Protestat tek MAS, Kejdi Mehmetaj: Solidarizohemi me studentët, duhet arsim falas

Intervista e deputetes së LSI-së për emisionin ‘45 minuta’ në ‘Report Tv’

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, në një intervistë për emisionin ‘45 minuta’ në ‘Report Tv’, ka folur rreth protestës së zhvilluar përgjatë paradites së sotme nga studentët e vendit përkundrejt tarifës për provimet e mbartura, kushtet e konvikteve, tarifës së studimit dhe pjesëmarrjes së një përfaqësuesi të studentëve në Bordin e Administrimit. Kejdi Mehmetaj u shpreh se ndonëse Ministria e Arsimit është përpjekur përgjatë gjithë ditës që të mënjanohet nga përgjegjësia e saj ndaj pikave për të cilat kanë protestuar studentët, Ministria e Arsimit, sipas saj, është pikërisht ajo e cila harton politikën përgjegjëse të arsimimit të studentëve shqiptarë. Sipas Mehmetaj, studentët kërkojnë arsim falas pikërisht për shkak të ekonomisë së rënduar që po e karakterizon gjithnjë e më shumë vendin.

Kejdi Mehmetaj për protestën e studentëve

“Dua të shpreh të gjithë solidaritetin tim, por mbi të gjitha përkrahjen dhe entuziazmin që të gjithë shqiptarët kanë fituar falë protestës së studentëve. Mesa duket dhjetori në Shqipëri është i studentëve dhe do të mbesë i tyre për shumë gjatë. Këta studentë arritën këto 2-3 ditë t’u kthejnë besimin shqiptarëve që në këtë vend ka ende shpresë dhe ka njerëz që janë ende të gatshëm të luftojnë për të drejtat e tyre. Ky është një mësim shumë i mirë për të gjithë ne që kur vendimet që merren nën kurrizin tonë na dëmtojnë, ne jemi të zotët që t’i zhbëjmë ato. Dhe kjo protestë është padyshim frymëzuese dhe meriton përkrahjen dhe mirënjohjen e gjithë shoqërisë shqiptare. Protesta është vetëm e studentëve dhe janë ata që kanë fjalën e fundit. Kushdo që ka statusin e studentit dhe kushdo që ka interes për të ardhmen e shëndetshme të studentëve shqiptarë, i është bashkuar asaj proteste dhe duket që nga forma, organizimi dhe çdo gjë tjetër që ata po bëjnë, firma dhe vula është krejtësisht e tyre. Unë sot jam ndier krenare që jam pjesë e Shqipërisë, e asaj Shqipëria që rrit të tillë të rinj e të reja, të cilët sot janë shumë më të pjekur dhe kanë marrë fatet e tyre në dorë për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre”, u shpreh ndër të tjera në këtë intervistë deputetja Mehmetaj. Ndërkohë, duke folur për autonominë e universiteteve, Kejdi Mehmetaj u shpreh se: “Ministrja bën një lojë të padrejtë me autonominë e universiteteve. Hedh këtë shashkë le të themi në mënyrë që të vendosë pedagogët përballë studentëve dhe studentët përballë pedagogëve kur është krejt e kundërta. Autonomia është thjesht një fjalë që e përdorë ministrja sa herë do të heqë veten e saj nga problemi. Ministria nuk mund tu fshehë sytë as studentëve, padyshim jo e jo pedagogëve dhe rektorëve dhe dekanëve dhe aq më pak publikut. Ligji në çdo rast, jo vetëm në Shqipëri e bën Ministrinë e Linjës, ministri përgjegjëse për të miratuar kufijtë e tarifave. Në bazë të këtyre kufijve miratojnë bordet administrative          që në shumicë i ka Ministria. Ne kemi bërë amendime për këtë ligj dhe kjo është aty e ngelur, e zeza në të bardhë”. Përsa i përket qëndrimit të LSI-së për arsimin, Mehmetaj u shpreh se: “Unë dhe LSI jemi që arsimi në Shqipëri duhet të jetë falas. Kur themi falas, asnjë para nuk duhet të dalë nga xhepat e studentëve. Nuk flasim për mjete mësimore e kështu me radhë, por nuk duhet të dalin para nga xhepat e studentëve apo dhe familjarëve për fëmijët e tyre të vegjël në arsimin parauniversitar për tu shkolluar. Kur kemi qenë në qeverisje me Ramën, e kemi propozuar këtë gjë. Keni dhe amendimet, ku mund t`i kontrolloni. Çdo vit në buxhetin e shtetit, ne kemi bërë amendime. Unë si pjesë e Komisionit të edukimit të medias dhe mjeteve të informimit publik, çdo vit kemi pasur amendime për të rritur buxhetin për arsimin nga sa është në 5 %, ku 2% t`i rezervohen arsimit të lartë. Vendi ka nevojë për një arsim falas, por mbi të gjitha ka nevojë për një arsim cilësor dhe nuk ka arsim cilësor pa u subvencionuar sepse ti duhet të paguash pedagogët, konviktin, universitetin, laboratorët, mjetet e kështu me radhë. Me kalimin e kohës, qeveria kuptoi që këto para më mirë t`i kishte në xhepat e veta sesa tua jepnin dije qytetarëve. Sot, e ka lënë me më pak se ç’ishte në 2013-n.”, tha më tej Mehmetaj.

 

Vendimi i Komisionit të Venecias për Vettingun në politikë

Kejdi Mehmetaj: Vettingu i politikës, kushti për t’i kthyer qytetarëve qeverisjen që meritojnë

Duke komentuar vendimmarrjen e Komisionit të Venecias për Vettingun në politikë, Kejdi Mehmetaj u shpreh se: Së pari, ky nuk ka qenë kushti për t’u kthyer në Parlament, Vettingu i politikës është kushti për t’i kthyer qytetarëve qeverisjen që meritojnë, që do të thotë se qytetarët të kenë mundësi që së pari, se duke u pastruar në vetvete klasa politike, e cila është e lidhur me krimin, e lidhur me drogën, është e lidhur me korrupsionin, padyshim që çlirohet edhe presioni që kanë qytetarët kundrejt shitblerjes së votës apo presionit të administratës publike për ti marrë votën. Pra, Vettingu në politikë që ka një ngjashmëri logjike me Vettingun që po bohet në Drejtësi apo me Vettingun që po bëhet ne Policinë e Shtetit. Komisioni i Venecias e ka thënë qartazi në raportin e tij, janë dy momente të shkruara, momenti i parë që thotë lidhjet e krimit, lidhjen e politikës dhe institucioneve me krimin e organizuar me korrupsionin me persona të papërshtatshëm, që janë një problem alarmant që duhet të marrë zgjidhje ndryshe qytetarët shqiptar nuk do të besojnë më tek institucionet e këtij vendi dhe momenti i dytë kur thotë se kërkesa e opozitës për këtë është tërësisht legjitime.”, është shprehur në lidhje me këtë çështje deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.

 

Djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në Parlament

Kejdi Mehmetaj: Nuk mund të jemi fasada e këtij Parlamenti që na njollos të gjithëve

Ndërkohë, e pyetur në lidhje me faktin se data 19 janar është afati i fundit për të shkuar në Parlament dhe për të mos djegur mandatet, Kejdi Mehmetaj u shpreh: “Kush e vendos këtë afat, Gramoz Ruçi apo Edi Rama, unë jam deputete di që këtë mandat nuk ma ka dhënë as kryetari i Parlamentit, as kryeministri, as qeveria, këtë mandat mu ma kanë dhënë qytetarët shqiptar. Ajo pjesë e qytetarëve shqiptar që beson tek gjithë aksioni politik që ndërmerr Lëvizja Socialiste për Integrim apo e gjithë pjesa tjetër e opozitës, dhe rregullorja thotë se unë nëse nuk jam e përgjegjshme për të bërë punën time, por unë vazhdoj t’i shërbej qytetarit njësoj dhe vendimi për t’u futur, për të dalë në një mbledhje në një komision, në një seancë plenare varet i gjithi nga ajo që qytetarët ne na nxisin të bëjmë. Pra opozitës, mandatin nuk ia ka dhënë asnjë emër i përveçëm, ja kanë dhënë qytetarët shqiptar, ndaj janë qytetarët shqiptar që do të vendosin padyshim se si do të shkojë rruga jonë në vazhdim. Nuk ka asnjë datë, asnjë presion, asnjë kërcënim dhe përkundrazi ne kemi akoma më shumë përgjegjësi në detyrën tonë si përfaqësues të qytetarëve. Dhe për më tepër, opozita nuk e ka përmendur asnjëherë fjalën bojkot, ka përmendur fjalën marrëdhënie e kushtëzuar me Parlamentin dhe kërkesa është tërësisht legjitime, dhe ne të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur në një parlament ku gjysma e qeverisë nesër mund të jetë pas hekurave për shkak të aferave të rënda korruptiv apo edhe lidhjeve me grupet e strukturuara kriminale apo kur deputetëve të mazhorancës, personazhe të rëndësishme brenda mazhorancës, u dalin prova me zë dhe figurë si të përfshirë në skandale korruptive apo dhe të lidhura me krimin e organizuar. Pra, ne këtë po themi, ne nuk mund të jemi fasada e këtij Parlamenti që na njollos të gjithëve, nëse ju pyesni sot opinionin publik nuk do t’ju thotë që në atë Parlament ka edhe djem dhe vajza, gra dhe burra të cilët janë të përgjegjshëm, që japin më të mirën, japin maksimumin e tyre për ta bërë këtë vend më të mirë, përkundrazi do t’ju thonë ai që rri me atë të fortin, ai që ka marrë kaq lek, ai që shkon në komisariat për t’i vënë pistoletën dikujt, një vajze të re për ti ndryshuar padinë dhe unë për vete personalisht nuk mund ta pranoj që të etiketohem ashtu, unë do ti përdor të gjitha format dhe mjetet e mia, për të thënë se nuk mund të jem fasada e këtyre personazheve.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Protestat tek MAS, Kejdi Mehmetaj: Solidarizohemi me studentët, duhet arsim falas