Vasili: Rilindja kthen Parlamentin në gjykatë, që mbron deputetët e saj nga arresti

Kreu i Grupit Parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar pas miratimit të ligjit veprimit të fundit të mazhorancës, e cila tashmë mbron me ligj deputetët e saj.

Përmes një postimi në Facebook, Vasili shkruan se ky është fundi, pasi Rilindja tashmë e ka kthyer Parlamentin në gjykatë, duke mbrojtur me ligj deputetët e saj nga arresti.

POSTIMI:

Fundi…Rilindja kthen Parlamentin në gjykatë, që mbron deputetët e saj nga arresti.

Me anë të një Udhëzuesi të përgatitur për të interpretuar Kodin e Etikës të miratuar vetëm nga rilindja,haptas dhe pa cipë ngrihet një mburojë e hekurt për të mbrojtur deputetët e inkriminuar.
Reforma në drejtësi u varros pasi drejtësia pengohet dhunshëm, që të veprojë me sebepin se mund të komplotohet kundër institucionit.
Pra sipas rilindjes institucioni, pra Parlamenti, mbrohet kur deputetët e inkriminuar nuk arrestohen dhe kur drejtësia si pushtet i pavarur pengohet të veprojë.
Sipas rilindjes institucionet mbrohen nga komplotet në një kohë që trafikantët ndodhen në pushtet duke komplotuar hapur ndaj shtetit ligjor, financave, pronës publike dhe interesave dhe lirive të qytetarëve të thjeshtë.
Mbrojtje të tillë skandaloze, banditeske, antikushtetuese nuk ka parë historia, kthimi i Parlamentit në trup gjykues është “de facto” asgjësimit të drejtësisë dhe pushtimit të Parlamentit.
Lexojini vetë pjesë të paragrafit 15 të komentarit, që provojnë banditizmin e Parlamentit.
Ja interpretimi për heqjen e imunitetit të deputetëve të akuzuar dhe shndërrimin e Parlamentit në trup gjykues:

“Ky mekanizëm procedural është mbrojtje e veçantë ligjore, kur ndaj tyre kërkohet masa e
arrestit, heqja e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimi i kontrollit personal të banesës nga
organi i akuzës dhe që shërben si filtër i verifikimit, nëse kërkesa synon presionin,
destabilizimin, ose cenimin e pavarësisë së institucionit.
“Dispozitat procedurale, që parashikojnë rregullat dhe mënyrën e shqyrtimit dhe lëshimit të
autorizimeve për kufizim të të drejtave të deputetit, kanë si qëllim që, nëpërmjet procedurave,
të verifikohet nëse kërkesat e paraqitura nga organe që përfaqësojnë pushtete të tjera të
pavarura, synohet ose tentohet që nëpërmjet goditjes së individit, të dëmtohet ose tё preket
funksionimi normal dhe pavarësia e institucionit.”

Kushdo, qytetar, analist, gazetar e ka shumë të qartë garantimin e paprekshmërisë që rilindja i ka siguruar vetes dhe çdo gjë që kryeministri flet për reformën në drejtësi dhe pavarsinë e saj janë një mashtrim i madh në favor të paprekshmërisë së tyre.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Vasili: Rilindja kthen Parlamentin në gjykatë, që mbron deputetët e saj nga arresti