Rezoluta e votuar me unanimitet në Konventë, LSI: Mbështetje hapjes së negociatave me BE-në në qershor

Ditën e sotme nën mesazhin “Të bashkuar fitojmë” Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi Konventën Kombëtare të saj.

Në këtë Konventë u paraqit një projekt rezolutë me 7 pika, të cilat LSI-ja zotohet t’i ketë në fokus në ditët në vazhdim.

Ja përmbajtja e plotë Projekt Rezolutës:

Projekt Rezolutë

Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet politiko- sociale në vend dhe:

Duke qenë se Shqipëria ndodhet para një sfide madhore si ajo e Çeljes së bisedimeve për anëtarësim në Qershorin e 2019-ës;

Duke qenë se prioriteti kryesor është vazhdimësia e reformës në drejtësi me transparencë dhe gjithë përfshirje, nën frymën konsensuale të 21-22 Korrikut 2016;

Duke qenë se dialogu politik është i minuar dhe duke patur parasysh nevojën e jashtëzakonshme për bashkëpunim dhe konstruktivitet;

Duke qenë se kemi një nevojë emergjente të kryejmë një luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit;

Duke qenë se konstatojmë me shqetësim largimin masiv të të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë, si pasojë e humbjes së shpresës dhe mungesës së aksesit në arsim dhe punësim, duke mos e parë më Shqipërinë si shtëpinë e tyre;

Duke qenë se situata e vështirë ekonomike në Shqipëri ka mbërthyer çdo familje shqiptare dhe kjo vërehet edhe në revoltën popullore të shprehur në protestat e njëpasnjëshme që kanë mbërthyer vendin;

Duke qenë se klima e biznesit në vend është e rënduar nga politika e taksave të larta, gjobave dhe monopoleve, duke bërë të pamundur mbijetesën e biznesit të vogël dhe të mesëm por edhe duke krijuar një ambient të papërshtatshëm për investimet e huaja;

Duke qenë se reforma zgjedhore dhe gjetja e një mekanizmi efikas për parandalimin e shitblerjes së votës është jetik për funksionimin e demokracisë dhe legjitimimin e institucioneve në vend;

Duke qenë se Shqipëria do të shkojë drejt zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019;

 

Lëvizja Socialiste për Integrim zotohet se:

  1. Do të japë gjithë kontributin e saj që Shqipëria të mos mbetet pas në rrugëtimin e saj europian dhe që Qershori të jetë muaji i çeljes së negociatave për anëtarësim. Ne jemi të bindur se kjo është e vetmja rrugë që vendi të kuadratohet dhe të funksionojë brenda kornizës së ligjeve dhe rregullave si çdo vend tjetër demokratik.
  2. Ne kemi qenë dhe mbetemi promotorët dhe mbështetësit më seriozë të reformës në drejtësi, ndaj dhe nuk do të lejojmë kapjen e reformës dhe deformimin e ndryshimeve kushtetuese konsensuale të Korrikut 2016. Krijimi i shtetit të se drejtës është një kusht jo vetëm për procesin e integrimit europian, por edhe të një jete me dinjitet për çdo qytetar shqiptar.
  3. Do të jemi konstruktiv në çdo çështje me ndjeshmëri të lartë nga qytetarët si dhe për çdo iniciativë ligjore që do ta përafronte Shqipërinë me Bashkimin Europian.
  4. Prioriteti ynë madhor është të bëjmë Shqipërinë vendin ku shqiptarët ndihen si në shtëpinë e tyre sërish dhe të frenojmë në mënyrë emergjente largimin e të rinjve dhe qytetarëve nga vendi.
  5. Mbështetje politikave fiskale që ulin taksat në funksion të hapjes së më shumë vendeve të punës.
  6. Ne do të mbështesim çdo reformë zgjedhore që i jep zgjidhje fenomenit të shitblerjes së votës dhe që garanton votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.
  7. LSI po reformohet së brendshmi duke mësuar nga gabimet tona. Në zgjedhjet e ardhshme ne do te implementojmë një proces Vettingu të kandidatëve, në mënyrë që secili nga kandidatët të plotësojë standarde të larta ku edhe do të firmosi një premtim publik për të emëruar vetëm njerëz të kualifikuar në administratën publike, duke qëndruar larg përkatësive partiake.
/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Rezoluta e votuar me unanimitet në Konventë, LSI: Mbështetje hapjes së negociatave me BE-në në qershor