Statuti

 Statuti i Lëvizjes Socialiste për Integrim

  1. EMRI

1.1. Lëvizja Socialiste për Integrim është parti politike. Ajo është bashkim vullnetar i shtetasve shqiptarë mbi bazën e ideve, të bindjeve, të pikëpamjeve dhe interesave të përbashkëta politike, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit.

1.2. Emri i plotë i partisë është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe inicialet e saj janë LSI, të cilat përdoren në simbolin, flamurin, vulën dhe në të gjithë dokumentet zyrtare të partisë.

  1. SELIA

2.1. Selia qendrore e LSI-së është në Tiranë.

III. SIMBOLI

3.1. Simboli i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i përbërë nga inicialet LSI, mbi të cilat është vendosur një trëndafil i kompozuar nga lulja dhe kërcelli me dy gjethe të vendosura në të dyja anët e tij. Simboli vendoset në stemën, vulën dhe flamurin e LSI-së.

  1. VULA

4.1. Lëvizja Socialiste për Integrim ka vulën e saj, e cila është në formë rrethore me simbolin e LSI-së në qendër. Rreth simbolit shkruhet me gërma kapitale forumi i LSI-së, i cili e përdor.

  1. DOKUMENTAT BAZË

5.1. Dokumentat bazë mbi të cilat bazohet organizimi dhe funksionimi i LSI-së janë Programi dhe Statuti i LSI-së.

5.2. Programi dhe Statuti janë dokumente të hapura për ndryshime dhe përmirësime, kur zhvillimet i bëjnë ato të nevojshme.

  1. PARIMET KRYESORE

6.1. LSI është krijuar, organizuar e funksionon mbi bazën e disa parimeve kryesore që janë:

  1. Vullnetarizmi për t’u anëtarësuar në LSI, për të pranuar programin dhe statutin e saj, si dhe të gjitha detyrimet që burojnë prej tyre;
  2. Garantimi dhe mbrojtja e lirisë së shprehjes të çdo anëtari të LSI-së, për çdo problem që ka të bëjë me organizimin, funksionimin dhe gjithë veprimtarinë politike dhe organizative të LSI-së; për rolin dhe performancën e përfaqësuesve dhe e të zgjedhurve të saj; për dokumente themelore dhe çështje të tjera me interes;
  3. Demokracia e brendshme e partisë, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në të gjitha forumet e LSI- -së, si dhe e drejta e krijimit të fraksioneve brenda strukturave të LSI-së;
  4. Kolegjialiteti dhe transparenca në vendimmarrje dhe në drejtimin e çdo forumi të LSI-së;
  5. Votim i fshehtë dhe me kandidatura alternative mbi bazë të parimit një anëtarnjë votë.

VII. ANËTARËSIMI

7.1. Anëtar i LSI-së mund të jetë çdo shtetas shqiptar, pa dallim race, kombësie, feje, seksi, gjendjeje ekonomike dhe përkatësie shoqërore, i cili:

  1. ka mbushur moshën 16 vjeç;
  2. nuk është anëtar i ndonjë force tjetër politike;
  3. pranon me vullnet të lirë statutin dhe programin e LSI-së dhe kontribuon në zbatimin dhe realizimin e tyre.

7.2. Anëtarësimi në LSI bëhet individualisht, mbi bazën e vullnetit të lirë të çdo shtetasi shqiptar që shpreh me shkrim kërkesën e tij për anëtarësim në Organizatën e LSI-së, pranë Qendrës së Votimit në territorin e së cilës ai ka vendbanimin e qëndrueshëm dhe ushtron të drejtën e zgjedhjes.

7.3. Vendimin për pranimin në LSI të kërkuesit, e merr Kryesia e LSI-së pranë Njësisë Administrative përkatëse, pasi ka shqyrtuar më parë kërkesën dhe rekomandimin e Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit.

7.4. Shtetasi shqiptar që jeton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që ka dëshirë dhe plotëson kushtet për t’u anëtarësuar në LSI, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim pranë Kryesisë së LSI-së në vendin ku jeton. Në rastet kur LSI nuk ka struktura në shtetin ku jeton shtetasi shqiptar, që do të anëtarësohet në LSI, ai i drejtohet me një kërkesë me shkrim Kryesisë së LSI-së në Bashkinë ku ka gjendjen civile në Shqipëri.

7.5. Anëtarëve të LSI-së, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, u garantohet përfaqësimi në Konventën Kombëtare të LSI-së. Mënyra e përfaqësimit në Konventën Kombëtare dhe e zhvillimit të jetës politike përcaktohet me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar.

7.6. Anëtari i LSI-së, i cili për arsye personale është i detyruar të largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, mund të ruajë anëtarësinë duke njoftuar me shkrim Organizatën e LSI- -së pranë Qendrës përkatëse të votimit për adresën e tij të re, si dhe të shprehë angazhimin për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ky statut.

7.7. Anëtari i LSI-së ka për detyrë:

  1. të bëjë pjesë në një organizatë të LSI-së;
  2. të pranojë programin dhe statutin e saj;
  3. të paguajë rregullisht kuotizacionin e anëtarësisë;
  4. të marrë pjesë në zgjedhjet në LSI duke votuar për kandidatin që dëshiron, si dhe në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore e në zgjedhjet e përgjithshme, duke votuar për kandidatët e LSI-së apo për kandidatët që ajo mbështet;
  5. të mos kandidojë si i pavarur apo nën siglën e një force tjetër politike, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, në zgjedhjet e përgjithshme apo për pozicione publike, ku një nga kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave është ai i përfaqësimit politik;
  6. të regjistrohet për të votuar vetëm pranë Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit në territorin e të cilës ka vendbanimin e tij të qëndrueshëm;
  7. të respektojë disiplinën e partisë dhe të kontribuojë në forcimin e kohezionit të saj;
  8. të pranojë vendimet e shumicës e të respektojë mendimin ndryshe;
  9. të punojë për rritjen e ndikimit të LSI-së në komunitetin përkatës;
  10. të përpiqet të shtojë rradhët e LSI-së;
  11. të mos përfshihet në veprimtari apo sjellje të cilat janë kompromentuese për LSI-në dhe që cënojnë imazhin e saj.

7.8. Anëtari i LSI-së ka të drejtë:

  1. të zgjedhë dhe të zgjidhet në forumet drejtuese të LSI-së;
  2. të marrë pjesë dhe të japë kontributin e tij në hartimin dhe zbatimin e qëndrimeve dhe politikave të LSI-së, programit dhe statutit të saj;
  3. të informohet për aktivitetin e strukturave të LSI-së dhe të shprehë qëndrimin e tij për to;
  4. të propozojë dhe të propozohet si kandidat i LSI-së për zgjedhjet në organet e qeverisjes vendore apo për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe në të gjithë organizmat ku kërkohet përfaqësim i LSI-së;
  5. të jetë i barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të LSI-së, pavarësisht nga funksionet që mbulon në LSI apo gjetkë, e pavarësisht nga gjendja ekonomike, përkatësia shoqërore apo niveli arsimor;
  6. të largohet nga LSI-ja, kur të dëshirojë, duke bërë një njoftim me shkrim në Organizatën e LSI-së pranë Qendrës së Votimit ku bën pjesë, pa qenë i detyruar të japë shpjegime

VIII. MASAT DISIPLINORE

8.1. Çdo anëtar që vepron në kundërshtim me Statutin, Programin dhe vendimet e forumeve të LSI-së i nënshtrohet marrjes së masave disiplinore.

8.2. Masat disiplinore janë:

  1. këshillimi;
  2. pezullimi i anëtarësisë.

8.3. Procedurën për dhënien e masës disiplinore anëtarit të LSI-së e fillon forumi i cili ka konstatuar shkeljen.

8.4. Kërkësa për dhënien e masës disiplinore në rastin e anëtarit të thjeshtë të LSI-së dhe të kryetarit të Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit, i drejtohet Kryesisë së LSI-së të Njesisë Administrative, ndërsa përsa i përket rastit të funksionarit të LSI-së të zgjedhur apo të emëruar nga forumet e LSI-së, kërkesa i drejtohet forumit i cili e ka zgjedhur. Për funksionarët e LSI-së të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga anëtarësia, kërkesa i drejtohet Konventës Kombëtare.

8.5. Kërkesa duhet të përmbajë një përshkrim të hollësishëm mbi shkeljen e konstatuar, si dhe masën disiplinore të propozuar.

8.6. Marrja e vendimeve dhe ankimimi i tyre bëhet në përputhje me parashikimet e këtij Statuti dhe të vendimeve të Konventës Kombëtare.

8.7. Rregullat e hollësishme për dhënien e masave disiplinore përcaktohen nga Konventa Kombëtare.

  1. ORGANIZIMI I LSI-së

9.1. LSI-ja është një parti politike me karakter elektoral me organizim vertikal nga baza në qendër, e cila në themel të organizimit të saj ka demokracinë e brendshme në parti, lirinë e shprehjes dhe të besimit, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur,  sipas parimit “një anëtar-një votë”

9.2. LSI-ja e ushtron aktivitetin e saj në të gjithë territorin e vendit dhe jashtë vendit ku ka struktura të ngritura në përputhje me Statutin e LSI-së dhe që veprojnë në respekt të plotë të ligjeve të shtetit, ku kryen veprimtarinë e vet.

9.3. LSI-ja është organizuar në dy nivele: në nivelin vendor dhe nivelin qendror.

9.4. LSI-ja në nivel vendor ka këtë organizim:

Organizata pranë Qendrës së Votimit OQV

Kryesia e LSI-së në Njësinë Administrative KNJA

Konventa Bashkisë KB

Komiteti Drejtues i LSI-së në Bashki

Kryesia e LSI-së në Bashki

Kryesia e LSI-së në Qark

 

9.5. Në nivel qendror LSI-ja ka këtë organizim:

Konventa Kombëtare KK

Komiteti Drejtues Kombëtar KDK

Kryesia

Kryesia Ekzekutive

Kryetari

Zëvendëskryetari

Nënkryetarët

Sekretari i Përgjithshëm

Departamenti i Organizimit

Këshilli Ankimor Kombëtar

Bordi i Auditimit të Brendshëm

  1. ORGANIZIMI I LSI-së NË NIVEL VENDOR

Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit

10.1. Njësia bazë e organizimit të LSI-së është Organizata pranë Qendrës së Votimit.

10.2. Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit formohet nga të paktën 5 anëtarë të LSI-së. Në rastet kur nuk mund të arrihet ky numër, me miratimin e Kryesisë të LSI-së të Njesisë Administrative, anëtarët e LSI-së e zhvillojnë jetën e tyre politike, në një nga Organizatat e LSI-së pranë Qendrës së Votimit fqinje.

10.3. Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit i zhvillon mbledhjet e saj të paktën 4 herë në vit. Mbledhja e Organizatës e LSI-së pranë Qendrës së Votimit thirret nga kryetari ose nga 1/3 e anëtarëve.

10.4. Gjatë periudhës së fushatave për zgjedhjet në parti, për organet e qeverisjes vendore apo zgjedhje të përgjithshme, Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit konsiderohet e mbledhur në mënyrë permanente.

10.5. Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj politik:

  1. propagandon politikën dhe qëndrimet e LSI-së, në përputhje me Programin, Statutin dhe vendimet e forumeve drejtuese të LSI-së;
  2. propozon dhe zgjedh delegatët e saj në Konventën e Bashkisë dhe në Konventën Kombëtare, si dhe propozon kandidatët e saj për në forumet drejtuese të LSI-së;
  3. punon për shtimin e rradhëve të LSI-së;
  4. organizon dhe administron fushatat për zgjedhjet në LSI, për zgjedhjet në organet e qeverisjes vendore apo për zgjedhjet për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, në përputhje me kompetencat që i jepen nga Statuti dhe vendimet e forumeve të LSI-së;
  5. përpiqet të zgjerojë ndikimin e LSI-së në shtresat e ndryshme të popullsisë në njësinë territoriale për të cilën ajo përgjigjet;
  6. mban lidhje me organizatat politike, të shoqërisë civile, të çdo grupimi tjetër shoqëror apo individë, në përputhje me parimet dhe normat e Programit dhe të Statutit të LSI-së;
  7. respekton mendimin e çdo shtetasi, anëtar apo jo i LSI-së.

10.6. Kryetari i Organizatës së LSI – së pranë Qendrës së Votimit

10.7. Për mbarëvajtjen e punëve të përditshme, zgjidhet Kryetari i Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit. Kryetari zgjidhet për një periudhë katërvjeçare, nëpërmjet një procesi votimi nga anëtarësia e Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit, në prani të Kryetarit ose të njërit prej anëtarëve të Kryesisë së LSI- -së të njësisë administrative.

10.8. Kryetari i Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit:

  1. organizon veprimtarinë e LSI-së në territorin administrativ të qendrës së votimit;
  2. thërret mbledhjet e Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit;
  3. njofton me shkrim Komitetin Drejtues të Bashkisë për çdo mbledhje apo aktivitet të Organizatës pranë Qendrës së Votimit;
  4. nënshkruan të gjitha vendimet e marra nga Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit;
  5. harton e administron listën e anëtarëve të LSI-së pranë qendrës përkatëse të votimit;
  6. harton listën e përkrahësve të LSI-së pranë qendrës përkatëse të votimit;
  7. drejton fushatat zgjedhore të LSI-së në nivel qendre votimi, në rastet e zgjedhjeve të përgjithshme, vendore apo forumet e LSI-së;
  8. mbledh dhe dorëzon në Kryesinë e LSI-së të Bashkisë kuotat e anëtarësisë për organizatën që drejton.

Kryesia e LSI-së në Njësinë Administrative

10.9. Drejtimi politik dhe organizativ i LSI-së në Njësinë Administrative  realizohet nëpërmjet Kryesisë së LSI-së pranë Njësisë Administrative.

10.10. Kryesia e Njësisë Administrative përbëhet nga një numër tek anëtarësh, që miratohet me udhëzim të veçantë të Kryesisë së LSI-  -së.

10.11. Anëtarët e Kryesisë së Njësisë Administrative zgjidhen nga anëtarsia nëpërmjet votimit të listave të kandidatëve duke garantuar të drejtën e përfaqësimit të çdo organizate të LSI-së në përbërje të Njësisë Administrative.

10.12. Rregullat dhe kriteret për përzgjedhjen, mënyrën e kandidimit, të zhvillimit të zgjedhjeve dhe të përfaqësimit në strukturat e LSI-së, miratohen nga Komiteti Drejtues Kombëtar.

10.13. Kryesia e LSI-së së Njësisë Administrative mblidhet jo më rrallë se një herë në tre muaj me kërkesë të kryetarit ose 1/3 e anëtarëve.

10.14. Kryesia e Njësisë Administrative gjatë ushtrimit të aktivitetit politik:

  1. organizon, koordinon dhe kontrollon punën e Organizatave të LSI-së pranë Qendrës së Votimit të LSI-së në territorin administrativ të Njësisë Administrative;
  2. krijon dhe administron regjistrin e anëtarësisë dhe të strukturave të LSI-së në nivel njësie administrative;
  3. propozon kandidaturat për deputetë, në organet e qeverisjes vendore apo në çdo organizatë tjetër, ku kërkohet përfaqësimi politik i LSI-së në territorin administrativ të saj. Kur territori i organit të qeverisjes vendore ndahet në më shumë se një zonë zgjedhore, secila kryesi e njësisë administrative jep kandidaturën e vet;
  4. zgjedh përfaqësuesit e saj për në Konventën e Bashkisë dhe për në Konventën Kombëtare;
  5. kontrollon dhe administron procesin e mbledhjes së kuotizacioneve;
  6. koordinon punën e LSI-së në të gjitha fushat, politike, ekonomike, shoqërore, duke bashkëpunuar jo vetëm me Organizatat e LSI-së pranë Qendrave të Votimit dhe anëtarët e LSI-së, por edhe me organizatat partnere të shoqërisë civile, të çdo grupimi tjetër shoqëror, përkrahës të LSI-së apo individë, në përputhje me parimet dhe normat e Programit dhe të Statutit të LSI-së;
  7. miraton pranimet, këshillimet apo pezullimet nga LSI-ja, pasi shqyrton kërkesat e shtetasve apo anëtarëve si dhe kërkesat për masa disiplinore e rekomandimet përkatëse të Organizatave të LSI- -së pranë Qendrave të Votimit apo forumeve të tjera të LSI-së;
  8. organizon dhe administron fushatat elektorale për zgjedhjet në parti, për në organet e qeverisjes vendore apo për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, në zonën zgjedhore përkatëse, në përputhje me kompetencat që i jepen nga Statuti dhe vendimet e forumeve të LSI-së;
  9. raporton në mënyrë periodike në Kryesinë e LSI-së në Bashki për aktivitetin e LSI-së në territorin administrativ të zonës zgjedhore përkatëse.

Kryetari i LSI-së në Njësinë Administrative

10.15. LSI në nivel Njësie Administrative drejtohet nga Kryetari i LSI-së në Njësinë Administrative, i cili zgjidhet nëpërmjet votimit të drejtpërdrejtë sipas parimit “një anëtar-një votë”  nga anëtarësia e LSI-së e Njësisë Administrative për një periudhë katërvjeçare.

10.16. Kryetari i LSI-së në Njësinë Administrative:

  1. drejton veprimtarinë e LSI-së në territorin administrativ të Njësisë Administrative përkatëse;
  2. thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë së LSI-së të Njësisë Administrative;
  3. nënshkruan të gjithë vendimet e marra nga Kryesia e LSI-së së Njësisë Administrative;
  4. drejton fushatat zgjedhore të LSI-së në nivel Njësie Administrative, në rastet e zgjedhjeve të përgjithshme, vendore apo forumet e LSI-së;

Konventa e LSI-së në Bashki

10.17. Drejtimi politik dhe organizativ i LSI-së në nivel bashkie realizohet nëpërmjet Konventës së LSI-së në Bashki.

10.18. Konventa e LSI-së së Bashkisë përbëhet nga delegatët e zgjedhur sipar gërmës d) të pikës 10.14 të këtij Statuti, ku përveç delegatëve të zgjedhur sipas kritereve të miratuara nga KDK-ja, bëjnë pjesë edhe kryetarët e organizatave, kryesive të LSI-së të njësive administrative, anëtarët e kryesisë së LSI-së në njësitë administrative si dhe të zgjedhurit në organet lokale të qeverisjes.

10.19. Konventa e Bashkisë mblidhet të paktën një herë në vit në bazë të një programi vjetor të miratuar nga Kryesia e LSI-së. Ajo thirret me vendim të Kryesisë së LSI-së të bashkisë me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të saj ose me kërkesë të Kryesisë së LSI-së.

10.20. Konventa e LSI-së në Bashki gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj:

  1. zgjedh Komitetin Drejtues të LSI-së së bashkisë;
  2. miraton kandidatët e LSI-së për këshilltarë në organet e qeverisjes vendore dhe i propozon Kryesisë së LSI-së kandidatët e LSI-së për kryetarë të njësive administrative të bashkisë;
  3. miraton planin vjetor të veprimit politik dhe elektoral të propozuar nga KD i LSI-së së bashkisë;
  4. bën analizën e punës dhe të veprimtarisë së KD të LSI-së së bashkisë për periudhën midis mbledhjes së dy Konventave të Bashkisë.

Komiteti Drejtues i LSI-së së Bashkisë

10.21.KD i LSI-së të bashkisë realizon drejtimin politik dhe organizativ të LSI-së në periudhën midis dy konventave të bashkisë:

  1. KD i LSI-së së bashkisë përbëhet nga anëtarët e zgjedhur me votim të fshehtë nga Konventa e LSI-së së bashkisë, sipas numrit të miratuar nga Konventa;
  2. Janë anëtarë të KD të LSI-së së bashkisë pa votim kryetarët e LSI-së të njësive administrative, të zgjedhurit në organet e qeverisjes vendore, kryetarja e LGI-së së bashkisë dhe kryetari i LRI-së së bashkisë;

Përgjigjet për zbatimin e vendimeve të Konventës Kombëtare të KDK-së, të Kryesisë së LSI-së, si dhe të vendimeve të Konventës së bashkisë;

  1. Koordinon veprimtarinë e LSI-së në të gjitha fushat: politike, ekonomike e shoqërore;
  2. Në mbledhjen e parë pas konstituimit, Komiteti Drejtues i bashkisë zgjedh Kryesinë, nënkryetarët dhe sekretarët e LSI-së së bashkisë;
  3. Komiteti Drejtues, si rregull, duhet të mblidhet jo më pak se një herë në tre muaj. Ai thirret me kërkesë të Kryesisë së LSI-së, me kërkesë të Kryesisë së bashkisë dhe nga një e treta e anëtarëve.

Kryesia e LSI-së në Bashki

10.22. Kryesia e LSI-së në Bashki përbëhet nga Kryetarët e Kryesive LSI-së të Njësive Administrative që janë anëtarë të saj pa votim dhe anëtarët që zgjidhen me votim të fshehtë nga Komiteti Drejtues i LSI-së së bashkisë. Numri i anëtarëve të Kryesisë së bashkisë miratohet nga KD i LSI-së të bashkisë.

10.23. Kryesia e LSI-së në bashki, mblidhet të paktën një herë në muaj. Ajo thirret nga Kryetari ose nga 1/3 e anëtarëve të Kryesisë të LSI-së në bashki.

10.24. Kryesia e LSI-së së bashkisë:

  1. organizon, koordinon dhe drejton veprimtarinë e përgjithshme të LSI-së në territorin e bashkisë përkatëse;
  2. organizon, koordinon dhe drejton fushatat elektorale për zgjedhjet në LSI, për në organet e qeverisjes vendore apo për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë në bashkinë përkatëse, në përputhje me kompetencat që i jepen nga Statuti dhe vendimet e forumeve të LSI-së;
  3. përfaqëson LSI-në, në marrëdhënie me organizatat partnere, partitë e tjera, organizatat politike të shoqërisë civile, të çdo gupimi tjetër shoqëror, në përputhje me parimet dhe normat e Statutit dhe të Programit të LSI-së, në territorin e bashkisë përkatëse;
  4. miraton ndarjen e mjeteve materiale e financiare të LSI-së në bashkinë përkatëse;
  5. thërret mbledhjen e Konventës së LSI-së në bashki;
  6. krijon dhe administron regjistrin e anëtarësisë dhe të strukturave të LSI-së në nivel bashkie;
  7. kontrollon mbledhjen e kuotizacioneve dhe përdorimin e fondeve nga strukturat e LSI-së në bashkinë përkatëse;
  8. raporton në mënyrë periodike në Kryesinë e LSI-së për aktivitetin e LSI-së në territorin administrativ të bashkisë përkatëse.

 Kryetari i LSI-së në Bashki

10.25. Kryetari i LSI-së së bashkisë si rregull zgjidhet nga anëtarësia e bashkisë, me votim të fshehtë, me më shumë se një kandidat sipas parimit një anëtar-një votë ose nga Konventa e Bashkisë për një periudhë katërvjeçare. Këtë vendim e merr Kryesia e LSI-së.

10.26. Kryetari i LSI-së në Bashki:

  1. drejton veprimtarinë e LSI-së në territorin administrativ të bashkisë përkatëse;
  2. thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë së Bashkisë;
  3. nënshkruan të gjithë vendimet e marra nga Kryesia e Bashkisë;
  4. drejton fushatat zgjedhore të LSI-së në nivel bashkie, në rastet e zgjedhjeve të përgjithshme, vendore apo forumet e LSI-së.

Struktura e LSI-së në bashkinë e Tiranës

10.27. Struktura e LSI-së në teritorin e Bashkisë së Tiranës do të funksionojë në bazë të komiteteve drejtuese në nivel njësish administrative, të kryesive të LSI-së të njësive administrative, Konventës së LSI-së të bashkisë së Tiranës, komitetit drejtues dhe kryesisë së LSI-së të Tiranës.

10.28. Konventa e Bashkisë së Tiranës përbëhet nga delegatët që zgjidhen me votim të fshehtë. Delegatë të drejtpërdrejtë janë deputetët e qarkut të Tiranës, këshilltarët e bashkisë së Tiranës si dhe kryetarët e LSI-së të njësive administrative.

10.29. Komitetet drejtuese dhe kryesitë e njësive administrative që janë në përbërje të bashkisë së Tiranës zgjidhen në të njëjtën mënyrë siç zgjidhen komitetet drejtuese dhe kryesitë e LSI-së të bashkive dhe gëzojnë të njëjtat atribute me to.

10.30. KD i LSI-së së bashkisë së Tiranës organizon, koordinon dhe drejton veprimtarinë e KD së njësive bashkiake dhe është forumi vendimmarrës për gjithë veprimtarinë e LSI-së në bashkinë e Tiranës, me përjashtim të rasteve kur këto atribute Statuti ia njeh KDK-së dhe Kryesisë së LSI-së.

Kryesia e LSI-së Qarkut

10.31. Kryesia e LSI-së së Qarkut përbëhet nga kryetarët e LSI-së së bashkive të qarkut dhe i deleguari i Kryesisë së LSI-së. Anëtarë të Kryesisë së LSI-së të qarkut janë edhe deputetët e LSI-së, të zgjedhur në atë qark dhe kryetari i bashkisë, në rastet kur ai është zgjedhur ose propozuar nga LSI.

10.32. Kryesia e LSI-së së Qarkut koordinon dhe drejton veprimtarinë politike, organizative dhe zgjedhore të LSI-së në nivel Qarku.

10.33. Kryesia e LSI-së së Qarkut mban përgjegjësi për zbatimin e vendimeve të KDK-së dhe të Kryesisë së LSI-së nga çdo strukturë e LSI-së në qarkun përkatës.

10.34. Kryesia e LSI-së së qarkut mblidhet si rregull një herë në muaj dhe informon me shkrim Kryesinë e LSI-së për të gjithë veprimtarinë dhe gjendjen e strukturave të LSI-së në qark.

  1. ORGANIZIMI I LSI-së NË NIVEL QËNDROR

11.1. Konventa Kombëtare e LSI-së

11.2. Konventa Kombëtare është forumi më i lartë vendimarrës i LSI-së.

11.3. Konventa Kombëtare thirret të paktën një herë në 2 vjet me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar ose me kërkesë të 1/3 së anëtarëve të Konventës Kombëtare.

11.4. Mbledhja e Konventës Kombëtare, vendi i mbajtjes, kohëzgjatja dhe rendi i ditës, njoftohen të paktën dy javë përpara mbajtjes së saj.

11.5. Konventa Kombëtare drejtohet nga Kryesia e Konventës, e cila zgjidhet nga anëtarët e Konventës Kombëtare mbi bazën e propozimit të Kryesisë së LSI-së.

11.6. Konventa Kombëtare i zhvillon punimet në bazë të rregullores së saj, e cila hartohet nga Kryesia e LSI-së dhe miratohet nga Konventa Kombëtare.

11.7. Konventa Kombëtare:

  1. miraton Programin dhe Statutin ose ndryshimet në to;
  2. cakton numrin e anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar;
  3. zgjedh anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar;
  4. miraton rregullat mbi mënyrën e legalizimit si dhe të përfaqësimit të fraksioneve në forumet e LSI-së.

11.8.  Konferenca Kombëtare e të Zgjedhurve Lokalë

Konferenca Kombëtare e të Zgjedhurve Lokalë përbëhet nga të gjithë të zgjedhurit e LSI-së në organet e qeverisjes vendore. Ajo mblidhet jo më rrallë se një herë në dy vjet. Mbledhjet e Konferencës Kombëtare të të Zgjedhurve Lokalë, thirren me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar.

Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së

11.9. Drejtimi politik dhe organizativ i LSI-së në nivel kombëtar midis dy Konventave Kombëtare realizohet nëpërmjet Komitetit Drejtues Kombëtar.

11.10. Anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar zgjidhen nga Konventa Kombëtare për një periudhë katër vjeçare, nëpërmjet një procedure konkurimi me kandidatura alternative dhe me votim të fshehtë. Numri i anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar caktohet me vendim të Konventës Kombëtare. Anëtarë të KDK-së pa votim janë Kryetari i LSI-së, Kryetari i LRI-së, Kryetarja e LGI-së, deputetët e LSI-së në Kuvendin e Shqipërisë, të zgjedhurit kryetarë të bashkive si dhe Kryetarët e LSI-së të bashkive dhe të qarqeve.

11.11. Në rast se mandati i anëtarit të KDK-së ndërpritet përpara kohe, zëvendësimi i vendit vakant bëhet nga KDK-ja me propozim të Kryesisë së LSI-së.

11.12. Komiteti Drejtues Kombëtar:

  1. organizon dhe drejton gjithë veprimtarinë politike, organizative dhe elektorale të LSI-së;
  2. në rast fitoreje të zgjedhjeve miraton programin e qeverisë;
  3. miraton aleancat politike si dhe emrat e përfaqësuesve të LSI-së në qeveri apo çdo organizëm tjetër, ku kërkohet përfaqësim politik i LSI-së;

ç. cakton numrin e anëtarëve të Kryesisë së LSI-së;

  1. zgjedh zëvendëskryetarin, nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe anëtarët e Kryesisë së LSI-së;
  2. zgjedh Kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së;
  3. miraton kandidaturat e LSI-së për në organet e qeverisjes vendore, kandidatët për deputetë të LSI-së apo në organizatat e tjera, ku kërkohet përfaqësimi i LSI-së;
  4. me kërkesë të Kryesisë së LSI-së diskuton dhe miraton programe reformash në fusha të caktuara;
  5. krijon komisione të përhershme apo të përkohshme pune me anëtarë apo simpatizantë të LSI-së për të zgjidhur probleme të natyrave të ndryshme;
  6. miraton rregulla mbi mënyrën e përfaqësimit në Konventën Kombëtare, për zhvillimin e jetës politike të anëtarëve të LSI-së që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
  7. zgjedh anëtarët e Këshillit Ankimor Kombëtar dhe miraton rregulloren e funksionimit te tij;
  8. zgjedh Kryefinancierin e LSI-së;
  9. miraton rregulla mbi aktivitetin financiar dhe ekonomik të LSI-së;
  10. miraton rregulla mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të strukturave të LSI-së në Njësitë Administrative, bashkitë dhe qarqet e vendit;
  11. në rast mosfunksionimi, thyerjesh të rënda disiplinore, apo rezultatesh të dobëta në zgjedhjet e përgjithshme ose vendore, vendos riorganizimin pjesor ose të plotë të strukturës lokale të LSI-së;
  12. Komiteti Drejtues Kombëtar ka të drejtë të kooptojë në periudhën ndërmjet dy Konventave deri në 5% të numrit të anëtarve të KDK-së;
  13. Miraton kriteret që duhet të plotësojë një anëtar për t’u zgjedhur në forumet e LSI-së;
  14. miraton kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave për të përfaqësuar LSI-në në organet e qeverisjes vendore dhe qëndrore;
  15. miraton procedurat e zhvillimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe forumet e LSI-së;
  16. miraton kriteret e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të zgjedhur nga Konventat e Bashkive për në Konventën Kombëtare;
  17. miraton masën e kuotizacionit;
  18. miraton kandidaturat për deputet në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme;
  19. miraton kandidaturat për kryetar të LSI-së;
  20. zgjedh anëtarët e Bordit të Auditimit të Brendshëm dhe miraton rregulloren e funksionimit të tij.

11.13. Komiteti Drejtues Kombëtar e zhvillon veprimtarinë e tij në bazë të rregullores së tij, që hartohet nga Kryesia dhe miratohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar.

11.14. Mbledhjet e Komitetit Drejtues Kombëtar thirren me vendim të Kryesisë. Vendi i mbajtjes, kohëzgjatja dhe rendi i ditës, njoftohet të paktën 5 ditë përpara mbajtjes së saj.

11.15. Mbledhjet e Komitetit Drejtues Kombëtar drejtohen nga Kryetari i tij, i cili zgjidhet nga rradhët e anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe është anëtar i Kryesisë së LSI-së.

  1. Kryetari i KDK-së ndjek veprimtarinë e Komisioneve të përhershme politike që funksionojnë në LSI dhe informon periodikisht Kryesinë dhe KDK-në.
  2. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar bashkëpunon me Kryetarin e Grupit Parlamentar për qëndrimet e Komisioneve Politike të Përhershme për probleme legjislative si dhe për formulimin e qëndrimeve të LSI-së sipas fushave të ndryshme në Parlament.

Kryesia e LSI-së

11.16. Kryesia e LSI-së përbëhet nga një numër tek anëtarësh, duke përfshirë Kryetarin, Zëvendëskryetarin, Nënkryetarët, Kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar, Sekretarin e Përgjithshëm, Kryetarin e Lëvizjes Rinore për Integrim, Kryetaren e Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe anëtarët.

11.17. Anëtarët e Kryesisë zgjidhen nga rradhët e anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar për një periudhë katërvjeçare nëpërmjet konkurimit me kandidatura alternative.

11.18. Kryesia e LSI-së mblidhet jo më rrallë së një herë në muaj.

11.19. Mbledhjet e Kryesisë thirren nga Kryetari ose nga 1/3 e anëtarëve të saj. Kryesia e LSI-së e zhvillon aktivitetin e saj mbi bazën e rregullores përkatëse, e cila miratohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar.

11.20. Kryesia e LSI-së:

  1. organizon punën dhe veprimtarinë e përgjithshme të LSI-së;
  2. përpunon e miraton qëndrimet politike të LSI-së;
  3. përfaqëson LSI-në në marrëdhënie me organizatat partnere, partitë e tjera, organizatat politike të shoqërisë civile, të çdo gupimi tjetër shoqëror, në përputhje me parimet dhe normat e Statutit dhe të Programit të LSI-së;
  4. miraton buxhetin vjetor të LSI-së;
  5. kontrollon dhe mbikëqyr veprimtarinë e Bordit të Auditimit të Brendshëm, si dhe përgjigjet për veprimtarine ekonomike dhe financiare të LSI-së;
  6. nxjerr rregullore e udhëzime në përputhje me kompetencat që i jepen me këtë statut apo me vendim të Konvetës Kombëtare ose të Komitetit Drejtues Kombëtar;
  7. miraton numrin e anëtarëve të Komiteteve Drejtuese të LSI-së të Njësive Administrative;
  8. miraton listën e kandidatëve për Kryetarë të LSI-së të Njësive administrative si dhe të bashkive, që do t’i nënshtrohen më pas procesit të votimit në strukturat përkatëse;
  9. zgjedh sekretarët;
  10. përcakton të deleguarin e Kryesisë të LSI-së të Qarkut;
  11. miraton strukturën administrative të LSI-së;
  12. miraton rregullore dhe udhezime mbi mënyrën dhe praktikën e organizimit, funksionimit dhe dokumentimit të veprimtarive të LSI-së;
  13. miraton vendndodhjen e zyrave të LSI-së në zonat zgjedhore dhe njësitë e qeverisjes vendore;
  14. miraton rregullat e dhënies dhe të përdorimit të vulës dhe simboleve të LSI-së.

Kryesia Ekzekutive

11.21. Kryesia Ekzekutive është organ kolegjial konsultativ për drejtimin e përditshëm të veprimtarisë së partisë mes dy mbledhjeve të Kryesisë.

11.22. Kryesia Ekzekutive shqyrton dhe miraton projektet e akteve dhe vendimeve që i paraqiten Kryesisë së LSI-së.

11.23. Kryesia Ekzekutive përbëhet nga Kryetari, Zëvendëskryetari, Nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm, Kryetarja e LGI-së dhe Kryetari i LRI-së.

Kryetari i LSI-së

11.24. Kryetari është drejtuesi kryesor politik i LSI-së.

11.25. Kryetari zgjidhet një herë në 4 vjet nëpërmjet votimit nga anëtarësia sipas parimit një anëtarnjë votë dhe me kandidaturë alternative.

11.26. Kandidatëve për Kryetar të LSI-së u krijohen kushte të barabarta infrastrukturore, financiare dhe qasja në shtypin apo në publikimet e LSI-së.

11.27. Procedura e përzgjedhjes së kandidaturave për kryetar, mënyra e paraqitjes së programeve nga kandidatët, mënyra e zhvillimit të fushatës elektorale për zgjedhjen e kryetarit të LSI-së, miratohet me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar.

11.28. Kryetari i LSI-së:

  1. drejton dhe koordinon veprimtarinë politike dhe organizative të LSI-së;
  2. thërret dhe drejton mbledhjen e Kryesisë, thërret mbledhjen KDK-së dhe të Konventës Kombëtare;
  3. drejton dhe koordinon punën e Kryesisë;
  4. i propozon KDK-së kandidatët për anëtarë të kryesisë, për zëvendëskryetar, për nënkryetar, për Sekretar të Përgjithshëm dhe sekretarë të tjerë;
  5. i propozon KDK-së kanditatët për në Këshillin Ankimor Kombëtar dhe në Bordin e Auditimit të Brendëshëm.

ë. emëron nëpunësit e LSI-së;

  1. propozon kanditaturën e kryefinancierit të partisë.

Zëvendëskryetari i LSI-së:

11.29. Zëvendëskryetari në mungesë dhe me porosi, zëvendëson Kryetarin. Me vendim të Kryetarit apo të forumeve përkatëse të LSI- së, Zëvendëskryetarit i caktohen edhe detyra të tjera. Zëvendëskryetari, në mungesë të kryetarit drejton Kryesinë e LSI-së.

11.30. Zëvendëskryetari propozohet nga Kryetari i LSI-së dhe zgjidhet për një periudhë katërvjeçare nga KDK-ja, me votim të fshehtë.

Nënkryetarët e LSI-së:

11.31. Nënkryetarët e LSI-së zgjidhen nga KDK-ja për një periudhë katërvjeçare, me votim të fshehtë. Në vendimin e tij, Komiteti Drejtues Kombëtar përcakton edhe detyrat e kompetencat e nënkryetarëve.

11.32. Zëvendëskryetari dhe nënkryetarët ndihmojnë kryetarin në përmbushjen e detyrave të tij dhe e përfaqësojnë atë brenda dhe jashtë vendit sipas prioriteteve të përcaktuara nga Kryesia.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së

11.33. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së zgjidhet nga Komiteti Drejtues Kombëtar me votim të fshehtë, për një periudhë katërvjeçare. Sekretari i Përgjithshëm drejton dhe koordinon procesin administrativ dhe organizativ të partisë nga qendra në bazë, dhe përgjigjet për zbatimin e Statutit si dhe të vendimeve të KDK-së, të Kryesisë së LSI-së dhe transparencën financiare. Sekretari i Përgjithshëm siguron mbarëvajtjen e procesit të transparencës financiare.

11.34. Sekretari i Përgjithshëm:

  1. koordinon procesin e hartimit të dokumentave themelore të partisë, statutit, programit dhe akteve të tjera normative që dalin në nivel qendror;
  2. koordinon veprimtarinë administrative dhe organizative në nivel qendror dhe lokal. Siguron komunikimin e brendshëm dhe mbarëvajtjen e punës me organizatat e partisë në nivel bashkie dhe në qark;
  3. përgatit mbledhjen e Kryesisë, të Komitetit Drejtues Kombëtar si dhe të Konventës Kombëtare;
  4. drejton procesin e zbardhjes së vendimeve të Kryesisë, vendimeve të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe vendimeve të Konventës Kombëtare;

Ndjek zbatimin e vendimeve të KDK-së, Kryesisëdhe kërkon mbledhje të KDK-së dhe Kryesisë kur konstaton se vendimet e tyre nuk zbatohen;

  1. mbikqyr veprimtarinë e strukturave politiko-administrative të LSI-së;
  2. menaxhon të dhënat e partisë në nivel qendror dhe lokal;
  3. koordinon veprimtarinë dhe organizimin e eventeve kombëtare dhe lokale të partisë,
  4. drejton veprimtarinë e burimeve njerëzore;
  5. përpilon projektaktet , rregulloret, normat, metodologjinë e organizimit dhe funksionimit të brendshëm të Partisë;
  6. Sekretari i Përgjithshëm në mungesë të kryetarit dhe të zëvendëskryetarit drejton mbledhjen e Kryesisë.

Departamenti i Organizimit:

  1. ndjek punën e partisë në qarqet e vendit nga ana administrative dhe organizative;
  2. mban komunikimin me LSI-në në qendër, mbi funksionimin e partisë në nivel bashkie dhe qarku;
  3. ndjek zbatimin e statutit, vendimet e Komitetit Drejtues Kombëtar, të Kryesisë së LSI-së dhe të Sekretarit të Përgjithshëm.

XII. MARRJA E VENDIMEVE

12.1. Në forumet e LSI-së vendimet merren vetëm pas debatit dhe ballafaqimit të lirë të mendimeve.

12.2. Vendimet në forumet e LSI-së merren me konsensus dhe në mungesë të konsensusit me votim të hapur.

12.3. Vendimet që kanë të bëjnë me individët, me normat e Statutit dhe të Programit, apo kur kërkohet nga 1/3 e anëtarëve të forumit të LSI-së që merr vendimin, merren gjithnjë me votim të fshehtë.

12.4. Vendimi i miratuar nga shumica e pjësëmarrësve në votim është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë ata të cilëve u drejtohet ky vendim.

12.5. Vendimet e forumeve publikohen në organet e shtypit të LSI-së apo në buletinet e saj periodike informative.

XII. Këshilli Ankimor Kombëtar

13.1  Këshilli Ankimor Kombëtar përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga KDK-ja nëpërmjet një procedure konkurimi me kandidatura alternative dhe me votim të fshehtë, për një periudhë katërvjeçare. Mandati i Anëtarëve të Këshillit Ankimor mbaron vetëm me konstituimin e Këshillit Ankimor pasardhës.

13.2 Anëtarët e Këshillit Ankimor nuk mund të zgjidhen në asnjë forum drejtues të LSI-së.

13.3 Këshilli Ankimor Kombëtar shqyrton:

  1. a) mosmarrëveshjet e lindura brenda strukturave të LSI-së;
  2. b) vendimet që merren nga forumet e LSI-së;
  3. c) ankimet e paraqitura nga të interesuarit kundër masave disiplinore të dhëna ndaj tyre nga strukturat përkatëse;
  4. d) çdo ankesë të paraqitur nga përfaqësues të LSI-së të cilët janë të ngarkuar me detyra të caktuara në strukturat e LSI-së.

13.4  Në Këshillin Ankimor Kombëtar nuk mund të ankimohen vendimet e Konventës Kombëtare.

13.5 Vendimet e Këshillit Ankimor Kombëtar janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

13.6 Rregulla të hollësishme për procedurat e ankimimit dhe elementet formale që duhet të përmbajë ankimimi, llojet e vendimeve, mënyrën e marrjes së vendimeve, kuorumet e nevojshme për vendimmarrje në Këshillin Ankimor Kombëtar, sanksionohen në rregulloren e Këshillit Ankimor të cilën e miraton KDK-ja.

XIV. FRAKSIONET NË LSI

14.1. LSI-ja njeh dhe garanton të drejtën e krijimit të fraksioneve.

14.2. Përfaqësuesit e fraksionit kanë të drejtë të propozojnë kandidatët e tyre për në forumet drejtuese të LSI-së, të paraqesin për diskutim qëndrimet apo platformën e tyre në çdo forum apo strukturë përfaqësuese të LSI-së.

14.3. Përfaqësuesit e franksionit kanë të drejtë të shprehen lirisht në çdo forum apo strukturë të LSI-së, në shtypin e saj në mënyrë të barabartë si të gjithë anëtarët e tjerë të LSI-së, pa u cenuar apo diskriminuar për shkak të bindjes apo mendimit ndryshe.

14.4. Rregulla për mënyrën e legalizimit  dhe të përfaqësimit të fraksioneve në forumet e LSI-së përcaktohen nga Konventa Kombëtare

  1. RIKONFIRMIMI I MANDATEVE

15.1. Të gjithë funksionarët e LSI-së, të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga anëtarësia apo të zgjedhur nga forumet, mund t’i nënshtrohen procedurës së rikonfirmimit të mandatit.

15.2. Procedura e rikonfirmimit të mandatit të funksionarit të LSI-së, të zgjedhur nga anëtarësia apo forumet e LSI-së, fillon me kërkesën me shkrim e të paktën 1/3 e trupës zgjedhore të të zgjedhurit nga anëtarësia, ose 1/3 e anëtarëve të forumit që ka bërë zgjedhjen.

15.3. Rikonfirmimi i mandatit në çdo rast zhvillohet me të njëjtën procedurë të zgjedhjes së funksionarit të LSI-së që i nënshtrohet rikonfirmimit të mandatit.

15.4. Rregulla të hollësishme mbi procedurën e rikonfirmimit të mandatit miratohen nga Konventa Kombëtare.

XVI. BURIMET FINANCIARE E MATERIALE DHE PËRDORIMI I TYRE

16.1. Burimet financiare të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë:

  1. të ardhurat nga kuotizacionet;
  2. të ardhurat nga fondet publike, duke përfshirë edhe të ardhurat nga Buxheti i Shtetit, në përputhje me legjislacionin për financimin e partive politike;
  3. fondet jopublike, të cilat janë dhurimet financiare, dhurimet në natyrë, shërbimet, sponsorizimet, kreditë apo garancitë e ndryshme nga anëtarët, përkrahësit dhe organizatat partnere të Lëvizjes Socialiste për Integrim si dhe çdo transaksion tjetër financiar.”

16.2. Veprimtaria financiare dhe ekonomike e LSI-së drejtohet nga Kryefinancieri i LSI-së.

16.3. Kryefinancieri i Lëvizjes Socialiste për Integrim zgjidhet nga Komiteti Drejtues Kombëtar nëpërmjet konkurimit me kandidatura alternative. Mandati  I tij zgjat 4 vite, me të drejtë rizgjedhjeje.

16.4. Aktiviteti financiar dhe ekonomik i LSI-së mbikqyret nga Bordi i Auditimit të Brendshëm, sipas përcaktimeve të bëra në këtë statut.

16.5. Çdo 6 muaj, Kryefinancieri i paraqet Bordit të Auditimit të Brendshëm një raport në lidhje me aktivitetin financiar dhe ekonomik të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Forma dhe përmbajtja e këtij raporti miratohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar. Ky raport, bëhet publik në faqen zyrtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Bordi i auditimit të brendshëm

16.7. Bordi i auditimit të brendshëm është një strukturë qëndrore e cila përbëhet nga 5 anëtarë, të emëruar nga  Komiteti Drejtues Kombëtar sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara në këtë statut.

16.8. Auditimi i brendshëm mbështetet në parimin e ligjshmërisë, paanësisë, integritetit, pavarësisë, objektivitetit dhe profesionalizmit.

16.9. Anëtarët e bordit të auditimit të brendshëm përzgjidhen sipas një procedure transparente, konkuruese dhe duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  1. a) të kenë integritet moral dhe profesional;
  2. b) të mos jenë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;
  3. c) të zotërojnë, të paktën, diplomë “Master i shkencave” apo të barasvlershëm me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, dhe minimumi 3 vite përvojë pune në çështjet e auditimit ligjor dhe të kontabilitetit;

16.10. Kryetar i Bordit të Auditimit të Brendshëm zgjidhet me shumicë votash nga KDK-ja me propozim të kryetarit të partisë.

16.11. Bordi i Auditimit të Brendshëm :

  1. a) verifikon veprimtarinë financiare, kontrollon dhe mbikëqyr zbatimin e procedurave kontabël, pajtueshmërinë e veprimeve të regjistruara në llogari me buxhetin si dhe rregullsinë dhe korrektësinë e llogarive vjetore të aprovuara nga Kryesia;
  2. b) auditon pasqyrat financiare të LSI-së;
  3. c) bën vlerësimin e situatës financiare të LSI-së, si dhe i jep mendim Kryesisë për të gjitha problemet që i kërkohen prej kësaj të fundit;
  4. d) vlerëson përputhshmërinë e veprimtarisë së LSI-së me legjislacionin në fuqi.

16.12 Komiteti i Auditimit të Brendshëm i paraqet Kryesisë dhe Komitetit Drejtues Kombëtar një raport vjetor që nënshkruhet bashkërisht nga anëtarët e Komitetit të Auditimit të Brendshëm. Në rast mosmarrëveshje secili anëtar paraqet veçmas mendimet dhe vlerësimet e tij në Komitetin Drejtues Kombëtar, i cili merr vendimin përfundimtar në lidhje me çështjen.

16.13. Procedurat e përzgjedhjes, rastet e shkarkimit të anëtarëve të Bordit të Auditimit, rregullat e organizimit dhe funksionimit si dhe shpërblimi i anëtarëve miratohen nga Komiteti Drejtues Kombëtar.

XVII. ORGANIZATAT PARTNERE

17.1. Lëvizja Rinore për Integrim dhe Lëvizja e Gruas për Integrim janë organizata partnere të LSI-së.

17.2. Anëtarët e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe Lëvizjes së Gruas për Integrim, janë automatikisht anëtarë të LSI-së nëse plotësojnë kriteret e vendosura nga ky statut.

17.3. Lëvizja e Gruas për Integrim përfaqësohet me lista të veçanta kandidimi për në forumet e LSI-së në të gjitha nivelet, duke respektuar parimin e barazisë gjinore. Ky parim është i detyruar të respektohet edhe në përbërjen e të gjitha forumeve të LSI-së.

17.4. Lëvizja Rinore për Integrim përfaqësohet me lista të veçanta kandidimi për në forumet e LSI-së në të gjitha nivelet jo më pak se 30%. Në çdo rast përfaqësimi i Lëvizjes Rinore për Integrim do të jetë një përfaqësim i barabartë gjinor.

17.5. Përfshirja në forumet e LSI-së me kuota të caktuara, nuk pengon kandidimin dhe zgjedhjen e përfaqësuesve të këtyre dy organizatave, të rinjve e të rejave apo grave, në forumet e LSI-së jashtë këtyre kuotave.

17.6 Në buxhetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, parashikohen zëra më vete për Lëvizjen e Gruas për Integrim dhe për Lëvizjen Rinore për Integrim.

XVIII. MARRËDHËNIET ME ORGANIZATAT E TJERA POLITIKE DHE SHOQËRORE

18.1. LSI-ja bashkëpunon me sindikatat si dhe me organizatat politike e shoqërore që veprojnë në përputhje me legjislacionin shqiptar, kryesisht me ato organizata të cilat ashtu si LSI-ja shikojnë socialdemokracinë si modelin më të mirë për zhvillimin e vendit.

18.2. LSI-ja bashkëpunon me të gjitha ato organizata politike e shoqërore që synojnë një shoqëri demokratike e drejtësi shoqërore, duke u bazuar te debati konstruktiv dhe respektimi i pikëpamjeve.

18.3. LSI , bashkëpunon me organizatat shoqërore, të angazhuara në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Ajo mbështet në mënyrë të veçantë organizatat shoqërore, përfaqësuese të pakicave kombëtare, duke ju garantuar integrimin e gjithëanshëm si dhe promovimin e mbrojtjen e identitetit të tyre etnik, kulturor, gjuhësor e fetar”.

18.4. LSI-ja, duke respektuar pavarësinë dhe parimin e mosndërhyrjes, bashkëpunon më të gjitha partitë politike dhe organizatat politike apo të shoqërisë civile të shqiptarëve kudo që janë, në interes të mbrojtjes dhe të përmirësimit të të drejtave të shqiptarëve dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare.

18.5. LSI-ja bashkëpunon me të gjitha organizatat politike në botë që synojnë një shoqëri demokratike.