Vrasja e Kacifas, reagon Tavo: Duhet transparencë, e vërteta na çliron nga çdo zemërim

Deputeti i LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo ka reaguar për vrasjen e minoritarit grek Kostandinos Kacifas nga forcat RENEA në fshatin Bularat.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, deputeti kritikon mediat dhe analistët që sipas tij nuk po ruajnë qetësinë. Tavo shprehet se jeta e njeriut është e shtrenjtë dhe se duhet të zbardhet e vërteta.

“Vetëm e vërteta të çliron. Vetëm e vërteta shuan konfliktet e paqëna! Vetëm e vërteta nuk cënon marrëdhëniet midis kombeve. Vetëm e vërteta nuk i lejon ata njerëz me axhendë të fshehtë ta përdorin si diversion një vrasje ose për ta përdorur atë thjeshtë si temë diskutimi’, shprehet Tavo ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Pas vrasjes së minoritarit Konstandinos Kacifas, në Bularat të Gjirokastrës, opinioni publik, debatet në studio televizive, media e portale të ndryshme, analistë të njohur e të panjohur, patriotë e pseudo-patriotë, duket se po bëjnë të kundërtën e asaj që duhet bërë në raste të tilla: në vend që ruajmë qetësinë ne po e humbasin atë, e në vend që të apelojmë të gjithë së bashku për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe transparencë të nivelit të lartë të asaj çfarë ka ndodhur në të vërtetë, gishta drejtohen kuturu nga të dyja anët e kufinjve, fajtori gjendet vetëm me një të klikuar të telekomandës, apo me një status në facebook nga ndonjë cep gjeografik pa ditur se nga bie Bularati.

Ne që e njohim dhe e duam Bularatin, Dropullin, e të gjithë qarkun e Gjirokastrës, prej disa ditësh ndjejmë dhimbje.

Vetëm e vërteta të çliron. Vetëm e vërteta shuan konfliktet e paqëna! Vetëm e vërteta nuk cënon marrëdhëniet midis kombeve. Vetëm e vërteta nuk i lejon ata njerëz me axhendë të fshehtë ta përdorin si diversion një vrasje ose për ta përdorur atë thjeshtë si temë diskutimi.

Kam ndjekur me vëmendje prej disa ditësh këtë çështje në pritje të një raporti dhe zbardhje të plotë të ngjarjes.

Jeta e çdo njeriu është e shenjtë. Dhimbja e çdo familje është e pakrahasueshme.

Jeta e një njeriu, qoftë civil apo me uniformë policie, përpara se t’i përkasë një kombi, një qyteti, një fshati, i përket në rradhë të parë një qënieje, qënies njerëzore. Ne të gjithë jemi vëllazëria e njerëzve. Jetë-dashës, paqe-dashës, kombe-dashës, me më shumë dashuri se urrejtje, me gjëra që më shumë na bashkojmë sesa na ndajnë, ndaj këto ditë, duke mos u tunduar të biem në zemërime të paqëna, duhet të jemi më shumë se kurrë të bashkuar për të kërkuar vetëm një gjë të vetme – të vërtetën. Pasi vetëm ajo do të na çlirojë.

Nuk duhet të ketë vend për asnjë zemërim. E vërteta na çliron nga çdo zemërim.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Vrasja e Kacifas, reagon Tavo: Duhet transparencë, e vërteta na çliron nga çdo zemërim