Viktor Tushaj: Europa nuk është as fytyra e drogës dhe as çedimi i elementeve kombëtare

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI, Viktor Tushaj

I  nderuar drejtues i seancës

Të nderuar kolegë deputetë

Të dashur qytetar

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa të ligjit për menaxhimin e integruar të burimeve ujore” që na serviret si një reformë shpëtimtare e sektorit të ujit, në fakt, në vetëvete nuk është asgjë tjetër përveç një sërë masash drastike aspak reformuese, por vetëm shtërnguese të cilat në mënyrë selektive do të rëndojnë qytetarët e varfër dhe të papunë, familjarët e pamundur, bizneset e pambrojtur si dhe do të favorizojnë një kastë tjetër oligarkësh e biznesesh afër qeverisë.

Nuk do guxoja kurrë të artikuloja kaq prerë dhe qartë skepticizmin tim nëse ato që i quajtët ju reforma, si në sektorin e shëndetësisë me koncesionet e pavlerë, të dështuar dhe korruptiv të chekup-eve, apo masat drastike në sektorin e energjisë që u propaganduan si reforma e shekullit, e cila do të përmirësonte ndjeshëm infrastrukturën e shpërndarjes në rrjete dhe në kabina, do të përmirësonte rrënjësisht cilesinë e këtij shërbimi qytetarëve shqiptarë dhe përvec se do të shëronte sistemin, do na siguronte të ardhura për të bërë shkolla e spitale.

E për të ardhur tek reforma administrativo-institucionale e bërë vetëm pak muaj më parë, në fillim të mandatit tuaj të dytë, ku në funksion të tepsisë, keni shkatërruar çdo standart shërbimi administrativ i krijuar nga eksperienca e specialistëve të këtij vendi në dekada e dekada.

E për të mos përmendur të gjitha efektet e këtyre reformave, që ose janë lënë në mes të rrugës, ose kanë prodhuar të kundërtën e asaj për çfarë janë ndërmarrë, do të doja të ndalesha tek kjo e ujit.

Gjithë Europa dhe bota kanë rritur vëmendjen ndaj këtij sektori. Bëjnë strategji,  parashikojnë se si do të jetë situata pas 50 apo 100 vitesh për vendet e tyre dhe marrin masa konkrete në funksion të përmirësimit të menaxhimit të këtij sektori, pa rënduar buxhetin e qytetarëve të vet.

Ndryshimet klimatike, rritja e numrit të popullsisë dhe e përdoruesve të ujit, rritja e cilësisë së jetës dhe e sasisë së përdorimit, keqpërdorimi i burimeve ujore nëntokësore dhe mbitokësore, mungesa e strategjive afatgjata  dhe afatmesme në menaxhimin e burimeve ujore, mungesa e studimeve shkencore apo edhe shurdhëria ndaj atyre pak syresh të bëra, na kanë sjellë në këtë situatë absurde.

Nga paftësia për të evidentuar saktë problemin e shkaktarin, duke mos analizuar si dhe sa duhet situatat për gjendjen e krijuar, duke mos vënë në punë institucionet shkencore, studiuesit e fenomenve dhe të fushave të caktuara, arrini në vendimmarrje të pamenduara dhe që në vend të përmirësimit të situatës e rëndojnë akoma me tepër atë. Duket qartë se sa e kujdesshme ka qenë natyra në formimin e çdo burimi e në mënyrë të veçantë atyre ujore, për t’i vënë në shërbim të njeriut.

Por çfarë po bëjmë ne me reformat tona të njëpasnjëshme si kjo e ujit sot? Po kërkojmë të monitorojmë çdo litër ujë që del nga nëntoka e pasur e vendit tonë. A është e drejtë që çdokush që ka bërë një pus, ka vendosur nje pompë, për fermën apo tokën e tij, të paguajë taksë përveç asaj të pusit. Po si mundet qeveria të taksojë për një shërbim që nuk e kryen? Në vend që të falenderohet ky popull, që mungesën e dorës së shtetit e ka kompensuar me angazhimin e vet  për të siguruar ujë e në vend që të subvencionohet ky angazhim, kërkojmë që ti marrim shpirtin duke e taksuar çdo litër uji që ai nxjerr për nevojat e tij.  Banori i fshatit shqiptar por edhe qytetari, e kupton shumë mirë se uji është pasuri kombëtare dhe duhet menaxhuar në mënyrë të integruar, që do të thotë se duhet t’ju lëmë edhe brezave që vijnë rezerva ujore për të jetuar, por konsultimi me publikun, strategjia e qartë, modelet e sukseshshme të përdorura, dhe mbi të gjitha efektet dhe koha e realizimit, përfitimi i qytetarëve e sidomos mënyra se si do i përballojnë qytetarët masat e reformimit, etj. janë hapa që duhet ta shoqërojnë reformën.

Të nderuar kolegë

U lodhëm duke i dhënë mend njeri-tjetrit se si duhen bërë gjërat. Ju duke na kujtuar të kaluarën, që absolutisht nuk është pa mëkate, e ne duke ju thene ja ujku po lërini gjurmët, ja rruga shkatërruar në Lezhë që çdo ditë merr jetë njerëzish, ja ujësjellesi jashtë standarteve kudo nëpër fshatra e qytete, ja asetet publike të harruara në paeficiencën e tyre si në hekurudha e stacione, por edhe çdo aset tjetër, ja aeroporti i Kukësit i ndërtuar dhe i pa vënë asnjë orë në shfrytëzim.

Por pika e referimit të standarteve tuaja është e kaluara jonë. Dhe fatkeqësisht për ju, e përmendni atë sa herë jeni në hall të madh apo doni të bëni një deal korruptiv. Por ju harroni se pika e referimit të standartit tuaj duhet të jenë premtimet tuaja elektorale të pambajtura të 2013, shëndetësia falas, 300.000 vendet e reja te punes, ulja e taksave e te tjera premtime qe shqiptaret ua pine lengun.

Qeveria flet për të projektin e saj europian, për integrimin, për zhvillimin ekonomik e të tjerë elementë propagandistikë të tipit maoist. Pak ditë më parë, Ministri i Jashtëm grek na dha një lajm se qeveria e Shqipërisë po i fal Greqisë 12 milje detare. Kjo maxhorancë, e cila kur ishte në opozitë, akuzonte qeverinë e asaj kohe për tradhti ndaj vendit, për cedim të territorit, sot ka harruar gjithçka.

Në fakt, nuk është vetëm ky vendim që shkon kundër interesave kombëtare. Përfaqësuesi i Shqipërisë në OKB, që në fakt është përfaqësues i qeverisë, votoi në një mënyrë të paimagjinueshme nga qytetarët shqiptarë- votoi kundër aleatit tonë kryesor ndërkombëtar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Propaganda qeveritare mundohet të minimizojë efektet e votës së Shqipërisë kundër SHBA-së për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Por, kjo propagande nuk mund të fshehë të vërtetën e madhe. Presidenti amerikan, Donald Tramp, vetëm pak ditë më parë i konsideroi vendet që votuan kundër saj në OKB si kundërshtare. Dhe, si të tillë, do të rishihet ndihma amerikane për ato vende, përfshirë edhe Shqipërinë.

Kjo qeveri, me diletantizmin e saj diplomatik, renditi Shqipërinë në vendet kundërshtare të Amerikës. Një sjellje, të cilën, vetëm sistemi komunist në Shqipëri e zhvilloi dhe të gjithë e dimë se cilat ishin pasojat negative të asaj. Qeveria, kërkon të na mbushë mendjen përditë se ka qasje europiane e perëndimore. Por, nëse europianizim është falja e territorit Greqisë apo largimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një aeroport, unë e deklaroj këtu se nuk e dua aspak këtë rrugë.

Nëse Europa ka fytyrën e kriminalizuar dhe te droguar te shtetit Shqiptar, unë sërish nuk do të doja në asnjë mënyrë të isha pjesë e saj.Por, për fat të mirë të qytetarëve shqiptarë, Europa nuk është as fytyra e drogës dhe as cedimi i elementëve kombëtarë.Europa është ajo që kërkojnë shqiptarët, ata mijëra qytetarë që iu bashkuan protestës në 27 Janar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Qytetarët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirdiëes, por edhe shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë, nuk mund të presë fundin e mandatit për të bërë bilancet negative të keqqeverisjes tuaj, të korrupsionit dhe të pakteve okulte me oligarkë vendas e afaristo-qeveritar oriental.

Prandaj përgatituni për ortekun e zemërimit të popullit shqiptar!

Faleminderit!

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Viktor Tushaj: Europa nuk është as fytyra e drogës dhe as çedimi i elementeve kombëtare