejta se çfarë ka ecur realisht Komisioni ad-hoc i reformës zgjedhorë në Kuvendin e Shqipërisë. Pasi kemi gati një produkt i cili tashmë do të ngelet edhe për shkak të këtij zhvillimi që është Këshilli Politik. Do të ngelet që të konsultohet dhe në fund të miratohet pa ndryshime ashtu siç është dhe një nga kushtet e marrëveshjes që u bë në tryezën e Këshillit Politik.
Prej sa kohësh zhvillohej kjo marrëveshje për tu ulur në atë tryezë?
Realisht nuk ishte një marrëveshje që kishte kohë që zhvillohej. Ishte një moment në të cilin u reflektua dhe u kërkua që të bëhej kjo gjë për arsye pikërisht për t’i paraprirë fazës tjetër ose më saktë fazës që vjen për çeljen e negociatave me BE. Është detyrim i të gjitha palëve por ne si opozitë e bashkuar ndoshta e kemi ndjerë më shumë pikërisht për këtë arsye kërkuam edhe që të zhvillohej edhe ky takim dhe të krijohej këshilli politik.

/ In Archived Articles, News / By Admin / Comments Off on Reforma Zgjedhore / Silva Caka: Përpjekje maksimale e opozitës së bashkuar për të përmbushur një nga kushtet kryesore të Bundestagut