Vasili: Nëse Rama ka fakte për prokurorin e Durrësit, përse nuk e padit?

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka reaguar për akuzat që qeveria “Rama” ka bërë ndaj një prokurori në Durrës.

Vasili shprehet se nëse Edi Rama ka fakte ndaj prokurorit që arrestoi drejtorin e Kadastrës në Durrës le t’i publikojë ato.

POSTIMI:

Edi Rama qeshte kur përlante në Gjykatë pa ligj,Bashkinë e Durrësit më 30 qershor dhe llapaqenoset sot kur drejtësia nuk është me të!

Kur Gjykata e Durrësit jepte dy vendime në një ditë për kryetarin e bashkisë dhe Edi Rama grabiste Bashkinë e Durrësit në 30 qershor Rama & co ishin të kënaqur shumë,pavarësisht nga gangsterizmi antiligjor i denjë për tribute e Afrikës së Zezë që ndodhi në Gjykatën e Durrësit.

Ndërsa Edi Rama tha sot:
“Prokurori i Durrësit që shantazhoi për hesap të një organizate kriminale zyrtarin e shtetit dhe më pas kërkoi burgosjen e tij, është mishërimi tipik i llumit të sistemit të drejtësisë, që nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë pastrimit nga sistemi! Ky llum po kryen akte kriminale padrejtësie, me moton “Do ikim që do ikim, të kapim ç’të kapim!”

Nëse i ka faktet,pse nuk shkon ta padisë prokurorin ky llafazan kryeministër?

Apo e ka zakon ky njëlloj siç bëri me Dritan Zaganin apo me Emiljano Nuhun,që sa herë që i dhembin të vërtetat fillon histeritë ligavece nëpër media.

Këta kur nuk ju pëlqen drejtësia bëjnë llapaqenin,ndërsa kur e kapin e blejnë dhe e përdorin drejtësinë për interesa të tyre qeshin, kënaqen dhe gëzojnë.

Këta kur nuk ju pëlqen drejtësia dalin edhe bëjnë proteste para gjykatave siç bënte kryetari i bashkisë së Tiranës dikur.

Keta që ju çajnë dërrasat njerëzve gjithë ditën në emër të drejtësisë dhe thonë ta lëmë drejtësinë të thotë fjalën e saj, sa herë kjo ju leverdis, sot që ju preket interesi ulërijnë e pëllasin të kundërtën.

Çfarë karagjozësh, ç’lidhje kanë këta me shtetin dhe ligjin??