SMS-të kërcënuese, Vasili: Burgjet paskan rënë në dorë të kriminelëve

Intervista e kreut të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim për ‘Ora News’

Skandaloz përdorimi i celularëve. Përse kryeministri nuk i denoncon në Prokurori?

Fillimisht do doja të flisnim për çështjen e ditës, shumica parlamentare ka votuar sot për futjen me procedurë për të enjten e ardhshme të projektligjit për ndalimin e lojërave të fatit. Zoti Taulant Balla, kryetari i grupit parlamentar të partisë socialiste u ka bërë thirrje edhe opozitës që të vijë në parlament dhe ta votojë atë. Fillimisht do doja të dija nëse ju si pjesë e opozitës keni ndërmend të shkoni të enjten tjetër në parlament për të votuar për këtë ligj të rëndësishëm, që në fakt i jep fund një plage të madhe sociale në Shqipëri…

E nderuar zonja Njuma unë nuk kam fare ndërmend ti përgjigjem Taulant Ballës aq më pak Edi Ramës, pasi e gjithë kjo tollovi është e gjitha një propagandë e shtyrë në kohë, pasi janë pronësuar qartë dhe prerë që në vitin 2016. Kam parë që këta të dy njëri pas tjetrit, se këta janë bërë si shpirtra binjakë pasi i ka bashkuar halli. Jam shprehur në 2016, pikërisht në 31 dhjetor dhe i kam thënë Edi Ramës që të fusë që në seancën e parë të janarit, ligjin përkatës, dhe kam garantuar në emër të grupit parlamentar të LSI-së jo vetëm mbështetjen e plotë, por kam shkuar edhe më tej dhe i kamë thënë në rast se një nga anëtarët e grupit parlamentar të LSI-së nuk do ta votonte këtë ligj do të ishte i përjashtuar nga grupi, i kam bërë edhe një thirrje në fund, uroj të kesh bërë të gjithë votat e deputetëve të tu bashkë që ta çosh, rezultoi që nga 2016, ne tani jemi në tetor 2018….

Mesa duket kësaj here nisma e kryeministrit është më serioze se kurrë..

Jo, jo po nuk jemi këtu që të klasifikojmë kryeministrin që nga karagjoz na bëhet serioz…

Pra ju nuk e besoni kësaj here nismën për mbylljen e lojërave të fatit…

Më fal t’ju bëj një pyetje ju të tërëve si qytetarë, jo juve si gazetare dhe unë si politikan, 3 vjet pse nuk ndodhi, sepse edhe janë ankuar këta

Zoti Vasili, përtej aspektit politik qoftë për të mbyllur një plagë sociale, përse nuk i bashkoheni kësaj here mazhorancës..

Përpara se të shkojmë tek plaga sociale, që është një plagë që ne e kemi demaskuar me kohë . Unë nuk jam këtu, besoj as ju nuk jeni këtu për të bërë alibinë e Kryeministrit, pyetja e parë publike është 3 vjet këto qindra milionë euro që thotë Kryeministri, që sot tha 700 milionë, Fisku thotë 150 milionë, por farë rëndësie ka, dihet që ky Kryeministër matematikën e ka të huaj për veten e tij. Pyetja e publikut është kjo, më harroni si politikan, po pyes si qytetar, në 2016 i kam kërkuar unë që sot jam në opozitë, në atë kohë kam qenë aleati i tij, i thashë: Zotëri ke nisur një aksion “Fund Marrëzisë” ti japim fund këtyre dënglave, ta konkludojmë këtë çështje ashtu si është rënë dakord dhe kam garantuar politikisht po të doni, parlamentarisht po të doni shumë qartë vullnetin, si do vij unë sot dhe do ulem do diskutoj dhe do jem shumë i preokupuar. Pra ne jemi në standardin shyqyr që Kryeministri po fillon të na bëhet nga karagjoz në serioz, ka tre vjet kohë, ju lutem në qoftë se keni mundësitë tuaja mediatike, aq sa ju lejohet bëjani këtë pyetje publike Kryeministrit: Ç’bëre tre vjet? Po këtyre që po u kërkon vota sot, ta kanë vënë në dispozicion votën dhe të kanë kërkuar përgjegjësi.

Kryeministri sot, z. Vasili, deklaroi që ka pasur shantazhe, presione edhe nga qelitë e burgut. Si mendoni, kujt i referohet Kryeministri?

E kam pyetur para pak, në profilin tim në Facebook dhe i them: këta kanë vajtur me vrap dhe kanë denoncuar për ato që këta e kanë konsideruar si shpifje, ndonëse 99,9% e tyre kanë qenë të vërteta, por i kanë konsideruar shpifje dhe kanë vajtur me vrap në Prokurori. Pse nuk shkojnë e i denoncojnë në Prokurori këto sms? Këto vijnë dhe nga burgjet. Burgjet a i administron kjo qeveri? Se burgjet nuk janë në administrim partiak, janë administrim publik. Po tani, pyetja tjetër shumë interesante. Këto sms vijnë në celular, pra në burgjet shqiptare qenka institucionalizuar që kriminelët brenda në burgje mbajnë celular? Po këtu ka rënë gjithçka. Burgjet paskan rënë në duart të kriminelëve. Si paskan celularë dhe çojnë sms? Ky Kryeministri ka frikë të tmerrshme, nuk i denoncon dot. Denoncon një deputet, denoncon Kryetarin e opozitës, denoncon këdo. Nga këta tmerrohet. Themi ne, kemi një shprehje popullore, se nuk e them dot se prish studion tuaj, po pse ka kaq frikë ky? Po të vete ta denoncoj. Fije fije ta bëj burgun se kush i ka çuar këto sms, ta gjej dhe të marrë drejtorët e burgjeve. Thotë 313? Po a është kërkuar drejtoria e 313-ës? Duhet të ishte shkarkuar, duhet të kishte dalë në lajme. Se nga ky burg dalin dhe i çojnë sms kryeministrave dhe deputetëve e i bëjnë shantazh parlamentit. Jemi në një moment se ky ngaqë është i prishur nga mendtë e kokës, ky edhe e publikon. Ju jeni gazetare, keni bërë edhe gazetaren e terrenit një kohë të gjatë, keni bërë të gjitha llojet e gazetarive, këtu thoshin që celularët e burgut do merren në konsideratë si tezë politike, do thoshin që burgu qenka në dorë të perëndisë. Nuk qenka më në dorë të shtetit. Kjo është e gjithë historia. Dhe pyetja është: Çka Kryeministri, ku e ka frikën? Nga kush trembet që nuk vete t`i denoncoj, ta bëjë fije fije dhe të nxjerrë dhe ata maskarenjtë që i bëjnë shantazh këtyre deputetëve të pastër qelibarë siç janë këta.

Z. Vasili, komisioni qendror i Zgjedhjeve prej 11 tetorit ka hyrë në ngërç për shkak të arrogancës së 4 anëtarëve. Si do të veprohet në KQZ deh cilat janë planet e lëvizjes Socialiste për Integrim? Do të arrini të keni një anëtar në KQZ?

Çfarë anëtari duhet të kemi? Pse duhet të kemi plane dhe pse duhet të arrijmë? Se nuk e kuptova pyetjen tuaj sinqerisht.

Do të arrini të keni një përfaqësues tuaj në KQZ? Keni biseduar me z. Basha për të pasur një përfaqësues me LSI?

Pse duhet të arrijmë? Së pari, t`ju shpjegoj dy momente që të jeni e qartë. Ka dy çështje kryesore. Një çështje kryesore, është qëndrimi politik ndaj KQZ dhe gjithë farsës parlamentare pasi kemi një parlament që funksionon në mënyrë anormale. Ju e keni parë se çfarë ndodhi me ligjin e Teatrit, me plot ligje të tjera, me këtë farsë që po ndodh për ligjin e bixhozit e të tjera. Së dyti, ç`nevojë kemi ne t`i drejtohemi dhe të bëjmë marrëveshje me njëri tjetrin? Kodi Zgjedhor ka këto përcaktime, që ta dini njëherë e mire dhe të kurseni kolegët që të mos bëjnë një pyetje që nuk ka ndonjë vlerë juridike. Kodi thotë qartë, ka 7 anëtarë KQZ, 2 nga partia më e madhe e mazhorancës dhe 2 nga partia më e madhe e opozitës. I treti në njërin krah, dhe i treti në krahun tjetër, zgjidhen nga dy partitë e tjera më të mëdha që vijnë në secilin krah politik. Nuk e di e sata është në krahun e opozitës LSI-a,e dyta apo e treta? Mua më rezulton e 2-ta, me 19 deputetë apo jo?

Ruçi sot ka bërë thirrje që grupet parlamentare të dërgojnë propozimet e tyre për kandidat. Ju do t`i përgjigjeni thirrjes së z. Ruçi apo do kemi bojkot të kësaj thirrje?

Së pari, duhet të kemi parlament. Nuk kemi parlament dhe nuk as Kryetar parlamenti kështu që nuk eshte thirrje që bie në boshllëk, pasi kryetari i parlamentit që ta dini ju, po ju jap një kuriozitet tjetër, se hyn tek kuriozitetet tashmë se shtet ligjor nuk ka më, që në vitin 2016 në shkurt, kemi depozituar një nismë për këto koncesionet që rropën dynjanë. Tashmë nuk janë më pjesë e diskursit opozitar, por janë edhe në bazën botërore të FMN-së etj dhe të BE-së. Edhe më së fundmi Ambasada Amerikane, ju e mbani mend në kohën e Lu-së, iu drejtua qeverisë që mos të bënte koncesione se ishte një hajdutëri e madhe. Ky ligj edhe sot e kësaj dite nuk është shqyrtuar, pavarësisht vëmendjes mediatike i shpëton se vëmendja mediatike ka më tepër përqendrim të krijojë standardin nga karagjoz, po na bëhet serioz Kryeministri apo jo. Kjo është më e rëndësishmja. Përveç kësaj ia drejtuar dhe me letër këtij Gramoz Ruçit. Ore po shkelni procedurat ashiqare. Janë futur dhjetëra ligje. Ja sot ju patë ligjin për procedurë të përshpejtuar. Një problem i cili godet vendin, janë disa qindra mijëra euro, të cilat janë në duart të dyshimte dhe të cilat vetë ndërkombëtarët thonë: Kujdes! Po pastrohen para të pista. I lë edhe me shkrim unë këtij, ky nuk kthen asnjë lloj përgjigje. Nuk do të dijë fare pasi parlamentin e kanë konsideruar përfundimisht, kemi një pre atje q është shqyer bashkë, ngrënë me vrap ato duar, ndajnë koncesione. Pra, ka një vend që ndajnë gjënë atje. Ky nuk është parlament dhe ky kryetar parlamenti nuk i drejtohet dot opozitës. Duhet të krijojmë parlament, duhet të kemi një parlament normal, atje ka ndodhur që me një vendim është ngritur ky kryetari de-facto Taulant Balla dhe ka thënë të lëmë diskutimet në mes. I ka lënë diskutimet, ika hequr të drejtën e fjalës opozitës. Po një parlament që ska procedura, ku nuk flitet, çdo lloj pocaqie kushtetuese, sigurisht që nuk funksionon.

Z. Vasili për sa i takon Reformës Zgjedhore, çfarë do të bëni? Çfarë strategjie ka LSI?

LSI nuk ka një strategji të ndarë nga ajo e opozitës pasi të gjitha qëllimet tona janë të sinkronizuara. Përballë është një mazhorancë dhe një opozitë, një opozitë e cila ka qëllime shumë të qarta dhe të përbashkëta. Por në radhë të parë vendosja e standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është më normale, pasi pikërisht në tavolinën e Komisionit të Reformës Zgjedhore në një nga dëgjesat, përfaqësuesi i Këshillit të Evropës la në tavolinë një patate të nxehtë, edhe kjo shumë pak komentohet edhe nga ju, pra nga media shqiptare, që 20 për qind a më shumë e votave janë shitur dhe janë blerë. I vijnë vërdallë por nuk i japin një përgjigje kësaj shit-blerjes së votës dhe të gjitha të tjerat janë llafe. Kemi edhe një tjetër problem shumë delikat. Partia Socialiste e ka minuar procesin, pasi në mënyrë të njëanshme ka paraqitur, siç e keni parë, draftin e Bledar Çuçit, një draft me 50 pika. Në historinë e pluralizmit shqiptar, në historinë e gjithë reformave zgjedhore nuk ka një rast të dytë, pavarësisht se kush nga mazhorancat ka qeverisur, kurrë nuk ka guxuar që të marrë dhe paraqesë një draft të vetin. Për çfarë arsye? Nuk i ka disponuar votat dhe politikisht ka qenë një idiotësi, pasi procesi elektoral paracakton rregulla loje, të cilat janë të njëjta për të tërë. Edhe në këtë pikë, ky kryeministër dhe kjo qeveri kanë arritur të bëjnë këtë gjë, pra të bëjnë në mënyrë të njëanshme reformën zgjedhore. Sa kohë ka një klimë të tillë të njëanshmërisë së reformës zgjedhore? Nuk kemi ç’flasim sepse këta kanë për qëllim ta uzurpojnë, ta kapin dhe t’i vendosin vetë rregullat e lojës. Gjë që s’ka ndodhur. As në ’91-shin, as në ’92-shin, as në kohën kur sa po dilnim nga komunizmi dhe jo më në kohët e sotme. Ju e perceptoni vetë se çdo të thotë kjo. Do të thotë që siç grabisin votat dhe koncesionet, duan të grabisin edhe zgjedhjet. Këto nuk e përballojnë dot një proces normal, të rregullt, një garë ligjore. Këta urrejnë rregullat.

Pra, në kushtet e këtij bojkoti të përgjithshëm, keni ndërmend të digjni mandatet? A keni diskutuar me z. Basha për këtë gjë?

Nuk kemi diskutuar për djegin e mandateve, kemi diskutuar për gjithë frontin politik opozitar, të gjithë veprimet që janë në mënyrë të drejtpërdrejtë në komunikim intensiv me qytetarët. Kemi një komunikim më intensiv se kurrë më parë me ndërkombëtarët, të cilët një pjesë e tyre për fat të keq sot po ndërgjegjësohen si kurrë më parë, prandaj edhe në raportet e tyre tashmë është krimi i organizuar, trafiqet dhe droga. Pasi më parë ka pasur një ndikim nga ndërkombëtarët për të bllokuar informacionin. Dhe së treti një aksion të shtrirë në terren, i cili do ketë kulmet e veta shumë të rëndësishme dhe domethënëse për kthesën e madhe që do të ndodhë në Shqipëri. Kështu që, në këtë plan do të veprohet edhe për reformën zgjedhore, qëndrimin ndaj saj dhe mbi të gjitha demaskimin në çdo vend për të treguar që reforma zgjedhore po bëhet në mënyrë të njëanshme dhe duan të vjedhin zgjedhjet në tavolinë.

Sa i takon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, a mbështesni ju propozimin e Presidentit Meta për ndryshime ligjore, në mënyrë që të zhbllokohet më në fund ky ngërç i Gjykatës Kushtetuese?

Përpara se t shkojmë tek Gjykata Kushtetuese, ky Këshilli i Emërimeve që ju përmendni, është një instrument që ka lindur nga reforma në drejtësi. Ne kemi paraqitur një paketë të tërë, e cila çfarë bën? Na kthente në frymën e 21-22 korrikut të vitit 2016, për të pasur një reformë të thjeshtë, të paanshme dhe të zbatueshme. Kjo reformë ka humbur të gjitha afatet e veta kushtetuese. Kjo reformë është zgjidhur në mënyrë të njëanshme në shumë momente që ka kulmuar me rastin e prokurorit. Ka krijuar një trupë vettingu që vepron qartazi me dy standarde, pasi ju e shikoni që vendimet e vettingut po ankimohen nga ONM-ja. Dhe së fundmi ka prodhuar nga dhjetë anëtarë, pesë të KLGJ-së dhe pesë të KLP-së të zgjedhur në Parlament, shtatë prej të cilëve janë kontestuar rreptë nga ONM. Ky integritet i reformës në drejtësi është tronditur tërësisht dhe kësaj reforme ne duhet t’i futemi në një operacion të ri të rikthimit të integritetit të humbur. Komisioni i Venecias na ka kërkuar dikur që prokurorin e përgjithshëm të mos e zgjidhnim as me 84 vota, por të shkonim në një mazhorancë më të gjerë që të krijohej ideja e një prokurori të paanshëm, të pakapur. Këto çështje të mëdha ku bën pjesë edhe Këshilli i Emërimeve duan një përgjigje të plotë e komplekse, sepse nuk mund të zgjidhim dot njërën anë dhe të lëmë të tjerat.

Meqenëse jemi 8 muaj përpara zgjedhjeve lokale, a keni ndërmend të bëni aleancë zgjedhore me PD-në?

Ne jemi në një bashkëpunim të hapur me partinë Demokratike, për një front që ka të bëjë në radhë të parë e mbi të gjitha mbi rrëzimin e qeverisjes së Edi Ramës. Është shumë më i madh si objektiv politik sesa fitorja e njërës apo tjetrës bashkie. Pra, përgjigja kryesore do të jepet këtu dhe bashkë me këtë do të zhvillohen edhe instrumentet e tjera që i takojnë zgjedhjeve lokale

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on SMS-të kërcënuese, Vasili: Burgjet paskan rënë në dorë të kriminelëve