Shezai Rrokaj: Në vend të shihni qytetarët, sindromi i narcisizmit të pushtetit ju ka kapluar dhe po ju kthehet në paranojë.

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI, Shezai Rrokaj.

Statusi i minatorit

1) Gjendja

Projektligji “Për statusin e minatorit u jep punojësve dhe ish-punojësve të minierave të nëntokës mbrojtjen ligjore të nevojshme dhe të kërkuar prej tyre për vite të tëra.

Pas ndryshimeve strukturore të sektorit në vitet 1992-1993, punojësit e sektorit të minierave në një masë të madhe dolën të papunë. Numri përllogaritet në rreth 40.000 minatorë. Përveç kësaj, ata u gjenden të pambrojtur përballë reformave drastike dhe mbylljes masive të minierave në atë periudhë.

Nisur nga kjo gjendje nuk u ndërmor asnjë masë shtetërore për rikualifikimin e minatorëve e për riintegrimin tyre në situatën e krijuar. Nga ana tjetër, shumë syresh në moshë të madhe, me shëndetin e rënduar e kualifikimin e papërshtatshëm për sektorë të tjerë, u privuan nga tregu i punës. Në piramidën e pagave/pensioneve kontributi i jashtëzakonshëm i punonjësve të sektorit më prodhimtar për ekonominë e vendit për dekada të tëra nuk ka krahasim me atë çfarë përfitojnë.

Gjithashtu, po t’i referohemi, bie fjala, indeksimit vit pas viti të pensioneve sot, një pensionist nëntoke, që ka dalë në pension para viteve 93-96, merr një pension më të vogël sesa një nëpunës në sektorë me shkallë vështirësie më të ulët dhe më pak dobiprurës për ekonominë e vendit.

  1. Prej këtij projektligji përfitojnë

Prej këtij ligji numri i punonjësve që përfitojnë nga ky status është afërsisht 21.000 persona në industrinë minerare. Dhe Statusin e minatorit e përfitojnë të gjithë shtetasit që kanë punuar dhe punojnë në industrinë e minierave, si dhe ata që janë të aksidentuar në punë, pavarësisht kohës së punës në këtë industri.

Të drejtën e përfitimit të statusit e kanë edhe të gjithe ata punonjës të nëntokës që të drejtat e tyre i kanë fituar me vendim gjykate.

3) E drejta për pension sipas këtij projektligji

Ky projektligj sjell përshkallëzim në moshën e daljes në pension: minatori që ka realizuar 12.5 vite nëntoke dhe 30 vite pune gjithsej del në pension 55 vjeç,

Dhe pastaj në mënyrë të përshkallëzuar 11.5 /30.5/ 56; 10.5 /31 /57; 9.5/ 31.5 /58; 8.5/ 32/ 59; 7.5/ 32.5/ 60.

Për ishpunonjësit e nëntokës, që kanë përfituar sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, nënëntoke”, mjaftojnë 23 vite pune gjithsej, nga të cilat 11,5 vjet në nëntokë.

Për ish punonjësit e nëntokës, që nuk kanë përfituar as sipas ligjit nr. 8685, 9.11.2000 dhe as pensione të parakohshme, por që kanë dalë të papunë nga mbyllja e minierave për shkak të reformave deri në vitin 2000, mosha e daljes në pension është si vijon:

Për 12.5vite në minierë dhe 23 vite punë gjithsej mosha e daljes në pension është 55 vjeç; në vijim për 11.5 në minierë, min 24 vite në punë del në pension 56; e kështu me radhë:10.5/ 25/ 57; 9.5/ 26/ 58; 8.5/ 27/ 59; 7.5/ 28/ 60.

Pra, ky projektligj sjell pensionin e nentokës sot, deri 131% të pagës minimale zyrtare

4) Paga dhe shtesat mbi page sipas këtij projektligji

Ky projektligj sjell pagën minmale të nëntokës sot, te rreth 175 % e pagës minimale zyrtare.

Paga e punonjësve të industrisë së minierave përcaktohet sipas kontratës kolektive të punës, por që në asnjë rast nuk mund të jetë më e ulët se 200 % e pagës minimale në shkallë vendi dhe që do të reflektojë të gjitha detyrimet e Kodit të Punës si edhe vështirësitë e veçanta që ka puna në këtë industri dhe ndikimin në shëndetin në punë sipas aktiviteteve të punës.

Shpërblimi financiar pas ndërprerjes së punës 1) Personat që gëzojnë statusin e minatorit që kanë vjetërsi pune të pergjithshme mbi 20 vjet, nga ku jo më pak se 6 vite nëntokë, që humbin vendin e punës të nëntokës pas hyrjes në fuqi të ketij ligji, për shkaqe që nuk varen prej tyre, përveç përparësisëripunësim dhe të drejtës për shpërblim vjetërsie sipas dispozitave të kodit të punës neni 145, kanë të drejtën e përfitimit financiar sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara me VKM, i cili në asnjë rast nuk mund të jetë më i vogel sesa paga minimale neto e minatorit, për një kohe deri në 5 vjet rast se nuk sigurohet ripunësimi, ku: 3 vjet nga punëdhënësi dhe 2 vjet nga Buxheti i Shtetit.

  1. Familja në ngarkim të përfituesit të këtij statusi, kur ky aksidentohet me vdekje gjatë kohës së punës, përfiton 100% të pagës së tij referuese.

Gjithashtu, në këtë projektligj parashkruhet se Përfitimet në privatizime dhe koncensione: Përfituesit e statusit të minatorit sipas këtij ligji, janë përfitues në privatizimin e industrisë minerareraport me kohën e punës, shkallën e kualifikimit dhe kategorizimit të punës.

Sipas kësaj llogarie 24 ml dollarë në vit është financimi nga buxheti i shtetit.

4) Burimet e financimit:

  1. Përfitimet nga ky ligj financohen nga kontributet shtesë deri në masën 5% (2% nga punëmarrësi dhe 3% nga punëdhënësi) të pagës bruto, sipas projektligji dhe nga Buxheti i Shtetit.
  2. Diferenca ndërmjet efektit financiar të këtij ligji, deri në plotësimin e moshës së përfituesve, sipas nenit 31, të ligjit nr. 7703, date 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me kontributin shtesë, do të përballohen nga Buxheti i Shtetit.

5) Trajtimi mjekësor dhe social

Përfituesit e statusit të minatorit dy herë në vit duhet të bëjnë kontrolle mjekësore falas në institucionet shteterore apo private në vend.

Ministria e shëndëtsise brenda 6 muajve nga shpallja e ketij ligji merr te gjitha masat e nevojshme per rivënien në funksion të pavionit të posacëm për sëmundjet profesionale. Në rast sëmundjesh që vërtetohet se vijnë direkt ose indirekt nga puna në nëntoke, përfituesit e statusit të Minatorit përfitojnë kurim falas në institucionet publike apo private që janë në marrëdhënie me FSDKSH. Nëse kurimi nuk ofrohet nga këto institucione, përfituesit e statusit kurohen në institucione private brenda vendit, që ofrojnë këtë kurim dhe financohet nga buxheti i shtetit për ishminatorët dhe nga kompanitë punëdhënëse për personat që janë të punësuar.

Në rastet e sëmundjeve që vërtetohet se vijnë direkt ose indirekt nga puna nëntokë, që nuk kurohen brenda vendit, përfituesit e statusit duhet të kurohen falas jashtë vendit. Financimi i kurimit jashtë vendit bëhet nga buxheti i shtetit për ishminatorët dhe 50% me 50% nga kompanitë punëdhënëse dhe shteti për personat që janë të punësuar.

Për çdo lloj sëmundje ilaçet e përfituesve të këtij statusi janë 100% të rimbursueshme.

Femijëve të përfituesve të këtij statusi, që janë aksidentuar më parë ose pas daljes së këtij ligji me vdekje në punë, kur ndjekin arsimin e lartë shteti u garanton bursë.

6) Shembuj mbështetës

Projektligji gjen te statusi i sapomiratuar i ish-naftëtareve dhe në modele të tjera ekzistuese: 1. Ligj nr. 9210, dt. 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqiperise”. 2. Ligj nr. 9418, dt. 20.05.2005 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërise”, ndryshuar me ligjin nr. 9481, dt. 16.02.2006. 3. Ligj nr. 9361, dt. 24.03.2005 “Për një Trajtim te Veçantë Financiar të Efektivave, Oficerë dhe Nënoficerë Lundrues, të Nëndetseve dhe Polumbarëve te Forcat Detare në Pension“. 4. Ligj nr.9128, dt. 29.07.2003 “Për një Trajtim të Veçantë të Pilotëve Fluturues në Pension”.

7) Këshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave me vendimin nr.649, datë 10.11.2017, bazuar në kërkesën e komisionit, ka dhënë mendimin për projektligjin “Për statusin e minatorit” (Punonjësve të minierave në nëntokë), se, pavarësisht nga qëllimi pozitiv, shprehemi me rezervë për këtë inisiativë ligjore, pasi ndërhyrja në skemë mund të shkaktojë efekte negative për skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore.

Ndërkohë, Këshilli i Ministrave do të ndërmarrë një inisiativë të zgjeruar për vleresimin ligjor, teknik e financiar të hartimit dhe të shqyrtimit të një projektligji për trajtimin e veçantë të punonjësve që kanë punuar dhe punojnë në profesione të vështira.

Në fakt, arsyetimi dhe dy argumentat e KM janë vetëm një alibi, sepse ishte po kjo Qeveri që votoi statusin e naftëtarit rreth 1 vit më parë, cili gjithashtu ka mbetur në letër pa u implementuar. Pastaj nëse krijon tani “efekte negative”, le të hyjë në fuqi për anën financiare me buxhetin e ri të 2019-ës.Problemi qëndron (te zilia) se ky projektligj po propozohet nga opozita ku, me sa dimë, nuk ka dallim nga një lloj drafti që endet sa andej këndej në sirtarë qeveritarë.

Po cili na qenka problemi politik në këtë ligj? Nuk ka lidhje ky ligj me politikën. Ai ka lidhje në mënyrën sesi ne çmojmë punën e vështirë të këtyre njerëzve dhe se si na mungon vetëdija e nevojshme për t’i dhënë vlerësimin e duhur këtyre punonjësve përkundrejt vlerës së pasurisë së nëntokës, e cila gëlltitet me të shpejtë nga sipërmarrësit dhe shteti përmes taksave.Këta janë qytetarët, të nderuar deputetë të mazhorancës. Prandaj duhet të dëgjojmë më shumë dhe të flasim më pak për të bërë mirë qeverisjen e vendit – thoshte Cardinal de Richelieu.

Prandaj hiqni dorë nga arroganca, hiqni dorë nga fryma establishment. Hiqni dorë nga qeverisja me inat. Të gjithë deputetët dhe partitë tona të tregojmë përgjegjshmëri për problematikat sociale. Ndaj bashkëpunoni me opozitën dhe jo siç vepruat kur kaloi buxheti në Parlament, ku në mënyrë arrogante rrëzuat 19 amendime të opozitës a thua se asnjë syresh nuk mund të ishte i drejtë.

E pra, thojuni qytetarëve se tjetër shkruani e tjetër bëni, thojuni atyre se keni vetëm fjalë, vetëm fasada. Po pse nuk bashkëpunojmë, kur ne ju ftojmë për këtë gjë. Kur kjo nismë është vetëm sociale? Ne nuk duam merita për këtë ligj, merrini ju meritat. Minatorët, naftëtarët të përfitojnë se janë qytetarë të majtë dhe të djathtë.

Qytetarët na e kanë dhënë mandatin për të trajtuar problematikat tyre dhe për ta parë qeverisjen se si reflektohet tek ta. Por me sa duket në vend të shihni qytetarët, sindromi i narcisizmit të pushtetit ju ka kapluar dhe po ju kthehet në paranojë. Ju po shfaqni shenja sikur qytetarët po jetojnë si e mendoni ju. Gaboheni! Po të ishte e vërtetë ata nuk do ta braktisnin vendin. Kur në një vend ka politikë të keqe qytetarët kanë dy rrugë: të ndërrojnë vend, siç ka ndodhur këto vite me braktisjen masive të Shqipërisë, apo të ndërrojnë politikën e keqe, siç vendosën ta bëjnë në 27 janar.

 

 

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Shezai Rrokaj: Në vend të shihni qytetarët, sindromi i narcisizmit të pushtetit ju ka kapluar dhe po ju kthehet në paranojë.