Viktor Tushaj: Qeveria ka vendosur standard aplikimin e forcës policore kundër të pambrojturve

Fjala e Deputetit të LSI-së, Viktor Tushaj në Kuvend

 

 I nderuar drejtues i seancës!

 Të nderuar kolegë!

 Të nderuar qytetarë!

 

Temat që lidhen me peshkimin përbëjnë një interes të veçantë për banorët e Lezhës, të cilët unë përfaqësoj në këtë sallë.

Qeveria ka sjellë projektligjin për ndryshimin e ligjit “Për peshkimin”, në bazë të të cilit, sipas relacionit, do të përafrohet me legjislacionin e vendeve të Bashkimit Europian.

Në fakt, relacioni shpjegon qartë që ndryshimet ligjore mbështesin grosistët e mëdhenj të peshkut, ndërkohë që vendosin kushte bllokuese për peshkatarët e vegjël, pikërisht ata që e kanë si të vetmen mënyrë për të mbijetuar në këtë krizë totale ekonomike që po kalon vendi ynë.

Unë, ashtu si edhe ju, ashtu si edhe të gjithë qytetarët, jemi dakord që duhet të mbrojmë resurset ujore të vendit tonë. Duhet të bëjmë sa të mundemi që të mbrojmë dhe respektojmë faunën ujore. Kjo është një përgjegjësi e të gjithëve që duan një Shqipëri më të zhvilluar dhe më të forcuar ekonomikisht.

Por, projekt-ligji i përcjellë nga qeveria nuk ka këtë qëllim. Ky projekt-ligj pengon dhe dënon peshkatarët artizanalë, pra ata më të varfërit e shoqërisë shqiptare, që të sigurojnë ushqimin e mbijetesës.

Disa qindra familje lezhjane mbajnë frymën gjallë me gjuetinë e peshkut, si në zonën zonën bregdetare, ashtu edhe në atë kënetore. Gjuetia dhe më tej shitja e atyre pak kilogramëve peshk që zënë banorët e Lezhës është e vetmja shpresë për të nxjerrë disa përfitime, aq sa për ushqyer familjen.

Por qeveria nuk preokupohet për varfërinë e këtyre e familjeve, nuk preokupohet as për jetën e peshkatarëve sic për ditë të tëra nuk u preukupua për peshkatarin nga Ishull Lezha i mbytur në ujrat e lumit Drin në grykëderdhje të tij. Familja sot është e braktisur në fatin e saj të zi ku përballë saj qëndron paaftësia dhe mosangazhimi i shtetit që ja shtojnë dhimbjen kësaj familjeje dhe gjithë banorëve të kësaj zone

Por qeveria jonë në vend që të sjellë projekt ligje që t’jua lehtësojë vështirësitë dhe përmirësojë jetën sjell një Projekt-ligji që i detyron peshkatarët e vegjël  të kalojnë procedura pafund. Projekt-ligji i detyron peshkatarët e thjeshtë që t’i bashkohen grosistëve, pasi, në të kundërt, ata do të humbin të drejtën dhe do të penalizohen nëse guxojnë të kapin ndonjë peshk në det, lumë apo liqen.

Qeveria e prezanton këtë ligj si një mjet për t’u përafruar me standartet e Bashkimit Europian. Por, qeveria bën sikur harron që ky përafrim nuk mund të bëhet me banorë që jetojnë si në përshkrimet e vuajtura të “Familjes së peshkatarit”.

Qeveria tregohet e ndjeshme për peshqit dhe për biznesin e peshkimit. Po ta shohësh peshkimin, siç e shohin pushtetarët, nga restorantet dhe resortet luksoze, natyrisht që të vjen keq edhe për peshqit.

Por, të nderuar kolegë, para se të mendojmë për peshqit, ne e kemi detyrë madhore të mendojmë për njerëzit, të mendojmë për ata peshkatarët e thjeshtë që nuk do të guxojnë të dalin me kallama në breg, pasi mund të provojnë prangat e policisë për shkelje të ligjit.

Ne fakt, për fat të keq, qeveria jonë tashmë e ka shndërruar në standart aplikimin e forcës policore kundër më të pambrojturve, atyre që nuk kanë as forcën dhe as mundësinë për të ngritur zërin.

Forcën policore qeveria jonë ka nisur ta aplikojë  për këdo që nuk pranon zgjedhjet e saj abuzive dhe që ngrihet të protestojë kundër padrejtësive.

Dhunën policore e ndjenë në trupin e tyre edhe studentët, të cilët për javë me radhë i kërkuan kësaj qeverie që të përmirësojë disa kushte minimale jetese dhe arsimimi.

E çfarë ndodhi me studentët? I pamë të gjithë ato filmimet që janë turp për policinë, për qeverinë, por edhe për të gjithë ne të tjerët që lejuam të qeverisemi ne këtë mënyrë.

E pamë të gjithë se si policët hynë forcërisht në ambjentet e fakulteve dhe goditën e dhunuan studentët, vetëm e vetëm për faktin që ata kërkojnë nga qeveria që të rikthejë sytë nga hallet e tyre më bazike.

Në filmimet e shpërndara në disa prej mediave, por kryesisht në rrjete sociale, ne pamë se si, me paturpësinë më të madhe, forca policore godisnin vajza e djem  vetëm e vetëm pse ata po i prishnin imazhin fasadë të krijuar nga Rilindarët që sot drejtojnë vendin.

Por, paturpësia e kësaj qeverie nuk përfundon tek dhuna e pashoqe dhe tërësisht e palegjitimuar ndaj studentëve. Rilindarët, pasi të rrahin, tentojnë edhe të fshehin gjurmët.

Studentët në radhë të parë, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë, e panë dje me zë e figurë se si Ministri i Brendshëm mohoi, pa pikën e drojës, dhunën që policët nën varësi të tij ushtruan ndaj studentëve.

Mua personalisht më vjen keq që një gjeneral karriere, nga zona që unë përfaqësoj, detyrohet të mos thotë të vërtetën dhe të mohojë dhunën e ushtruar ndaj studentëve.

Në fakt, nuk na duhej asnjë konfirmim nga Ministri i Brendshëm për dhunën policore ndaj studentëve protestues, pasi atë e panë të gjithë shqiptarët me zë e figurë nga videot e publikuara prej vetë të rinjve.

Në një situatë normale, ministri i Brendshëm, më së paku, duhet të kërkonte ndjesë për veprimet policore dhe të urdhëronte marrjen e masave penalizuese ndaj atyre që guxuan të godasin studentët.

Por, për fat të keq, edhe ministri i sapoemëruar i Brendshëm, përkundër karrierës së tij, detyrohet t’u bindet urdhrave politikë të Krye-rilindarit dhe të mohojë atë që duket pastër si kristali-dhunën ndaj studentëve

Po ashtu, më vjen keq edhe për disa socialistë të vjetër në këtë sallë, jo nga këta Rilindarët, por prej atyre që kanë dhënë shpirtin e tyre për Partisë Socialiste e sot detyrohen të mbrojnë me pathos zullumet e Rilindarëve.

Gjatë më shumë se një muaji protestash, qeveria, pasi dështoi t’a manipulonte, u detyrua që të shtiret se pranoi kërkesat e drejta të studentëve. Mijëra të rinj, të cilët për ditë e netë, në të ftohtin acar të dimrit qëndruan poshtë zyrave të Kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit, kishin vetëm 8 pika-më të thjeshtat, ato që edhe qeveria jonë e korruptuar deri në thelb, mund t’i realizonte shumë shpejt.

Por, jo! Kjo qeveria jonë me platformë globale nuk mund të pranonte që të përkulej para disa të rinjve, të cilët e shndërruan liderin e Rilindjes dhe bashkpunetorët e tij në karikatura rrjetesh sociale. Nuk mund të pranonte kjo qeveri që të pakësonte milionat e parashikuara për oligarkët, vetëm e vetëm për faktin se disa të rinj kërkojnë disa gjëra elementare.

E pse duhet të shqetësohet Rilindja për kushtet minimale për studentët, kur ajo e ka mirë me oligarkët, prej të cilëve majmin xhepat e tyre, me bosët e medias, të cilët u bëjnë makiazh 24 orë apo me bandat kriminale, të cilat u sigurojnë votat??

Në kulmin e protestës, qeveria u zotua se do të miratonte të gjithë kërkesat e studentëve, madje edhe më shumë. E çfarë bëri? Miratoi, në urgjencë e sipër, një rrokopujë vendimesh, të cilat jo vetëm që përplasen me njëra-tjetrën, por edhe nuk zgjidhin thuajse as 1 përqind të atyre që kërkojnë studentët.

Qeveria dhe maxhoranca, refuzuan të pranonin propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të rishikuar buxhetin dhe të rriteshin të ardhurat për Arsimin e Lartë. E refezuan se ishte propozim opozoitar dhe sepse ato fonde, në këndvështrimin qeveritar, ishte më mirë të shkonin në duar oligarkësh.

Të nderuar kolegë!

Ne sot jemi thirrur për të diskutuar mbi peshkimin. Natyrisht, edhe për atë sektor duhet diskutuar. Por, ne të gjithë këtu kemi sot një detyrim madhor; të diskutojmë, të debatojmë dhe në fund të gjejmë zgjidhjen për studentët. Nuk ka sot asnjë prioritet më madhor për Shqipërinë se sa plotësimi i kërkesave më minimale të rinisë studentore.

Nuk ka as reforma, as integrim, as zhvillim, nëse nuk arrijmë të sigurojmë një zhvillim normal arsimor dhe edukativ në Shqipëri.

Të nderuar kolegë.

Pak javë më parë, më shumë se gjysma e qeverisë u ndryshua për shkak të korrupsionit galopant që e ka përfshirë kabinetin e ministrave. Ikën ata ministra, të cilat mund të prangoseshin në zyrat e tyre ministrore për shkak të abuzimeve të mëdha me pushtetin por, erdhën ca të tjerë, të panjohur, pa biografi politike, por që kanë vetëm një karakteristikë-janë të bindur verbërisht ndaj liderit të tyre,

Sot është po kjo maxhorancë, e cila erdhi në pushtet me votat e vjedhura dhe të blera me paratë e krimit të organizuar. E kemi thënë këtë që para zgjedhjeve të vitit 2017, edhe ditën e zgjedhjeve, edhe pas tyre. Kemi denoncuar me fakte se si po bliheshin votat ditën për diell. Denoncuam se si familje të tëra ishin në presionin e grupeve kriminale për të votuar këtë maxhorancë që sot keq-qeveris.

Po ku i denoncuam? Tek policia që ishte bërë palë me krimin e me trafikantët për të mbjellë drogë e për të blerë zgjedhje. E çfarë bëri ajo Polici? Asgjë, absolutisht asgjë, edhe kur anëtari i Lëvizjes Socialiste për Integrim gati humbi jetën ditën e zgjedhjeve në Shëngjin të Lezhës.

Por, siç thonë, “nuk mbulohet Dielli me shoshë”. Sot po ju dalin ditë pas dite të dhëna se si i keni vjedhur dhe tjetërsuar votat e shqiptarëve. Ato që ju flisnit serbes nëpër telefona, tani po i shohin dhe dëgjojnë të gjithë shqiptarët nga valët e Zërit të Amerikës, pasi, për fat të keq, median shqiptare e keni thuajse totalisht nën kontroll.

I kemi parë të gjithë përgjimet që kanë dalë dhe ato që priten të dalë. Në Lezhë, Durrës, Dibër, Kavajë e kudo tjetër, rilindasit janë përgjuar duke bërë pazare votash.

Ka në ato përgjime kryetarë bashkie, drejtues politikë, qendrorë e lokalë, ka vartës e eprorë rilindas, të gjithë në sulm për të vjedhur sa më shumë vota e për të siguruar pushtet.

Dhe, për fat të mirë, janë përgjime që janë kryer nga Prokuroria. Nga ajo prokurori, e cila së fundmi është shndërruar në levë të një fraksioni kundër një fraksioni tjetër brenda Rilindjes.

Por edhe kjo e ka nje te mire pasi për llogari të një fraksioni, po nxjerr në dritë të diellit disa të vërteta që ne i dinim, që qytetarët i dinin, por Rilindja nuk i pranonte pa prova. Ja edhe provat ku i kanë-“Zëri i Amerikës” po ua rikujton me fakte ato që shumë prej jush kanë diskutuar nëpër telefona për sigurimin kriminal të votave.

Kjo është një nga kryetemat për të cilën duhet të flasim në këtë sallë. Kjo është kryefjala e demokracisë, ABC ja e shtetformimit demokratik qe Rilindja e shkërmoqi.

Të nderuar kolegë, sidomos ju të maxhorancës!

Meqë nuk e keni aspak prioritet zbutjen e krizës ekonomike për mijëra e mijëra shqiptarë, të paktën kini mirësinë që të mendoni për qytetarët e varfër pasi t’i qani hallin peshkut.

Ju faleminderit për vëmendjen!

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Viktor Tushaj: Qeveria ka vendosur standard aplikimin e forcës policore kundër të pambrojturve